"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

23.08.2013

Dashuritë e para, Revista OBELSIK*

Arbeni kishte përsëritur dy herë klasën. Një herë në të tretën, një herë në të katërtën dhe kështu në klasën e pestë, ishte gati katërmbëdhjetë vjeç. Nuk pat ngelur në klasë pse nuk i pëlqente mësimi, përkundrazi, por Arbeni shumë herë nuk mund të vinte në shkollë. Ai duhej të punonte tek ara dhe në shtëpi. Klasa kishte njëzet e dy djem dhe njëmbëdhjetë vajza. E donim shumë arsimtaren e matematikës, por matematikën fare. Ajo kur shkruante në dërrasë, ngrehte dorën lartë dhe kështu i grihej fustani dhe shfaqeshin kofshët e bardha. Shumëzimi, ndarja, kllapat, trekëndëshet e katërkëndëshet, nuk ishin më të bukur se këmbët e saja. Vështrimi jonë përqendrohej jo tek dërrasa e zezë, por tek këmbët apo kofshët, edhe kur ulej.
Një ditë Arbeni më dëftoi se ndjehej i dashuruar në arsimtaren. U rrëfeva edhe unë dhe ai u ndje shumë xheloz.
- „Nuk është mirë me dasht na ni gru, na jena shokë“, më tha.

Mendova se po tallej, por ai e kishte seriozisht dhe atë ditë desh u rrahëm. Në fund lëshoi pe dhe tha se unë, mund të admiroja këmbën e majtë të saj, ai të djathtën, dhe këtë, po e bënte sepse ishim shokë, përndryshe nuk do ta kishte ndarë arsimtaren kurrë me dikë tjetër. Ai madje tha se ndarjen mund ta bënte edhe ndryshe, por nuk e bën; për shembull, ai prej belit e teposhtë, unë përpjetë. U ndjeva i kënaqur me zemërgjerësinë e tij dhe me ndarjen e drejtë. Kjo gjendje vazhdoi disa ditë dhe kur flisja unë për këmbët e saja, ai bëhej nervoz dhe pas një grindje të madhe, vendosi ta lëshojmë arsimtaren dhe të shikojmë vajza tjera të shkollës. Për t' i mënjanuar telashet, që mund të pasonin, si rënien në dashuri përsëri në vajzën e njëjtë, Arbeni tha se duhet ta ndajmë shkollën në dy pjesë. Ai mund t' i shpallte dashuri vajzave të katit të dytë, domethënë të klasës së gjashtë dhe shtatë, kurse unë, të katit të parë, domethënë të klasës së pestë. Klasat e teta ishin në godinën tjetër dhe mbetën të lira, pa kontroll. Ato i quante Arbeni të përdala.
Në katër klasë Arbeni zaptoi për vete diku mbi dyzetë vajza, për mua mbetën vetëm njëzetedy. Ai ishte më i gjatë, më i fortë, më i shpejtë dhe mori përsipër detyrën e mbikëqyrjes dhe pengimin e tjerëve, nëse merrnin guximin të adhuronin ndonjë vajzë të kateve tona. Dy javë rresht, gati çdo ditë mbështeste ndonjë çun për muri, i kërcënohej, i kërcëllonte dhëmbët, ua merrte letrat dhe dashuria e tyre përfundonte. Një ditë prej ditësh i tregova se Blerina më ishte buzëqeshur dhe më pëlqente shumë. Ishte nga klasa tjetër, nga kati im dhe nga klasa e pestë.
- „Oho, po ku pi xhen be bash ato që m' pëlqejnë edhe mu“, më tha ai. Sipas marrëveshjes së parë, Blerina bënte pjesë në katin tim dhe ai nuk duhej të fuste hundët, por Arbeni nuk respektonte shumë edhe rregullat e veta. Ishte i fuqishëm dhe kur shihte se ndonjë vajzë ecte e lazdruar, thoshte: „Ksaj i duhet knusi! Zogëza po ban kokodek!“
Një ditë derisa po shkëmbenim fotografi e futbollistëve në oborrin e shkollës, u afrua Blerina dhe na pështyu para këmbëve duke hedhur skrupull dy letra. Ne u hodhëm përtokë për t' i marrë ato.
Ai u largua ca dhe lexoi letrën:“„Unë kam qef m' u martu me ty...“ dhe ia plasi gazit duke shtrënguar barkun. Unë ia mora nga dora dhe duke u fshehur pas një grumbulli të shokëve të klasës, lexova letrën e tij:„Unë ha speca e turshi, por pa ty kurrë nuk rri!“
Blerina u kthye edhe një herë tek ne, e veshur bukur si një princeshë dhe tha: „Pisa, dreçën! Me shti edhe ni herë letra në çantën teme, i kallxoj arsimtarit, edhe babës!“
“Kuku na trishtove“, tha Arbeni. Unë heshta i skuqur. Blerina iku e zemëruar.
Nxituam në klasë dhe arsimtarja e matematikës nisi me numrat e mërzitshëm. Ne edhe pse e patëm lëshuar atë dhe nuk ishte më e jona, përsëri shikonim vetëm këmbët e saja. Kur ajo ngrinte zërin, ne ulnim kokën dhe shkruanim në fletore.
Të nesërmen pasdite biseduam përsëri dhe ai ishte i mendimit se duhet ta lëshojmë edhe Blerinën. Unë kundërshtova, por ai ngulte këmbë duke numëruar vajzat tjera dhe duke thënë se ato ishin më të bukura se ajo. Se kishin çantat më të mira. Se kishin biçikleta. Se kishin flokë më të bukura. Se ishin më të lehta se ajo. Se pështynë si rrugaçe. Pastaj tha se Blerina kishte fustanin me bizele të vogla, tjerat me trëndafila apo gjethe të ndryshme.
Nuk ndana nga Blerina” i thash me vendosmëri. Me Arbenin ishim fqinj, shkonim edhe në grupin letrar së bashku, ku shkruanim poezi dhe çdo ditë, niseshim apo ktheheshim nga shkolla së bashku. Gjatë rrugës për në shkollë, më pyeti a kisha fjetur mirë. Unë pohova.
- „ E shef, ti nuk je i dashurum. Mu nuk u ka zanë xhumi deri në midis të natës“, më tha. Më tregoi se ishte ngritur katër herë dhe desh e kishte rrahur vëllai i madh, të cilin e kishte zgjuar duke dalë për t' u shëtitur nëpër korridor. Kjo më bëri shumë xheloz dhe vendosa të mos i flisja më. Madje, nuk kishte bërë as detyrat. Arsimtari i gjuhës shqipe ia shkuli veshin, i ra katër herë me vizore në duar dhe iu kërcënua, se do t' i tregonte edhe babait të tij. Arbeni duroi rrahjen dhe nuk tregoi as kokërr frike. Madje, kur arsimtari ktheu shpinën, ai nxori gjuhën pas tij dhe i hodhi një vështrim shokëve. Klasa uli kokën.
U kthyem në shtëpi gjersa ai ecte në trotuarin e majtë, unë në të djathin dhe herë pas here përvidhnim njëri tjetrin me vështrime. Pasdreke unë dola para shtëpisë dhe u ula tek një gurë, ku zakonisht babai luante shah me fqinjët. Pas disa minutave doli edhe ai para shtëpisë së tij, që gjendej nja njëzet hapa larg. Unë vizatoja me një shkop para vete duke gërryer dheun, pas pak nisi edhe ai të vizatonte me një thupër, që mori nga pema e oborrit. Pas një çerek ore, u ngrit dhe me hapa të vegjël dhe mendueshëm, duke tërhequr thuprën pas vete, m' u afrua.
- „Nuk asht mirë m' u prish dy shokë për ni nuse...“
Unë tunda vetëm kokën.
-“ A pajtomi?”
Unë mezi prisja dhe i shtriva dorën.
- “Kshyr ktu“ më tha.“Po bojna si burra, shko merre thikën e drunit që i kemi ndreçë, pe marrë edhe un, kush fiton, e merr Blerinën!“
Ngrita kokën dhe e vështrova duke u menduar. Ai ishte më i fortë, më i madh dhe vrik më ra ndërmend shpata e vëllait me majë shumë të hollë. Ai nxitoi drejt shtëpisë, drejt shtëpisë vrapova edhe unë. Kur pa ai shpatën time, nuk pranoi dyluftimin dhe ngulte këmbë të merrja thikën e drurit. Biseda zgjati bukur shumë dhe në fund, Arbeni propozoi një zgjidhje tjetër. Ai tha se mund të lëndohemi dhe kështu përfundojmë në burg që të dy. Blerina qanë për ne dhe ajo nuk kishte merituar këtë trishtim. Unë pranova. Kisha frikë nga zhgënjimi i Blerinës dhe nga burgu. Ideja e tij ishte të shkonim tek shtëpia e xha Musës, në fillim të lagjes, shtëpi e papërfunduar akoma, të hipnim në ballkon dhe prej atje të pshurrnim dhe kush e hidhte më larg, mund ta merrte Blerinën për vete.
Pa një pa dy vrapuam dhe me shumë vështirësi hapëm derën me një kaçavidë. Dhoma shpinte tek ballkoni, ku do të niste dyluftimi. Ne tryezë gjetëm një shishe me lëng të dardhave, e pimë atë, vizatuam Blerinën në mur me një laps që gjetëm aty, vizatuam zemra me emrin e saj, por jo tanët se nuk dihej kush fitonte dhe u nisëm drejt ballkonit. Arbeni zgjodhi anën e djathtë, unë të majtën. Shkallët i zgjodhi për të parë më lehtë se sa larg kishin arritur pikat.
Sapo nisëm, poshtë doli nga korridori Xha Musa me një thes në shpinë dhe drejt e nën currilin e Arbenit. Ai lëshoi me vrull thesin në shkallë, ngriti kokën për të parë nga pikonte befasia dhe unë duke u munduar të përfitoj nga pengimi i Arbenit, drejt e mbi fytyrë.
Xha Musa vrapoi shkallëve përpjetë i tërbuar duke sharë, ne mbetëm të shtangur në ballkon. Menduam të kërcenim, por djathtas nga shkallët gjendej një gropë gëlqere, majtas dërrasa, drunj dhe tulla të thyera. Na tërhoqi për veshë në dhomë dhe aty na mbajti një fjalim shumë të madh. Sharjet i sqaroi dhe plotësoi edhe me disa shpulla, pastaj na lidhi duart me një litar, që kishin lidhur një kovë dhe atë litar të gjatë, e hodhi mbi tra dhe e lidhi nyjë edhe atje.
- „Unë po shkoj të lahem tek shpia e vjetër, kur të kthena, ose ju dërgoj tek prindërit, ose në polici“, tha ai dhe tërhoqi derën pas vete. Arbeni i duroi shuplakat në mënyrë heroike dhe duke e parë në sy. Unë gazova duke qarë. Fytyrëngrysur shikonim njëri tjetrin me pantallona të hapura poshtë dhe nuk folëm një copë herë. Ai krenar shihte tavanin pa frikë, unë akoma me lot faqeve. Pas një heshtje të madhe, Arbeni foli:
- „Na jena burra, viç burrat mujn me ra në kët derexhe. Mos u tut!“
- „ Po de...“, thash duke mbledhur buzët.
- „Pe lishojna edhe Blerinën!“, shtoi ai.
- „ Edhe Blerinën!“ piskata me keqardhje. Ai më vështroi në sy dhe pas pak shtoi:
- „ A shef shka na xhet për Blerinën, ajo i ka fajet.“
Unë heshta duke tundur kokën në shenjë pajtimi.
Kaloi shumë kohë dhe Xha Musa nuk kthehej. Aty pak para se të binte muzgu në oborr, u dëgjua një bisedë dhe pastaj hapat nëpër shkallë. Ishte larë, krehur dhe rruar bukur Xha Musa. Na zgjidhi duart, na fali edhe një shqelm bythëve dhe bërtiti:“Përjashta!“
Ne vrapuam shkallëve teposhtë. Në oborr takuam edhe Blerinën, që priste të atin. Na përcolli me një vështrim pjerrtas, përbuzës, solli kokën disa herë dhe pështyu: „tpfu! Pisat e dreçit!“
- „E humbëm krejt burrninë”, tha Arbeni deri sa po dilnim nga oborri.
- „Na u mor ftyra!“, shtova unë. Xha Musa nisi t' i bërtas Blerinës pse kishte shkruar emrin dhe vizatuar në mur. Para se të iknim në shtëpi, Arbeni propozoi ta rishikojmë krejt planin. Mendimi i tij ishte ta lëshojmë shkollën në liri dhe, le t' i shpallë dashuri kush kujt të dojë. Kjo ishte një risi e madhe. Shkolla sallamadi.
Pas një muaji, u gjendëm së bashku para drejtorit, me letra dërguar dy vajzave dhe ne i plasëm vajit duke mohuar autorësinë. Këtë herë qau edhe Arbeni dhe u ndjeva aq keq, sa qaja qëllimisht më shumë se ai. Drejtori me një vizore në dorë, mori dy letra, dy lapsa dhe tha:„ Shkruani këto vargje, shkoni tek tavolina ime:

“Si topi asht dashnia
sillet e mshtillet e kap daia
po kshyri tavanin
nuk flej pa ty
eja mëri eja Liri...
A., poet i shkollës.”

„Tjetra“, tha drejtori:

“Të pash andër oj Leonorë
tu u puth me ty në çdo orë
ishte mirë, ambël si tatlia
un t' kallxoj çka asht dashnia...
N. poeti“

Ai mori letrat dhe i krahasoi dorëshkrimet. U ulë në tavolinë e punës, lëshoi vizoren mbi të dhe tha: - „Sot është e premte, do të rrini me një këmbë pas dere deri të hënën, nëse nuk pranoni fajin.“ dhe shfletoi një libër duke vënë syzat e leximit. Pas disa minutave, unë pranova fajin. Disa çaste më vonë, edhe Arbeni pasi më këqyri plot zhgënjim.
As për ballkonin, as për letrat, nuk treguam kurrë në shtëpi, por kishin marrë vesh të gjithë dhe ditëve të para na vështronin me tallje të rriturit e lagjes dhe sillnin kokën.
- „Kur po na thirrni në dasmë?, pyesnin më të moshuarit dhe qesheshin. Ngacmimet dhe ngucjet, nuk pushuan disa ditë, madje recitonin edhe poezitë tona, kurse në muret e oborrit të shkollës, kishin shkruar:” Dashuria është top, puthja tatli“, nën të, inicialet tona: A. dhe N., poetët e shkollës...

Tregim u shpall njëri nga tre tregimet më të mira të vitit 2013 nga revista letrare OBELISK


Keine Kommentare: