"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

28.11.2011

Ai ishte Zogu mbret? Gazeta SHEKULLI


Mik i dashur,
Bertolt Brecht shkruante:“ Gjithë pushteti buron nga populli – por ku shkon ai?” dreqi ta hajë. Tek ne pushteti shkon nga edhe ka ardhur. Herë në Beograd, herë në Athinë, herë në Romë, së fundi edhe në Ankara. Krejt varet se cila qendër na e gozhdon në karrige një politikan. Ndonjëherë edhe dy qendra së bashku. Ju reaguat pas mendimit tim, ku shkrova te një mike në “fb” vetëm këtë fjali: “Zogu nuk është mbret.” 

Më kundërshtuat me email, privatisht, prandaj edhe nuk po përmend emrin Tuaj, por nga respekti për titullin, që kishit shënuar në fund, jo edhe pa arsye, po ju përgjigjem publikisht. Jo nga perspektiva e një historiani, por e një njeriu të rëndomtë, që përpiqet ta kultivojë një shqisë dhe ndjenjë drejtësie, duke u bazuar vetëm në veprat penale të politikanëve, vepra që duhet t’ i dijë çdo njeri i zakonshëm, madje edhe një doktor i shkencave.

Ta zëmë se Ibrahim Rugova është akoma president i Kosovës dhe ta zëmë se ime motër, pas këmbënguljes time, martohet me Rrahman Morinën, bashkëpunëtorin e madh të Millosheviçit. (Shembujt e sotëm më shërbejnë për ta bërë të qartë peshën e çështjes, ecurinë dhe gjykimin tonë aberrativ ndaj personaliteteve negative historike si dhe rehabilitimin e tyre pa u pas penduar, rrjedhimisht pasojat në shoqëri deri më sot...)

Nejse, të vazhdojmë: Millosheviçi më ndihmon me para dhe unë grumbulloj rreth meje shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Serbia na armatosë mirë dhe unë zotohem se nuk do të interesohem për shqiptarët atje, se do të vrasë patriotët e intelektual shqiptarë, si për shembull: Adem Jasharin, Thaçin, Adem Demaçin etj. Përveç kësaj, zotohem me shkrim se do ta pranojë pushtetin serb dhe do të punojë për integrimin e Kosovës në Serbi. Me cuba shqiptarë apo mercenarë serb e rus, unë futem në Kosovë dhe rrëzoj Qeverinë demokratike të Rugovës.

Meqenëse unë futem me ndihmën e Millosheviçit, unë meritoj ekzekutim apo burg të përjetshëm për tradhti të madhe ndaj atdheut dhe për puç. Kapërcimi ilegal i kufirit me një bandë cubash të armatosur, mund të jenë akuza shtesë.

Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, këtu do të përfundonte karriera ime politike, por, meqenëse populli im nuk bënë dallime semantike në mes patriotizmit dhe tradhtisë, unë përpunoj, zhvilloj dhe rris ambiciet e mia dhe zhvilloj lakminë për pushtet të përjetshëm. Nga frika se një ditë më rrëzojnë kosovarët e mi, unë me ata cuba dhe shërbëtorë të Millosheviçit që u futa brenda, organizoj edhe shpalljen time mbret dhe kështu i siguroj vetes të drejtën absolute dhe serike të pushtetit: domethënë edhe kalimin e kësaj prone private në duar e pinjollëve të mi. 

Unë falënderoj Millosheviçin për ndihmën dhe katapultimin tim në fron mbretëror dhe i fal Mitrovicën me rrethinë Serbisë. Ky është çmimi i parë i fronit, pa llogaritur edhe të vrarët për ta marrë pushtetin...
Këtu konsumohet akti i tradhtisë së lart i sanksionuar në çdo kushtetutë të shteteve tokësore dhe cenohet sovraniteti i vendit për përfitim vetjake, si pasojë e lakmisë sime të sëmurë. Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, nëse jo pas puçit, këtu do të përfundonte karriera ime politike: Cenimi i sovranitetit të vendit!

Edhe spiunit serb Rrahman Morina, i jap një post ministri. Pasi të shpallem mbret i Kosovës, unë betohem se do ta mbrojë atdheun dhe do të punojë për të mirën e tij. Natyrisht për ta arsyetuar veprën time, puçin dhe blerjen e pushtetit me troje shqiptare, unë përpiqem të bëjë edhe diçka për popullin, që i hipa në qafë me armë dhe me ndihmën e Serbisë. Unë di se nuk rrihet në pushtet duke qenë kundër popullit, por vetëm duke vrarë e dëbuar nga vendi ata shqiptarë, që i sulen fronit dhe që mund të organizojnë popullin. Natyrisht se krijoj edhe një administratë sepse përndryshe bota nuk do të më konsideronte Mbret i Shqiptarëve, por Cub. Po, pse i shqiptarëve? I shqiptarëve sepse me ndihmën e atyre, që nuk i kam nën pushtetin tim, u bëra mbret!

Shtetin tim do ta pranojë fqinjët, mirëpo jo të Nolit. Noli nuk i konvenon Ballkanit, unë po! Noli ishte tepër i madh për Ballkanin e vogël. Shumë i mençur për Ballkanin primitiv. Ortodoks me besim, por vendet fqinje ortodokse nuk do ta pranojnë shtetin e tij, por do ta pranojnë timin, sepse vija nga një familje bejlerësh...

Çdokush që synon rrëzimin tim, është tradhtar i kombit, puçist dhe kundër shtetit tonë, i them popullit. Merre me mend zoti doktor i shkencave, edhe pse unë kam falur troje, e them këtë! Unë tradhtari, patriotët e vërtet i quaj tradhtarë! Në fakt, ata që dëshirojnë rrëzimin tim, janë vetëm kundërshtarë të mi, patriot e idealist, por unë për ta siguruar pronësinë e shtetit, e trishtoj atë se kundërshtarët e mi janë tradhtarë, pa marrë parasysh kush janë: Adem Jashari, Rugova, Thaçi apo Demaçi. 

Konceptit të lakmisë sime të sëmurë i shkojnë për shtat ngatërrimi semantik i patriotizmit dhe tradhtisë, sa të shkrihen deri në mosdallim në mes vete. Këtu arrijmë tek mendimi i shkrimtarit austriak Karl Kraus i cili thotë:“ Disa gjëra janë aq të rrejshme, sa edhe e kundërta e tyre nuk është e vërtetë!” Ngatërrimi është i përkryer dhe ja pse tek ne e kundërta e rrenës është përsëri rrenë. Dhe, e kundërta e tradhtisë është tradhti, e jo patriotizëm, si kudo në botë!

Megjithëkëtë, të vazhdojmë me veprat e mia penale. Sapo të sulmojë ushtari i parë i huaj atdheun tim shumë të dashur, unë arratisem për ta shpëtuar familjen time, duke lënë popullin në luftë pa udhëheqës dhe pa mbrojtje. Në një vend normal me mendje të shëndoshë mendoj, edhe këtu do të kishte përfunduar karriera ime politike dhe do t’ isha dënuar për shkak dezertimit: me ekzekutim apo burg të përjetshëm. Unë jo vetëm që dezertoj para se të marrin vesh ushtarët e mi sulmin, por duke konsideruar veten mbret, më duhen edhe shumë lekë për ta mbajtur oborrin tim gjallë dhe çka bëj unë? Unë vjedh floririn e atdheut, që më mbajti si mbret dhe ia mbath, ku sytë, edhe këmbët. 

Këtu konsumohet akti i vjedhjes kriminale duke zbrazur arkën e shtetit. Edhe pse mbret i vendit, i betuar, unë do ta shikoj luftën në televizor me plane të reja për ta rrëzuar qeverinë sapo të çlirohet vendi. Fqinjët mirëpo, nuk do të tregojnë interes të më sjellin përsëri në fron, sepse mua më pason një tjetër, që u konvenonte atyre dhe me ndihmën e tyre u ngrit dhe u gozhdua në karrige si diktator.

Këtu doktor i dashur thjeshtësova historinë gati deri në banalizim, me shembuj aktual për të kuptuar nocionin tradhti edhe doktorët si Ju. Tradhtia është tradhti dhe nuk mund ta zhbëjnë veprat e mira aty këtu. Sepse unë para se të bëhem mbret, isha vrasës, puçist, vasal i huaj dhe derisa posedoj titullin mbret, bëhem edhe dezertor, edhe hajn.
Sikur ne të ishim një vend normal, me aftësi gjykuese të shëndosha, atëherë nga pasardhësit e mi të pafajshëm, do të kërkohej së paku floriri i vjedhur. Nëse Tirana nderon me një rrugë Ahmet Zogun, është për t’ u tmerruar pse nuk nderohet edhe spiuni i Serbisë Ceno Kryeziu( Cërnoglaviç) dhe Nikola Pashiçi me një bulevard, që na prodhoi një mbret! Edhe Esat Pashë Toptani duhet nderuar nga familja e së cilit vinte nëna e mbretit Zog. 

Edhe ai kishte ndërmend t’ i falë Serbisë veriun, kurse jugun Greqisë. Zotimi ndaj mbretërisë së Karagjogjerviqëve, puç me një bandë tradhtarësh, vrasje e patriotëve shqiptarë, dezertimi, vjedhja e arkës së shtetit, nuk janë çështje botëkuptimi dhe pikëvështrimi, por fakte që i ka prodhuar “mbreti”, që Ju adhuroni. Veprat kriminale, nuk mund t’ i zhbëj askush, sepse ai i ka prodhuar vet. Me vetëdije dhe me pasion të sëmurë ndaj pushtetit dhe karrierës. Pajtimi me ato vepra, është krim. Injorimi i atyre veprave kriminale, është pajtim me tradhtinë dhe ngatërrim i normave morale.

Nderimi i Zogut me një rrugë, flet edhe për Qeverinë e sotme shqiptare. Nuk mund të nderohet Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, e Ahmet Zogu, sepse këta nuk mund të futen në një kallëp. Ose të parët janë patriot, ose i dyti. Ose të parët janë tradhtarë, ose i dyti. Së bashku nuk shkojnë. Në asnjë shtet të botës nuk mund të gjenden rrugë, ku bartin emra të tradhtarëve. Propozimi për këtë emërtim, aprovimi i tij nga administrata e qytetit, flet për gjendjen tonë psikike. 

Flet për ata që sundojnë sot vendin. Për ata që sundojnë, sepse këta nuk qeverisin, por manipulojnë dhe dominojnë. Jo vetëm kjo, por dëshmon edhe për ata që shëtisin nëpër këtë rrugë dhe lexojnë për ditë emrin e atij, që kërkoi azil politik në Jugosllavi dhe me kunatin e vet Ceno Kryeziun, sulmoi atdheun.

Një vend që nderon një personalitet të tillë negativ, nuk mund të jetë normal, as natën e as ditën, as kur është duke fjetur, as kur është i zgjuar. Ai popull është në vegjetim e sipër. Aty ku nderohen njëlloj si patrioti, po ashtu edhe tradhtari, është e pamoralshme të flitet për norma morale. Apo për etikë në politikë. T’ i flasësh në ndërgjegje atyre që arsyetojnë nderimin e tradhtarëve, është e njëllojtë sikur të shkohet në shtëpi publike dhe të thuhet kjo: “Zonja të dashura, ju duhet të bëni punë tjetër. Ajo që bëni është e pamoralshme...” Akoma pa përfunduar fjalimin, ato na gjuajnë me sytjena, brekë e çizme të gjata. E pse sillen ato kështu?

Ato preken në sedrën e tyre. Ato do ta quajnë punën e tyre të moralshme dhe në dobi të kombit. Ato do të thonë se duke ofruar shërbime horizontale, ndikojnë në rënien e dhunimeve seksuale. Se ato po sakrifikohen për të mirën e kombit, se e bëjnë këtë vetëm për të mirën publike dhe për ruajtjen e paqes. Dhe, do të thonë edhe këtë: “Ne nuk jemi kurva, por kurva janë ato që e japin falas! ( Tradhtarë nuk janë tradhtarët, por patriotët). E çka nuk do të thonë tjetër gratë në shtëpinë publike zoti doktor i shkencave për ta përligjur punën dhe veprat e tyre të ndershme. Dhe, kur të dalim jashtë, kuptojmë se me rënien eventuale të dhunimeve, ato vërtetën bëkan punë të moralshme, patriotike edhe atë, duke flijuar trupin?! Deliri. Vjen pastaj një politikan shqiptarë dhe i shpallë ato Mic Sokola!

Pra, tradhtari në politikë sakrifikohet për kombin, aq sa flijohet një grua e përdalë për atdheun, doktor!

Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dha dorëheqje për plagjiaturë në doktoratën e tij. Politikani duhet të jetë i padamkosur, thjesht i padamkosur dhe shembull i së mirës, i moralit dhe qëndrimit korrekt, jo shembull i maskarait, i hajnit, i tradhtarit dhe i vrasësit. Karl-Theodor zu Guttenberg u dënua me një gjobë prej 20.000 €, që duhet t’ ia falë një organizate që lufton kancerin tek fëmijët, edhe atë për 23 pasazhe të vjedhur, ku kishte cenuar të drejtën e autorit. Çfarë dënimi ka paguar Zogu për puçin, vrasjen e qindra vetave, cenimin e integritetit të vendit, dezertimin, vjedhjen e arkës dhe bashkëpunimin me vendin që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare?

Politikani që ka një episod negativ në jetën e vet, ku shquhet tradhtia, vrasja, vjedhja, nuk mund të jetë shëmbëlltyrë për kombin. Kur një politikan vret vetëm një njeri padrejtësisht, ai është vrasës, kriminel, edhe nëse nesër bëhet doktor i shkencave. Një njeri është tradhtar, edhe nëse fal një metër të atdheut pa pajtimin e popullit, edhe nëse nesër bëhet kryetar apo kryeministër. Një njeri është dezertor, edhe nëse është mbret. Historia as nuk guxon t’ i harrojë veprat negative, as t’ i zbukurojë ato, sepse kjo neglizhencë, prodhon tradhtarë të rinj në pushtet. Siç kemi edhe sot...

Këto ishin arsyet e mia mik i dashur dhe më habit edhe një: Pse adhurojmë personalitete që dëmtojnë Shqipërinë? Është në pyetje injoranca jonë e madhe, oportunizmi, paaftësia e ndarjes së patriotit nga tradhtari apo patriotizmi folklorik apo parapëlqejmë despotizmin rural? Apo pse ne gjykojmë kështu: “Gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë 100 vjet!” Unë mendoj se kjo e fundit vlen për ne, por edhe për një arsye: neve na pëlqejnë krenaritë boshe dhe të rrejshme. Neve na pëlqen ta gënjejmë veten, injorojmë aq shumë vepra penale, sepse na eksiton iluzioni se duke pasur mbret, bëhemi disi anglez, prandaj aleluja për atë gjarpër. Ai nuk na ka helmuar neve, por të tjerët...

Faktet e numëruara, nuk janë gjykim komunist i historisë, por tradhtia është tradhti, edhe në feudalizëm, edhe në monarki, edhe në komunizëm, edhe në demokraci dhe edhe aty ku jetohet akoma në struktura fisnore dhe ku nuk ekziston një ngrehinë qeverisëse si shteti. Kur Gjermania fashiste sulmoi monarkitë tjera në Europë, asnjë monark nuk dezertoi. Arsyetimin e tij se nuk kishte armatim për rezistencë, e rrëzoi pasuesi i tij, diktatori Enver Hoxha.

Nëse nxënësit tanë mësojnë në shkollë se Zogu ishte i mirë, e jo siç e meriton në bazë të veprave të veta, atëherë ne nuk kemi historian, por njerëz që shkruajnë përralla, ku edhe tradhtari glorifikohet. Me libra të tillë, edhe në 100 vitet e ardhshme do të prodhojmë vetëm tradhtarë në krye të qeverive, sepse ne nuk jemi në gjendje të dallojmë me mes tradhtisë dhe patriotizmi, ne mes ditës dhe natës, moralit dhe pamoralit, Shtëpisë Publike dhe Qeverisë. Ja pse politikanët tanë i ngjajnë shumë plehut. Mund të ketë dobi anësore, por askush nuk duhet ta durojë në shtëpi. Ali Podrimja në poezinë e tij “Ti dhe dielli” thotë: “Me Plehun mos u pajto: nxirre në gjysmë të natës, në pikë të vapës..!” Ne mirëpo kemi një shprehi të keqe. Ne i mbyllim hundët dhe shtiremi se nuk po e shohim dhe bashkëjetojmë me të.

Summa summarum: Kush ishte Ahmet Zogu? Ai ishte karrieristë i paskrupullt, tradhtar, dezertor, vrasës, hajn, copëtues i vendit dhe punoi vetëm për veten. Vendimi i gjykatës jo në emër të popullit, sepse populli nuk brengoset shumë për këtë, por në emër të drejtësisë: pesë herë burg i përjetshëm! Po e vërteta? Ai shpërblehet. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “Rruga e Ahmet Zogut!”

Ky vështrim u nisë me Bertolt Brecht dhe ta mbyllim me gjykimin e tij: “ Kush nuk e din të vërtetën, është njeri torollak. Mirëpo, kush e di këtë, por e quan gënjeshtër, ai është kriminel!” Qëndrimi jonë injorues dhe përkëdhelës ndaj plehut, ka ndihmuar në prodhimin e diktatorit, pastaj edhe të despotit...mirëpo kush ishte Enver Hoxha? Këtë lexoni herën tjetër tek Shekulli.

---
Më shumë nga Lis Bukuroca:




----------------------------------------------------------------------------------------------
Marrëveshja e Zogut me Nikola Pashiqin

Në atë link mund të merrni njohuri të reja mbi Zogun, Pashiqin, Ceno beg Kryeziun dhe Esat Pashë Toptanin: Trekëndshi me lidhje fisnore: Nëna e Zogut nga familja e Esat Pashës, motra e Zogut martohet me Ceno Beg Kryeziun, që të tre në shërbim të huaj dhe prej aty ka marrë tatëpjetën kombi. Që të tre tradhtarë. Edhe një fakt, që të tre bejlerë!
„- Beogradi më ka shkatërruar, por unë betohem në atë, që është më e shenjtë, betohem në eshtrat e babait tim, se kundër Beogradit kurrë nuk do të veproj.“ Ceno Kryeziu
ZOGU-PASHQI, Marrëveshja
"1. Shqipëria impenjohet t'i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.

2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.

3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti ...dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.

4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.

5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.

6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.

7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.

8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.

10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.

11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.

12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.

13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.

14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t'i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.

15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.

16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve".) ( Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç - Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 )….

Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.




2 Kommentare:

Anonym hat gesagt…

I nderuari Lis flm për këto dhe shume shkrime te tua Zoti të dhasht shëndet dhe lumturi

Lis Bukuroca hat gesagt…

Të falenderoj z. Shpat...më duhe tta pranoj se hyra në një temë, për të cilën kurrë nuk kisha menduar. Pasi dërgova artikullin, mora vesh se qenka ndërtuar edhe një përmendore për Zogun në Burrel...Jemi neë një kaos të madh, ku jo historianët, por politikanët po vendosin mbi patriotizmin e tradhtinë, kjo është si në kohën e Enverit...