"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

30.03.2013

Shenjat e dashurisë


Vështrova murin si një pelegrin i ngashëryer
me një trëndafil të kuq në dorë
atë mur ku qemë ngjeshur skuqur flakë
kur më pate përthekuar
dhe rrëmbyer
si fjala e bukur frymën

aty shfletova gjurmët
dhe pash afshin e dashurisë
që ngrihej përpjetë
fjolla-fjolla

ndërmjet gjetheve të thara
edhe ofshamat e lashta
verdhalashe e të murrme
të vakëta

amësimi ende aty
edhe mbresat e gishtërinjëve
kurse grimcat e dashurisë
hedhin hijen nëpër dekada
siç përplasën të tyren nëpër shekuj
Tristani dhe Izolda

në mur zemra jonë
me një shtizë ngulur mu në mes
dy iniciale të ndara
gati të shlyera
dhe tutje një datë

shënova ditën e vizitës
inicialet trash
dhe ika
ika
plot njomësi e vegime


Keine Kommentare: