"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

07.03.2012

Kujt i duhen festat e 7 dhe 8 marsit? gazeta Shekulli



Tetë marsi tek ne nuk duhet festuar. Nuk duhet festuar sepse statistikat flasin se kjo ditë është Ditë Hipokrizie. Gruaja nuk duhet të trajtohet një ditë me sjellje fisnike, por çdo ditë. Për këtë obligon burrin qytetërimi i sotshëm: Kushtetuta dhe të drejtat e njeriut. Gruaja është Njeri: Respekti dhe mirënjohja janë obligim i përditshëm i njeriut ndaj njeriut.

Aty ku gruas i kufizohet liria, bëhet fjalë për liri selektive gjinore dhe diskriminim të madh. Aty ku nëpërkëmben të drejtat e grave, aty ku gruaja keqtrajtohet shpirtërisht dhe fizikisht, shfaqen edhe xhentlemen me ndërgjegje të dëmtuar, por me trëndafila në dorë. Ata ndoshta edhe mendojnë se po bëjnë mirë një herë në vit, por, të nesërmen, i japin vetes të drejtën të sillen, ashtu si nuk e meriton as njeriu, as kafsha. Madje, edhe atë ditë, me tetë mars, për gruan nuk ka festë të njëmendtë. Ajo duhet t’ i kryejë detyrat si çdo ditë dhe, një tufë lule, nuk ndryshon asgjë, por në shumë raste, flet për pranimin e tërthortë të fajit. Madje, edhe rrit pritshmërinë tek lulësjellsi, sepse ai me këtë akt, mendon se u shkëput nga norma. 

Një numër bukur i madh, nuk din as datëlindjen e gruas. Ata dinë të shajnë, të kërcënohen dhe t’ i fajësojnë gratë për gjitha falimentimet e veta, por sot blejnë një trëndafil apo një rrashtë me lule! Edhe kur nuk mund ta kontrollojnë veten, ata përsëri fajësojnë gratë. Ata duke mos pranuar fajin e vet, dështimet e veta, nuk ecin kurrë para dhe nuk korrigjohen, sepse fajtori kujdestar për çdo gjë, është gruaja!

(I akuzuar, pse e dhunove vajzën? 
Fajet i ka ajo, ishte veshur me fustan të shkurtër! 
Ju mirëpo nuk keni të drejtë të dhunoni pse ajo është veshur siç i pëlqen asaj. 
Po, mirëpo më provokoi! 
Dmth. se ju nuk mund të kontrolloni veten! Tragjike! 
Ajo i ka fajet zoti Gjykatës! 
Tri vjet burg i akuzuar. Gruaja ka të drejtë të vishet si të dojë dhe të vendosë se me kë dëshiron raporte seksuale. 
Është e padrejtë zoti gjykatës. Jo në Europë i dënuar...)

Gruaja nuk ka nevojë për lule hipokrizie një herë në vit, por për dashuri gjatë tërë vitit, çdo ditë, sepse vetëm kështu krijohet një familje e shëndoshë dhe me fëmijë të edukuar mirë. Demokracia e përjargur, që na shfaqet jashtë, është rezultat i demokracisë brenda në shtëpi, me të gjitha të mirat dhe të ligat e karaktereve në shoqëri. E karaktereve që kemi menduar se janë pjesë e së kaluarës. Ai që shanë gratë e huaja në Kuvend, nuk ka dyshim se në shtëpi shanë dhe rrah edhe gruan e vet! Aty ku rrahet çdo e treta grua, aty ku keqtrajtohet çdo e dyta, nuk ka nevojë për tetë mars, por për ndryshimin e bindjeve fikse. Liria e saj, nuk është lëmoshë që duhet t’ i falet, por atë ia garanton Kushtetuta: Lirinë e lëvizjes, mendimit dhe të jetës së vet...Të martesës dhe shkurorëzimit fundi i fundit.

Vitin e kaluar në Shqipëri u vranë 17 gra. Kjo është edhe pasojë e testosteronit, që dominon skenën politike mashkullore shqiptare. Madje, edhe Jozefina, për t’ i pëlqyer punëdhënësit të vet, sillet si burrë i keq, plot e përplot testosteron.

Për gratë e vrara është dashur të mbahej një ditë zie. Kukudhi jonë mbajti ditë zie për Salep Sulltanin edhe pse për kombin shqiptar, ai nuk kishte bërë asgjë të mirë; asgjë me vlerë, pos që kishte demonstruar dëshirën e përjetshme për ta grabitur pushtetin. Sa gra janë vrarë në Kosovë, sa janë rrahur dhe përgjakur, nuk dihet. Nuk dihet as për gratë në Maqedoni, por një gjë dihet: Shumë meshkuj kanë probleme me botëkuptimin, barazinë dhe trajtimin e gruas. 

Ata kanë probleme me qytetërimin e sotshëm, sepse janë kalitur, edukuar për të jetuar në mesjetë, jo sot! Keqtrajtimi i grave është simptomë, që flet për komplekse serioze aberrative, nga e cila vuajnë ata...Ndoshta edhe nga mësimet e marra në shtëpi, të trashëguara nga pushtuesi dhe të pa korrigjuar nga ata që duhet ta bënin këtë, që sot festojnë me plot mburrje e krenari “Ditën e Mësuesit” duke shitur mend, duke u kapardisur apo duke u paraqitur si viktima me cilësi patriotike, gjoja në shërbim të kombit, jo të rrogës!

Kujt i duhet 7 marsi?

Pandeli Sotiri hapi shkollën shqipe para 125 viteve dhe kjo datë merret si “Ditë e Mësuesit.” Shumë mësues nuk din gjë për Pandelin, por kapardisen me “Ditën e Mësuesit“ dhe flasin për sakrifikimin e vet, thua se po punojnë falas. Mësuesit e parë punuan për emancipimin e popullit, ndriçimin e tij dhe rrezikonin. Kjo festë sot nuk i duhet askujt dhe nuk duhet festuar si “Ditë Mësuesi”, por si “Ditë e Shkollës Shqipe.” Pse nuk duhet festuar si “Ditë Mësuesi?” Kjo fisnikëron në një mënyrë të gjithë mësuesit, edhe ata që nuk e meritojnë. Ndoshta një e treta e mësuesve shqiptarë, nuk duhet të jenë mësues. Ata edhe pas 14 apo 16 viteve arsimimi, nuk flasin gjuhën shqipe si duhet, nuk shkruajnë gjuhën shqipe drejt dhe nuk kanë respekt ndaj saj. Nuk duhet festuar si “Ditë Mësuesi”, sepse mësuesit e sotshëm shesin nota, profesorët shesin diploma të fakulteteve dhe tituj të doktoraturave.

(Një doktor i shkencave, profesor në Universitetin e Prishtinës, shkruante tek “Albshkenca” me plot krenari duke përmendur titullin dhe përfaqësimin e tij nëpër organizata të ndryshme. Ai profesor, “çështjen” e shkruante me “qështje”, “mirë” e shkruante “mir” dhe në një faqe, bënte diku 20-30 gabime. Pyetjen e parë që bënte njeriu vetes, ishte kjo: “ Si mbaroi kjo krijesë shkollën fillore? Si është e mundur që një njeri, edhe pas aq viteve shkollim, të flasë e shkruaj gjuhën e vet si një çoban? Pse ky njeri nuk ka përsëritur klasën? Si mbaroi fakultetin dhe si doktoroi? Kush ishin ata që i falën titullin dr.?Pse ky njeri nuk ka asnjë dallim nga një plak, që nuk ka qenë kurrë në shkollë? A sheh rektori këtë profesor, që krenohet e krekoset me” dr.” apo a ka vënë re këtë klasa politike shqiptare? Çfarë mediokritete po prodhon shkolla shqiptare dhe kujt i duhen dhe kujt i shërbejnë këta gjysmak?)

Nuk duhet festuar si “Ditë Mësuesi”, sepse shkollat tona prodhojnë mafioz, prodhojnë njerëz të pamoralshëm, intrigantë, hajdutë, rrahës, karrieristë të sëmurë, tradhtarë, njerëz agresiv dhe njerëz të korruptueshëm. Nuk duhet festuar sepse mësuesit paguhen për punën që bëjnë dhe janë dëmshpërblyer një herë. Madje e quajnë veten intelektual! Ata punojnë më pak se çdo profesion tjetër, ata kanë pushime më shumë se çdo profesion tjetër. Nuk duhet festuar, sepse ne nuk festojmë “Ditën e Muratorit”, që na ka ndërtuar shtëpinë apo shkollat. Ditën e atij që na ka ndërtuar rrugët, e as nuk festojmë “Ditën e Mekanikut”, makinën e të cilit ngasim. As “Ditën e Mjekut”, që na shëron. Madje, nuk festojmë as “Ditën” e atij që na ndërtoi nevojtoren. Duhet të largohemi nga festat formale dhe dyfytyrëshe dhe para se të mburremi me punën e huaj, ta prezantojmë tonën. Krenaria me punën e huaj, të hershme, është dëshmi për mungesën e vlerave të sotshme.

Ajo ditë i kushtohej patriotëve të pasionuar, të angazhuar dhe që punuan falas. Ka arsimtarë që kanë studiuar një lëndë tjetër dhe në shkollë japin mësime për një tjetër. Kanë blerë vendin e punës! E bëjnë nga interesi vetjak dhe kanë zënë vendin atij, që është specializuar për atë lëndë. A duhet ta festojë kjo specie “Ditën e Mësuesit?” Ka arsimtarë që kanë blerë fakultetin dhe japin mësime dhe kanë zënë vendin atij që ka studiuar me pasion. A duhet ta festojë “Ditën e Mësuesit” edhe ky matrapaz?”Ka arsimtarë, që kanë pasur raporte seksuale me nxënësen e vet. 

A duhet ta festojë “Ditën e Mësuesit” ky njeri? Nëse qenka e pranueshme që arsimtari i kimisë për shembull të japë mësime të shqipes, atëherë për ne është normale, muratori të ndërtojë makina, automekaniku nevojtore, mjeku të mbjellë speca nëpër ara...

A mund të festohet dita e këtij mësuesi, që shprehet kështu: “ valla asht ran me punu me nxansat e sodit se pa qytek nuk po marrin vesh.” Këtë mendim po ta thoshte një rrugaç, mund të kuptohej, po ta shprehte një bujk, mund të arsyetohej, por si mund ta shprehë këtë një njeri që paska qenë 16 vite në shkollë? Kjo nuk dihet. Si është e mundur që në asnjë fjalë, të mos vërehet se ky njeri, nuk është bari në Bjeshkët e Nemuna? E kjo krijesë, lexues i dashur, është drejtor i një shkolle të mesme në Kosovë!

Kudo në botë gjuha letrare apo standardi ndryshon nga gjuha e folur. Kjo gjuhë u nevojitet njerëzve të arsimuar për t’ u artikuluar më drejtë, më saktë, më qartë dhe në mënyrë më konkrete. Mafia në Itali flet dialektin napoletan, sicilian apo puljez, por nuk mund të gjendet një profesor apo arsimtar italian, që flet dhe shprehet ashtu siç artikulohet një mafioz! Tek ne, shumë mësues, në të folur, nuk bëjnë dallim nga mafiozi apo ajo që pastron nevojtoret publike!

Mund të jetë ky rezultat për mburrje sa të festojmë sot “Ditën e Mësuesit? “ Kush ka të drejtë të krenohet dhe festojë këtë ditë? Shumë mësimdhënës as që duhet ta përmendin këtë, e lëre më që ta festojnë dhe t’ i qasen asaj apo të indetifikohen me të, thjesht sepse për punën e tyre, paguhen dhe rezultati është shumë herë i mjerë dhe për dështimet tona edukative, flet keqtrajtimi grave, vrasja e tyre dhe për këtë dështim, flasin burgjet jashtë dhe brenda vendit!
Ja pse nuk duhet festuar këto dy festa, sepse katërçipërisht flasin për hipokrizinë tonë dhe është dëmtuar tej mase synimi fisnik fillestar.

(Në shtator më mori në telefon një drejtor i shkollës gjermane dhe më bëri këtë pyetje: “ Si është e mundur që dy nxënës nga Kosova, njëri për tetë vite shkollë, tjetri për nëntë, nuk kanë asnjë katërshe në dëftesë, por fund e krye pesëshe. Në Gjermani vështirë se gjendet notë mesatare 1 (5 tek ne), sepse nxënësi ka faza jetësore, ku nuk ecën si makinë, por në pubertet ka ndonjë lëndë që nuk e pëlqen - shfaqe normale - dhe patjetër duhej të ketë ndonjë katërshe apo ndonjë tresh. Apo është i shkëlqyeshëm në shumë lëndë, por nuk i pëlqen fizkultura apo gjuhët, rrjedhimisht ndonjë lëndë nga shkencat natyrore, apo thjesht historia... Me aso nota mesatare, nuk ishin as gjenitë më të mëdhenj të planetit Tokë! ”, thotë drejtori...

Për fat të keq, notat në dëftesat tona, nuk pasqyrojnë diturinë e nxënësit në një lëndë dhe në një kohë të caktuar, por pas atij suksesi, qëndron edhe prindi, lidhjet e tij, pozita, simpatia dhe arbitrariteti i mësuesit. Nuk bën për shembull djali i një politikani të pushtetshëm të ketë nota të dobëta. Kjo nuk shkon. Ka frikë edhe arsimtari apo duke i falur një notë, pret lëmoshë prej tij. Shumë herë dëftesat tona janë vetëm si dëshmi zbukurimi, ashtu si janë edhe shumë tituj të doktoraturës, por shtypja ndaj grave, burgjet, vrasjet dhe keqtrajtimi i tyre, vjedhjet e çdo lloji deri tek votat, krimi, janë notat tona, që bartim ne në dëftesën tonë që quhet : Fytyrë! Brenda dhe jashtë. Kryesisht jashtë!






Keine Kommentare: