Me
katër maj të vitit 1980 vdiq shoku Tito. Po e quaj me përkëdhelje
shoku Tito sepse Rexhep Qosja e konsideroi si njeri të mirë për
shqiptarët. Tito qe përpjekur të jetë pikë së pari i dashur për
serbet dhe tok me Rakoviqin, nga viti 1953 iu
rikthyen programit të Çubrilloviçit
mbi “Dëbimin e Shqiptarëve” dhe deri në vitin 1966, dëbuan së
bashku në Turqi 452.371 shqiptarë. Për ta përforcuar pozitën e
tij, u bë edhe dhëndërr i Serbisë.
Në
vitin 80 patën qarë shumë shqiptarë për të. Televizionet
dhe radiot përsërisnin vargjet:” Shoku Tito ne të
betohemi, se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi...” Në
vitin 81 stafeta e tij kremtohej në qendër të Prishtinës, ne tek
mensa e studentëve protestonim kundër
diskriminimit. Kur
parakaluam pranë
Institutit Albanologjik, pamë se Rexhep Qosja na
vështronte nga ballkoni i Institutit.
I patëm thënë njëri tjetrit se ndoshta po e frymëzonim për të
shkruar një roman se nga çfarë sy vjen liria, e jo nga çfarë sy
vjen vdekja...
Rexhep
Qosja banonte jo larg Institutit Albanologjik, në Bregun e Diellit,
posedonte
një makinë golf, çfarë nuk kishte Ismail Kadare dhe shpesh e
takoja duke shkuar në punë. Në kohën e shokut Tito, ai pat
ndërtuar shtëpinë me mermerin e njëjtë ashtu siç qe ndërtuar
“Grand Hoteli“
në
Prishtinë. Sigurisht Ismail Kadare nuk kishte një shtëpi të
tillë, edhe pse qindra mijëra libra të tij shiteshin në
Perëndim. Pata shkuar edhe në ligjërata e tija, por në të folur,
nuk kishte atë fuqi oratorike, imponuese, mobilizuese
siç e njihnim nga librat dhe pata braktisur ligjërata pas pesë
minutave. Motra e tij ishte bibliotekiste në katedrën e Gjuhës dhe
Letërsisë Frënge, gati ngjitur me Institutin Albanalogjik, ku
shpesh pinte
kafe me bibliotekistet e
katedrave tjera, për të cilën si student pata shkruar dhe lexuar
në një “soirée
dansante“ një
poezi satirike, nga e cila disa vargje më kujtohen akoma:
Që
këtej do heqim Molierin,
në
vend të tij do vemë sheqerin
Të
gjitha me një zë bënë ben
në
vend t' Balzakut do vemë kafen...
Për
Titon patën qarë edhe maqedonas, që nuk kishin pasur një
histori një identitet të definuar kombëtar, por elita e tyre
quante veten bullgar, kurse ne në shkolla të Maqedonisë, i mësonim
si maqedonas. Për historinë shqiptare nuk
mësonim më
shumë se tri orë në vit. Patën qarë edhe shumë boshnjak,
që Tito u pat krijuar kombin mysliman, edhe pse ata as nuk ishin
krijues të islamit, edhe pse askund në botë nuk kishte komb
krishter.
Ashtu si në çdo vend komunist, udhëheqësit e paarsimuar
komunist, po bënin eksperimete me popujt. Ashtu si edhe Che Guevara
në Bolivi, edhe këta përpiqeshin t' ia mësonin klasës bujqësore
dhe punëtore filozofinë marksiste, që as vet nuk e kishin kuptuar
si duhet dhe sa duhet. Tito ishte farkëtar, Nicolae
Ceausescu këpucëtar. Honeckeri i RDGJ
specialist për ndërtimin e kulmeve të shtëpive. Enver Hoxha në
krahasim me ta, mund të konsiderohej intelektual sepse kishte
mbaruar shkollën e mesme dhe ishte madje edhe mësues. Për
komunistët analfabet të Jugosllavisë apo të atyre me katër vite
shkollë, qenë themeluar shkolla të natës, ku analfabetët dhe
gjysmanalfabetët, fitonin tituj, si në Kosovën e pasluftës.
Akademiku
jonë ka respekt për Titon dhe respekt të veçantë për Adem
Demaçin, që herë hynte, herë dilte nga burgu titist, duke
kundërshtuar politikën e Titos. Për
akademikun edhe Tito, edhe Demaçi janë të mirë, por nëse të
tjerët kanë qenë titistë, ai i shpall të pavlefshëm si njerëz
dhe të padenjë si shqiptarë. Ne si student ishim të mrekulluar
nga guximi tij dhe nuk dinim se ai po shkruante duke pasur patron
mbrojtës Fadil Hoxhën, gjersa studentët burgoseshin për
togfjalëshin “Kosova Republikë.”
Tito
ishte më largpamës se diktatorët tjerë komunist dhe ishte larguar
më herët nga stalinizmi dhe me Kardelin e Sllovenisë, prodhuan
vetëqeverisjen dhe patën nisur edhe gatimin e kombit jugosllav, që
e pranuan të parët komunistët e asaj kohe dhe deri në vitet e 80,
diku më shumë se një milion deklaroheshin si të tillë, madje
edhe shqiptarë.
Shkrova
këtë artikull shpejt e shpejt, sepse gazetat kosovare nuk e
përkujtuan shokun Tito, por në tv publike gjermane ARD, shkruan sot
në video tekst se Tito kishte lindur më 07.05.1892, se kishte
formuar shtetin socialist jugosllav dhe se kishte mbajtur distancë
nga dy blloqet dhe qe angazhuar në bllokun e të pa-inkuadruarve.
Ky
shkrim i shkurtër
nuk mund të asgjësoj kontributin e madh të Rexhep Qosjes, as nuk
është qëllimi tij, por shkurt e shqip të tregojë se Rexhep Qosja
nuk ishte njeri i sakrificave, çfarë kërkonte nga Rugova dhe
Kadare. Ai nuk u sakrifikua për të vërtetën si Giodano Bruno, nuk
ishte emancipues si Voltaire edhe pse në fillim dukej i tillë, e as
nuk rrezikoi si Emil Zola. Në ato rrethana, u soll siç sillen
shumica e njerëzve, që e duan më shumë jetën se sa të vërtetën.
Pak “për”, pak “kundër” dhe me mendimin e tij publikuar pas
vdekjes në gazetën “Rilindja”,
po thërrasim
në kujtesë sot
shokun Tito:
"Tito ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar luftën
nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë – ja një meritë
e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë JO Stalinit, në një
kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij – ja një meritë
e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve
të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e
bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive ja një meritë
tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së
madhe që u reziston fuqive të mëdha ja një meritë tjetër, aq
e madhe, aq vendimtare në historinë e përbotshme.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen