"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

25.11.2013

Mbyllni Prokuroritë, GAZETA DITA

Prokuroria si organ i akuzës ka për detyrë të kujdeset për zbatimin e ligjit. Ajo duhet të nisë hetimin e veprave penale apo kundërvajtjeve, kur ekziston një dyshim i bazuar dhe kur është në dobi të interesit publik; për ruajtjen e paqes në shoqëri. Prokuroria e Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekzistojnë si institucione me detyra të përcaktuara nga kushtetuta. Këto organe, në Kosovë dhe Shqipëri, edhe nëse mbyllen, mungesën e tyre, nuk do ta ndiente njeri. Fjalinë e fundit shkrova tek muri i shkrimtarit Xhemal Ahmeti, që shqetësohej me moskokëçarjen e prokurorive shqiptare. Më poshtë keni disa nene nga Kodi Penal i Shqipërisë, i ka edhe Kosova, nene që shkilen çdo ditë, qoftë në jetën e përditshme, qoftë nëpër gazeta, qoftë me shkrime online, qoftë në youtube.
Në ato nene përkufizohen mirë veprat penale, por këtë nuk e dinë prokuroritë, ndoshta nuk i kanë lexuar.
Nëse prokuroritë shqiptare vazhdojnë në mënyrë stoike, si deri tani, me injorimin e Kushtetutës dhe moszbatimin e ligjit, atëherë ato duhet të mbyllen dhe të mos dëmtojnë tatimpaguesin me rrogat e veta. Nëse mbeten si janë, atëherë janë vetëm dekoracion institucional. Kodet Penale tona, ndalojnë kërcnimin edhe në internet, ndalojnë racizmin, ndalojnë fyerjen dhe shpërndarjen e informatave raciste edhe në shkrime online. Kodi Penal shqiptar ndalon edhe shpifjen, ndalon përndjekjen, në mes të tjerash.
Dhuna ndaj bashkëshortes dënohet nga 1 deri në pesë vjet burg. Ndalohet keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari... Tolerimi i skemave piramidale dënohet me 20 vite heqej lirie. Kur qe konsumuar kjo vepër penale, që çoi në shembjen e shtetit, nuk ekzistonte ligji. Ndalohet plagjiatura, vjedhja e pasurisë intelektuale dhe pirati, sikur të kishim prokurori, do të dënohej deri në 2 vjet burg dhe humbte të drejtën për të qenë profesor universiteti. Në vendin e tij, do të punësohej ai që e meriton, jo ai që kishte para për ta blerë emërtimin doktor i shkencave. Këtë vepër penale më së miri kanë konsumuar doktorët e shkencave, por prokuroritë tona, në aspektin intelektual, nuk janë në gjendje të merren me këtë krim. Me ato mediokritete merren nenet 143A, 148 dhe 149. Në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri kemi shumë shembuj të tillë. Këta njerëz janë të rrezikshëm për paqen publike dhe përparimin e vendit. Me pallatin e Lulzim Bashës merret neni 199 dhe 200. Për atë vepër meritohen 5 vite burg apo në rrethana tjera, neni 200, dy vite.
Neni 210 ndalon marrëveshjen për dorëzim territori një shteti të huaj dhe për një marrëveshje eventuale si ajo e Detit Jon me Greqinë, Kodi Penal parasheh 5 deri në 10 vite burg.
Deri në 3 vite heqje lirie mund të dënohet ai që bën thirrje publike për dhunë, neni 223.
Neni 232B merret me kanosjen serioze për kryerjen e veprave për qëllime terroriste dhe ajo kanosje, meriton 8 deri në 15 vjet burgim. Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve gjobë ose deri në 10 vite. Thirrja për urrejtje nacionale gjobë ose deri në pesë vite burg. Bazuar në nenin 267 mund të arrestoheshin organizatorët e protestës kundër armëve kimike, sepse duke mos pasur njohuri bazë për to, ata kishin përhapur panik tek njerëzit. Kodi Penal duhet mësuar në shkollë, vetëm kështu mund të çrrënjoset primitivizmi me kërcnime, sharje dhe denigrime, që janë aq të familjarizuara, sa përjetohen çdo ditë edhe në shtëpi, edhe ndaj fëmijëve apo grave, pastaj na shfaqen edhe në shtyp dhe internet. Kjo gjendje poshtërsie në shprehje dhe shkrime, kjo subkulturë, nuk bazohet as në të drejtën zakonore, por është dukuri e rrugaçëve, të cilëve u lejohet një platformë për të shprehur mllefin e tyre dhe edukatën e munguar.
Nenet më poshtë janë nene për të cilat prokuroritë shqiptare, nuk dinë se ekzistojnë dhe ato, në mënyrë më absurde shkelin Kushtetutën, edhe atë, më shumë se sa kriminelët. Ata paguhen për ta mbrojtur shtetin ligjor, rendin demokratik, jo për ta rrënuar dhe dremitur:

Neni 84
Kanosja
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje
penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 84/a
Kanosja me motive racizimi dhe ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 12)
Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, që i bëhet një personi, nëpërmjet sistemeve
kompjuterike, për shkak përkatësie etnike, kombësie, race apo feje, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 119
Fyerja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 32)
(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)
Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë
mijë gjer në një milion lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.
Neni 119/b
Fyerja me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik
(Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 13)
Fyerja e qëllimshme publike, nëpërmjet sistemit kompjuterik, që i bëhet një personi, për shkak të
përkatësisë etnike, kombësisë, racës apo fesë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 120
Shpifja
(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 33)
(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)
Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që
cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën
kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”
Neni 121/a
Përndjekja
(Shtuar me ligjin nr. 23/2012)
Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i
shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet.
Kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi që ka pasur lidhje
shpirtërore me të dëmtuarin, dënimi rritet me një të tretat e dënimit të dhënë.
Kur kjo vepër kryhet ndaj të miturit, gruas shtatzënë ose një personi të pazotë për t’u mbrojtur, si
dhe kur kryhet nga një person i maskuar ose shoqërohet me mbajtjen ose me përdorimin e armëve, dënimi rritet deri në një të dytën e dënimit të dhënë.
Neni 124/b, por edhe 123A
Keqtrajtimi i të miturit
(Shtuar me ligjin nr.9859, datë 21.1.2008, neni 2)
(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)
Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari
ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet. Detyrimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij dënohet me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion lekë. Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 130/a Dhuna në familje (Shtuar me ligjin nr. 23/2012)
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet. Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish- bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet. Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po këto vepra të kryera në mënyrë të përsëritur dënohen me burgim nga një vit gjer në pesë vjet.
Neni 143/a
Skemat mashtruese dhe piramidale (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 43)
Organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 148 Botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 45)
Botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 149 Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 46)
Riprodhimi tërësisht ose pjesërisht i veprës letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, ose përdorimi i tyre pa pëlqim të autorit, kur kanë shkelur të drejtat vetjake e pasurore të tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 199 Shpërdorimi i tokës
Shpërdorimi i tokës në kundërshtim me destinacionin e saj përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Neni 199/a Ndërtimi i paligjshëm (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 21)
Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 200 Pushtimi i tokës
Pushtimi i tokës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Neni 210 Marrëveshja për dorëzim territori
Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Neni 223 Thirrjet publike për veprime të dhunshme
Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 232/b Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 19)
Kanosja serioze për kryerjen e veprave për qëllime terroriste, që i bëhet një autoriteti publik, edhe të një shteti tjetër, institucioni apo organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Neni 265 Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve
Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.
Neni 266 Thirrja për urrejtje nacionale
Vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 267 Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik
Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.



Keine Kommentare: