"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

17.03.2012

7 Marsi “Dita e Mësuesit” apo “Dita e Shkollës Shqipe”


Për Ditën e Mësuesit, 7 Marsin, pati shumë artikuj nëpër gazeta fizike dhe gazeta online. Shumica qenë shkruar nga arsimtarët, ku i uronin njëri tjetrit këtë ditë festive dhe ku shquhej një solidaritet në mes tyre dhe një apel për empati në shoqëri. 

Se a mund t’ i urohet dita njëri tjetrit, për një festë kolektive, e jo individuale, kjo është pyetje në vete, kërkon këndvështrim, kërkon vëzhgim tjetër dhe argumentim tjetër. Kjo pyetje mirëpo mund të shtrohet: Sa i gëzoheshin mësuesit kësaj feste, sa ishin të gëzuar një ditë para dhe a kishin pasur vështirësi të flenë nga emocionet se po vinte kjo ditë? Nëse nuk kanë pësuar këtë shqetësim shpirtëror, atëherë shprehja e urimeve, vështirë të pohohet.

Në artikullin tim publikuar edhe tek Shekulli me titull Kujt i duhet festat e marsit, në gazeta online Kujti i duhet 7 dhe 8 marsi, u përmendën disa arsye, pse kjo ditë nuk duhet quajtur Ditë e Mësuesit, por e Shkollës Shqipe. Aty këtu pati reagime, por për fat të keq, asnjë, nuk argumentonte, pse kjo festë duhet quajtur Ditë e Mësuesit. Kjo bënte të qartë se kjo festë po kremtohej, se ishte bërë shprehi, zakon, por se edhe mësuesit, kuptonin se ishte anakronike dhe nuk mund të përligjej.

Pati edhe disa poezi nga poetë, që përkujtonin mësuesit e tyre. Këto poezi, sa ishin të ndershme dhe shprehnin një mirënjohje eksplicite, aq edhe ngrinin dilema tjera. Pse? Shumë mësues bënin punën e vet për rrogën e vet, për ekzistencën e vet dhe rrallë herë, shquhej ndonjë mësues, i cili angazhohej dhe bëhej shëmbëlltyrë me pasionin e tij ndaj profesionit. Dhe, nëse njëri i shkruan poezi- ky është vetëm perceptim dhe përjetim subjektiv- sa nxënës kanë mbresa jo të mira nga ai mësues? Ai mësues, që për njërin është i mrekullueshëm, për tjetrin mund edhe të mos jetë i tillë. 

Të rrallë janë ata që edhe jashtë orarit të punës, motivojnë nxënësit, për shembull për të shkruar poezi, tregime, romane, për t’ u bërë artist, këngëtarë, sportist etj. Cytje të tilla do të duhej të ishin detyrë e shkollës, por vështirë të gjenden njerëz të njohur, që kanë pasur një mbështetje dhe përkrahje të vazhdueshme nga shkolla. E në fakt, shkolla duhet të jetë ajo që zbulon talentet e reja, ndihmon dhe orienton ata. Ai mësues që angazhohet vetëm në orarin e paraparë të punës, ai ka bërë vetëm detyrën e vet, më shumë jo.

Duke lexuar shkrimet për shtatë Marsin, krijohej një përshtypje se mësuesit po punonin falas, po sakrifikoheshin tepër shumë dhe po rraskapiteshin duke punuar dhe për këtë punë, ata meritonin mirënjohjen të veçantë nga shoqëria. Në bazë të shkrimeve, përshkrimeve dhe punës fisnike shumë të mundimshme, që po bënin ata, duhej imagjinuar ata duke dalë nga shkolla zvarrë: të lodhur, të rraskapitur, të djersitur, të dërmuar sa që mezi ngrihen në këmbë për ta vazhduar rrugën për në shtëpi, edhe atë, pas katër apo pesë orëve punë. Pesë ditë në javë.

Dikush mendon se duhet festuar kjo ditë si Ditë e Mësuesit, sepse ata i mësojnë fëmijët shkrim-leximin dhe se pa ta, domethënë pa mësuesit, fëmijët do të mbeteshin analfabet. Ky konstatim provokon menjëherë pyetjen tjetër. Dakord, por kur festojmë Ditën e Bukëpjekësit dhe kur kemi shkuar tek ai për t’ i dhuruar ndonjë lule dhe për ta falënderuar se po na gatuan bukën e përditshme? 

Kur kemi shkuar tek bujku në arë, gjersa korrë grurin, për ta falënderuar dhe për t’ i dhuruar një trëndafil? Nuk e bëjmë! Pse? Sepse e kemi paguar! E mësuesi a paguhet? Po! Fiton pak, por paguhet! A ka të drejtë të kërkojë lule për punën e shpërblyer? Jo! Nuk ka të drejtë! Nëse pa mësues, mbetemi analfabet, pa bujk vdesim nga uria dhe nuk do të kishim kohë as për ta mësuar alfabetin, e as t’ i lexojmë lavdëresat, që ata i thurin vetes. Madje, edhe duke pushuar jo nga katër javë si të tjerët, por deri edhe 16 javë në vit. 

A festojmë Ditën e Mjekut, që shumë herë shpëton njeriun nga vdekja e sigurt? A festojmë ditën e punëtorëve të tekstilit, që na mundësojmë të mos dalim lakuriq në rrugë?
Në vitet e para, mund të kuptohej kjo festë, ka mundur edhe të krijojë një bindje dhe përshtypje të tillë, të përkushtimit, të pasionit ndaj detyrës, sepse gati askush nuk dinte shkrim-lexim dhe për çdo kuriozitet të nxënësit, vetëm mësuesi ishte në gjendje të përgjigjej. Prindërit ishin gati të gjithë analfabet. Pastaj edhe ndalimi i gjuhës shqipe nga pushtuesi, ka ndikuar në fisnikërimin e këtij profesioni. 

Mirëpo, sot, nuk është ashtu. Sot fëmijët dalin me një dituri shumë më të madhe nga shtëpia dhe se detyra e mësuesit, jo vetëm tek ne, përmblidhet në dhënien e informatave, kurse nxënësi duhet të mësojë në shtëpi, gjersa mësuesi i tij fiton edhe pse në fakt, në krahasim me profesionet tjera në shoqëri, ata mund të llogariten si punëtorë part time. Në Gjermani po bëhet një reformë dhe ka shumë shkolla ku nxënësit janë në shkolla deri në orën 16 ose 17. Kjo shkollë është më e përhapur në Francë dhe vendet Skandinave. 

Nëse nuk mund të prodhohen makina, aeroplan dhe vlera tjera industriale, shkolla shqiptare duhet së paku të prodhojë njerëz të ditur dhe të pranueshëm në botë. Jo me shkolla si janë tani, por tërë ditën. Nuk mund të shkohet para me sisteme shkollore të shekullit XIX në shekullin XXI. Për shumë arsye.
Nuk është problemi vetëm tek emërtimi i gabueshëm i kësaj feste, por edhe te blerja e luleve. Këto lule mund të krijojnë diskriminim në klasë dhe kokëçarje në shtëpi. Kur një nxënës për shembull sjellë një lule të shtrenjtë, mësuesi do ta ketë vështirë të jetë korrekt në vlerësim, por do të bëhej më pak i rreptë se sa kundrejt një nxënësi, që kushtet ekonomike nuk i lejojnë blerjen e luleve të shtrenjta. 

Edhe tek prindërit e nxënësit rritet pritshmëria në trajtimin e fëmijës, sepse lulet kushtonin shumë. Jo vetëm kjo, por nga reagimet e lexuesve shihet se shumë mësues edhe i pretendojnë lulet si shenjë mirënjohje. Blerja e luleve do t’ ishte në rregull dhe shenjë falënderimi, kur mbarohet një shkollë dhe kalohet në tjetrën dhe bëhet në fund të vitit kur merren dëftesat, mirëpo jo derisa vazhdon procesi arsimor. Mund të bëhet vetëm vullnetarisht, kush të dëshirojë, por nuk duhet të ketë të drejtë asnjë mësues t’ i kërkojë ato. Në Gjermani nxënësit mbledhin para dhe i blejnë së bashku një tufë lule, por vetëm pasi të ketë përfunduar cikli shkollor.

Pse mësuesi po merituaka të ketë një festë të veten, por jo edhe nxënësi? Dhe, nëse mësuesi merr lule nga nxënësi, çka jep ai si kundërshpërblim? Diturinë! Por ai për këtë paguhet, u tha edhe më lartë, këtë e dinë edhe mësuesi? Ç’ ka jep ai falas, si nxënësi lulet? Dhe, nëse mësuesi paguhet për punën e kryer, pse të shpërblehet edhe nga nxënësi? Nëse i vogli duhet të shpërblejë të madhin, atëherë, si shpërblejnë mësuesit drejtorin e shkollës? Ka dhjetëra pyetje që mund të shtrohen, por do të jenë edhe qindra përgjigje që flasin për shndërrimin e kësaj feste në feste të Shkollës Shqipe, e jo në Ditë të Mësuesit. Duke e shndërruar në një festë të tillë, atëherë nënkuptohet se kremtojmë edhe ditën e nxënësit dhe, nëse arsimtarët kërkojnë lule, ata duhet t’ i blejnë edhe krejt nxënësve nga një dhuratë, sepse pa nxënësit, ata do të mbeteshin pa punë.

Për ta kuptuar se a është në rregull kjo dukuri, duhet bërë një anketë anonime dhe pyetur nxënësit se a meritojnë mësuesit e tyre lule? Do t’ i lejoj vetes të paragjykoj dhe them se më shumë se gjysma nuk do të blinin. Nëse vërtetë do të ndodhte kështu, a nuk është dyfytyrësi të detyrohen nxënësit, të sillen, jo siç mendojnë ata, por siç i pëlqen të rriturit, mësuesit të tyre. Shpërblehet mësuesi jo në bazë të meritave, por të detyrimit. Nëse rezulton vërtet ashtu siç mund të paramendohet, atëherë ky është manipulim i të miturve dhe qysh në moshë të re, u mësohet fëmijëve korrupsioni dhe pritshmëria, shpërblimi nga akte të tilla. Ata, edhe si të rritur, për t’ u imponuar, do të veprojnë kështu, jo tani më me lule, por me lekë. Korrupsioni nuk zhduket në një shoqëri, kur mësohet në shkolla, edhe atë, nga ata që nuk duhet, nga mësuesit...






Keine Kommentare: