"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

27.05.2014

Magjistari, Gazeta TRIBUNA

Qytetarë të dashur, Qeveria ime me “Mision i Ri” do ta kënaq dhe lumturojë popullin e Kosovës. Para ca ditësh kemi shkarkuar një „update” të ri dhe jemi aktualizuar tërësisht. Partia ime tani e tutje mund edhe të quhet „iHashim.“ Ishim të majtë dhe gati të pa fe, me shkopin magjik bëra krejt anëtarësinë të djathtë dhe me fe dhe përfituam edhe zotin në anën tonë.

Zonja dhe zotërinj, deri më tani kemi bërë hapa kolosal dhe aftësia jonë, nuk mund të matet me kandar, as pasioni që kemi për të ndërtuar shtet, nuk shteret kurrë. Ne kemi ndërtuar një shtet ligjor, që nuk njeh shëmbëllim tjetër në botë. Meqenëse kemi përfunduar shtetin, aty nuk kemi më çfarë të shtojmë, tani do të kërcejmë në ekonomi. Suksesi jonë i madh është edhe shitja e ekonomisë shtetërore, që dëmtonte Kosovën. Që na ishte bërë kancer.

Duke shëtitur nëpër Kosovë, qytetarë të dashur, kam parë dhe dëgjuar brengat e popullit tim. Kjo më nxiti të mendoj më gjatë, më thell dhe gati mbeta dje pa gjumë: shumë djem kosovarë, votues të zellshëm, nuk janë të martuar. Qeveria ime mori kontakt me Mark Zuckeberg dhe morëm premtime se çdo kosovari, do t' i lehtësohet mundësia për të gjetur nuse sipas dëshirës. Tani për tani kemi 200.000 nuse në dispozicioni dhe kosovarët mund të marrin nga dy gra, sepse kur të punësohen të gjithë, njëra grua kujdeset për fëmijët, tjetra për prindërit. Anëtarët e PDK-së qytetarë të mirë, mund të marrin edhe nga katër. Na duhen. Dy tjera mund t' i dërgojnë në punë, sepse pas rizgjedhjes time, do të na mungojë shumë klasa punëtore. 

Përveç kësaj qytetarë të ëmbël, kam marrë vendimin që ne të eksportojmë në mënyrë masive peshk. Peshku jonë i cilësisë dhe shijes më të lartë në rajon, është peshk me kombësi kosovare dhe mund të gjendet vetëm nëpër ujërat e shumta të Kosovës: nëpër liqenet tona ujëkthjellët, nëpër lumenjtë e kulluar dhe të panumërt dhe në pjesën tonë bregdetare në Durrës. Ju mund të pyesni se çfarë bëjmë kur Europa na e blenë tërë peshkun? Edhe për këtë kemi menduar. Qeveria ka marrë një vendim urgjent të blejë peshk të ngrirë nga Serbia, ta shkrijmë në Kosovë dhe ta shesim në Europë si peshk të freskët. Fitimi për ekonominë e Kosovës, është marramendës qytetarë të ndritur. Dhe pa dyshim, disa mijëra vende të punës, do të krijohen edhe në sektorin bankar. Do të na duhen mijëra veta që do të merren me numërimin e parave. 

Duke ecur nëpër Kosovë qytetarë të urtë, duke bërë qindra kilometra me makinën e blinduar dhe duke bërë mijëra hapa me këmbët e mia të gjata, munda të konstatoj edhe një përparim: në vitin 2007 Kosova kishte vetëm 42 hektarë tokë me dredhëza, sot qytetarë besimplotë, kemi rrum 163 hektarë. Kjo vëllezër të dashur, është tregues se Qeveria zhvilloi bujqësinë më shumë se vendet që kanë shtet me traditë të gjatë. Me dredhëza qytetarë të bukur dhe të mirë, ia kaluam dhe Lihtenshtajnit. Këtu nuk përfundon suksesi. Ne kemi marrë edhe një vendim shumë human: familjet që janë kërcënuar nga varfëria e madhe, tash e tutje mund të blejnë dredhëza kosovare dhe ju bëfshin mirë.

Duke zbritur nga niveli dhe duke dashur ta ndjejë pulsin e miletit, bëra disa kilometra plot lodhje e mundim, edhe me tren. I rraskapitur dhe djersitur pash Kosovën tonë të bukur, pyjet tona, lepujt, ujqërit, arinjtë nëpër malet e Republikës, që jetonin plot lumturi dhe hare. Hareja në këtë Republikë, u shquhej kafshëve të egra në turinj. Gjatë këtij udhëtimi qytetarë madhështorë, më shkrepi një ide gjeniale: do ta ndërtojmë hekurudhën më të hijshme në rajon, thash vet me vete. Pas rizgjedhjes time, ju mund të udhëtoni në Perëndim me tren, rehat dhe pa zbritur askund. Prishtinë - Athinë, ta vizitoni Akropolisin. Prishtinë - Berlin, ta vizitoni Portën e Brandenburgut. Prishtinë - Paris, ta vizitoni Luvrin, dhe për pushime, pasi që jeni lodhur shumë nga udhëtimet, linjën direkt Prishtinë-Split dhe Venedik. Medoj se nuk ka asgjë që flet kundër asaj se kosovarët duhet t' i kalojnë pushimet edhe në bregdetin e Dalmacisë dhe Italisë. Me përfundimin e kësaj hekurudhe, qytetarë të dashur, do të krijojmë edhe 400.000 vende të reja pune, si psh: 200.000 në Gjermani, 100.000 në Zvicër dhe 100.000 nëpër vendet e Beneluksit dhe vendet Skandinave. Negociatat po vazhdojnë me vrull dhe hov të madh me qeveritë e atyre vendeve.

Popull trim dhe legjendar, nëse këta kosovarë marrin vetëm nga një kilogram me dredhëza me vete dhe shesin rrugëve ose nëpër tren, do të kemi në buxhetin tonë 400.000 euro më shumë. Nëse marrin edhe nga një kilogram peshk me vete, do t' i kemi së paku 800.000 euro. „Misioni i Ri” qytetarë të dashur, nuk përfundon as këtu. Ne do të investojmë 1.5 miliard euro në ekonominë kosovare. Ku gjendet kjo shumë e madhe parash? Gjendet nëpër bankat e huaja. Vetëm duhet t' i marrim. Janë parat tona dhe bashkëpunëtorët e mi, së shpejti, do të nisen me thasë të zbrazëta dhe kthehen me thasë plot. Unë ju granatoj transparencë.

Por edhe këtu nuk përfundon misioni i ri dhe „iHashim“: ne do të eksportojmë në mënyrë masive dhe këpucë. Europës i duhen qindra milion këpucë dhe këtu shohim shansin tonë për përparimin e Kosovës. Ne me prodhimin e këpucëve kemi kapërcyer edhe shtete europiane, si San Marinon për shembull. Qytetarë të dashur, ju mund ta ndihmoni ekonominë tonë shumë. Sa herë të dilni jashtë Kosovës, tregojuni njerëzve që keni pranë, se këpucët janë kosovare, nga lëkura kosovare dhe me kombësi kosovare. Publiciteti që do t' u bëhen këpucëve tona, do ta ndihmojnë edhe Europën të ecën para. Doktorët e shkencave në Kosovë kanë konstatuar se këpucët tona, janë shumë më të shpejta, se sa ato që prodhohen jashtë. Edhe me prodhimin e këpuceve kemi lënë pas vete shtete europiane, si Vatikanin për shembull. 

Para se ta mbyllë këtë “Mision të ri”, qytetarë ëmbëlak, dua t' ju them në besim edhe një plan sekret: Qeveria ime ka marrë vendim që të rrisë numrin e doktorëve të shkencave. Jo duke vjedhur, por duke marrë nga interneti. Ne kemi shumë Universitete dhe duhet të hapim edhe dhjetëra tjerë për studentët e jashtëm, që do të studiojnë me pagesë tek ne. Mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse çdo familje shqiptare, ka edhe një doktor të shkencave. Ju meritoni këtë popull i nderuar.

Qytetarë krenarë, për ta kënaqur dhe shkrirë miletin nga kënaqësia në këtë mirëqenie, që kemi pranë derës, kuptohet nëse më votoni, Qeveria ka në plan që çdo familje të ketë poetin e vet dhe të gjithë ata që shkruajnë poezi në facebook, të paguhen me 400 euro në muaj. Me këtë akt sublim, papunësia në Kosovë, bie nën zero dhe ja pse na duhen edhe më shumë se një nuse; burrat do të shkruajnë poezi, gratë do të punojnë. Sipas parashikimeve të ekspertëve të ekonomisë, neve do të na mungojnë dhjetëra mijëra punëtorë. Po bëjmë negociata të rrasëta me Sali Berishën dhe do të punësojmë specialistët më të mirë që ka Europa, por që përjashtoi Edi Rama. Shkurt e qartë, qytetarë loçkomana, pasi të rivotohem unë, ju do të jetoni në ekstazë permanente. Unë ju garantoj këtë. Ju falemnderit për përqëndrimin, vëmendjen dhe besimin. I juaji përgjithmonë, iHashim.
---
Më shumë nga Lis Bukuroca:



Keine Kommentare: