"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

12.05.2013

Hashimi, Meta, Nazimja dhe Veshi, GAZETA DITA

Serbet negociator më të mirë dhe më të gatshëm për kompromis, se sa Hashimi, nuk do të kishin gjetur në Kosovë. Rezistenca dhe rebelimi i tyre, u shpërblye me një territor, ku nuk guxon të futet as ushtari kosovar. Hashimi firmosi pezullimin e sovranitetit, aty ku nisë bashkësia serbe. Ai nuk kërkoi të njëjtën bashkësi dhe barazi për Luginën. Nuk kërkoi as akusheri, as spital për shqiptarët atje. Madje, as që i shkoi mendja tek e ashtuquajtura Kosova Lindore.
Bashkësia serbe nuk quhet autonomi, por në fakt është një autonomi dhe pak më shumë. Komentet e lexuesve nëpër gazeta serbe ishin të llojllojshme. Shumë lexues serb apelonin për durim tek lexuesit tjerë duke u ngushëlluar se Kosovën e kishin humbur pesë shekuj, por e kishin rifituar. Se do ta fitojnë përsëri dhe se kjo Bashkësi e Komunave, do të krijojë histori; qenkan vënë konturat, shqiptarët do të bëjnë gabime dhe do të vijë çasti të kthehet çizmja serbe. Kështu përafërsisht kurojnë serbet krenarinë e dëmtuar.
Jeta e shtetit kosovar dhe shtetit serb varet nga BEE, por ata kërkojnë mbijetesën jashtë saj.
Dy krenari në përplasje, dy mendësi të njëjta, dy kokëfortësi dhe materialisht fituan Rusia dhe Turqia. Kosova dhe Serbia fituan mbështetje verbale nga ato dy vende. Kosova deshi i fali ekonominë Turqisë për ta fituar Thaçi mbështetjen turke, (Kosova ka mbështetjen amerikane, por jo domosdoshmërish dhe jo me çdo kusht Hashimi), të njëjtën vepër bëri edhe Serbia duke i shitur industrinë e vet Rusisë.
Nga Hashimi i dobët, delikat, fragjil dhe i frikësuar, përfitoi Turqia, tani edhe Serbia. Hashimi luftoi për ta bërë Kosovën të pavarur nga Serbia dhe e bëri të varur nga Turqia, edhe atë, duke pasur Camp Bondsteel-in brenda. Nga autonomia serbe, rrëshqiti në vilajetin turk. Integriteti fizik i Thaçit është shumë më i rëndësishëm se sovranitetit i shtetit. Kështu kanë vepruar shumë politikan shqiptarë dhe nevojën për mbështetje personale, nga gazepi personal, për përfitime vetjake, janë përpjekur ta shesin si interes nacional. Si Saliu veshin. Kjo dyfytyrësi është normë në politikën shqiptare dhe për çdo personalitet, ekzistojnë së paku dy vlerësime dhe përkufizime, që nisin nga patriotizmi dhe përfundojnë në skajin tjetër ekstrem, tek tradhtia.

Meta, Rama, Berisha
Në mënyrë stoike, në kundërshtim me bindjet e votuesve të vet, mbështeti Berishën, të djathtën e një stalinisti. E bëri për inat, i yshtur nga motive të ulëta, nga karrierizmi, i qëndroi pranë para, gjatë dhe pas vrasjes së katër shqiptarëve. Duroi të vidhen votat në Tiranë. Partia e tij nuk perceptohej më si e majtë, por si patericë e Berishës. Sikur ajo parti të kishte mbetur deri në fund me mazhorancën, atëherë do të kishte ngelur pa votues. Meta kuptoi çastin dhe iu bashkëngjit taborit të majtë, jo pse dëshiron të fitojë Edi Rama, jo pse i kanë bërë presion nga bota e jashtme, jo pse është penduar, por thjesht se kjo ishte mënyra e vetme për ta shpëtuar partinë e vet dhe dezinfektuar nga berishizmi. Berisha ka humbur avokatin e vet Berlusconi në Itali dhe shanset e tija për t' i fituar (vjedhur) zgjedhjet, janë zvogëluar shumë. As qeveria italiane, as ajo greke, nuk ka më atë fuqi përligjëse në BE për devijimet eventuale të Berishës.
Pyetja që duhet shtruar është kjo: a duhet besuar Ilir Metës?
Koalicionet para zgjedhjeve janë shprehje e nervozës, e pafuqisë, e ambicioneve ekstreme, sepse bindjet majtas dhe bindjet djathtas, janë gati si bindjet fetare dhe nuk mund të ndryshohen aq lehtë dhe aq shpesh. Zakonisht për koalicione të tilla, para zgjedhjeve, si kjo me Metën, duhej pyetur edhe anëtarësia. Anëtarësitë tek partitë shqiptare trajtohen si kope. Si tufë. Sidoqoftë, nëse fiton Edi Rama, do të ndihmonte shumë edhe Partinë Demokratike. Ajo do të çlirohej nga despotizmi i Berishës, nga stalinizmi i brendshëm në parti dhe do të bëhej një parti normale. Mundësia më e madhe mirëpo është fragmentarizmi i saj, edhe atë, për shkak të mungesës së një figure paternaliste, një patriarku shtypës, dominues, nënshtrues dhe rigoroz. Kështu është stërvitur anëtarësia e PD-së.

Veshi diplomatik
Edi Rama shkuli veshin një diplomati, (duhet shkulur edhe shumë të tjerëve, ka shumë diplomat shqiptarë që nuk flasin dhe gjuhën e vendit ku ushtrojnë detyrën) dhe e bëri të famshëm atë dhe poseduesin e tij. Berisha nuk ngriti komision parlamentar për shqiptarët e vrarë më 21 janar para Kryeministrisë, por ngre komision për të konstatuar dëmin e shkaktuar ekonomisë dhe republikës shqiptare veshi diplomatik. Nëse Rama fiton zgjedhjet, atëherë ai vesh demokratik, si dhe pronari i veshit, do të fitojnë shumë vlerë dhe mund të futen në historinë shqiptare. Ndoshta Edi Rama do të jetë Kryeministri i parë, që mori masa konkrete kundër diplomacisë tribale.
Nazime Visha dhe administrata shqiptare
Gjykata shqiptare u dërgoi një sinjal grave shqiptare. Për to nuk do të ketë kompromis dhe nuk do të ketë mirëkuptim. Specia sipërore burri, nuk guxon të preket. Ai është zot i evolucionit dhe zbulues dhe krijues i hyjnive. Ai është Hyu vet.
Nazimja ka mundur të gjykohet edhe sipas ligjit për të rinjtë dhe t' i mundësohej rikthimi në jetë. Në Gjermani ka ligje të tilla dhe zbatohen për të rinjtë nga mosha 18 deri në 21. Shumë herë pjekuria varet nga shumë faktorë, prandaj një gjykatës vendosë cili ligj duhet të merret në konsiderim. Fëmijët nuk mund të konsiderohen të moshës madhore vetëm pse parasheh ligji këtë, jo gjithmonë, shumë herë jeta e fëmijëve, kushtet, familja, rrethi, ndikojnë në pjekurinë e tyre, përkatësisht në retardimin.
Nazimja tregonte shenja të tilla, të papjekurisë. Në sytë e asaj zonjusheje shihej trishtimi fëmijëror, pendimi dhe manipulimi. Manipulim nga partneri.
Në sytë e gjykatësit reflektohej shteti shqiptar; inekzistent, i lodhur, i rraskapitur, i përgjumur, me plot vegime dhe halucinacione, i cili tregon ashpërsinë e vet duke u bazuar vetëm tek përkatësia sociale. I dobëti mund të gjykohet. Jo i forti. Vet fakti se zonjusha nuk kishte denoncuar, flet për frikën që i ishte imponuar. Ajo ishte kërcënuar me vrasje. Shihet se partneri e kishte sugjestionuar dhe ajo përmbaroi veprën nga e cila tmerrohej vet. Ajo ishte manipuluar prej tij. Ajo kishte një personalitet të brishtë, të pa pjekur, të penguar, të sugjestionuar, të dezorientuar dhe të trishtuar. Nga kjo ngarkesë emocionale, ka vepruar. Ajo duhej trajtuar si e mitur dhe nuk mund të gjykohej si një burrë i moshës madhore. U gjykua, u dënua dhe u dëmtua ajo vogëlushe, sepse i mungonin lidhjet me shtetin fisnor. Ajo ka bërë një vepër shumë të ligë, si fëmijë, gjykata bëri një akoma më të ligë, nga njerëz të rritur dhe të arsimuar.
Gjykata shqiptare nuk ka dënuar njeri për katër shqiptarë të vrarë në rrugë, por sakatoi jetën e një zonjushe të papjekur. Vendimi i vetëm i drejtë ka qenë masa edukative, profesioni i detyrueshëm dhe rikthimi në shoqëri. Shteti ka për detyrë të ndihmojë të rinjtë, të miturit të riintegrohen, jo t' i bëjë të papërdorshëm për jetë. Kjo mirëpo nuk mund të pritet në shtetin e Berishës. Ai ka bërë shumë gabime, por akoma jo të gjitha. Do t' i bëjë edhe disa tjera. Ambicia, mania për pushtet do ta detyrojnë. Obsesioni dhe idetë fikse. E pastaj, fundi i fundit, nuk është në natyrën e despotëve të tërhiqet pa rrënuar veprat e veta.

Gazeta DITA dhe ResPublica



2 Kommentare:

Anonym hat gesagt…

E pastaj, fundi i fundit, nuk është në natyrën e despotëve të tërhiqet pa rrënuar veprat e veta.Me kete fjali i nderuari LIS kuptohet se je i madh sa nje lis Te lumt

Lis Bukuroca hat gesagt…

Të falenderoj Shapt për komentin dhe përshëndes...