"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

01.06.2014

Kush jam unë?

Nuk di kush jam, nga erdha, pse erdha, pse duhet të shkoj: nuk kam shprehur kurrë ndonjë dëshirë për të ardhur, ashtu si nuk kam asnjë dëshirë për të ikur. Por, duhet të shkoj, sepse shkojnë të gjithë dhe përjashtim, nuk do të jem as unë. Pra, ashtu si nuk kam pasur asnjë dëshirë dhe synim për të ardhur, nuk kam asnjë dëshirë e vullnet për të ikur. Por vullnetin im nuk është marrë në pyetje, as nuk është intervistuar. As qe ftuar në audiencë para se të vija. Ashtu si erdha, ashtu edhe do të largohem: i padije, i padijshëm, pa pasur mundësi të bashkëveproj apo të përfshihem në vendimmarrje. Ajo që di unë, nuk është as 000.1 përqind e diturisë së nevojshme.

Çfarë shkruaj tani? Pse shkruaj? Çfarë do të pasojë pas pikëpyetjes? Si do të përfundojë shkrimi? Sa faqe do t' i ketë? Pse do ta përfundoj? Pse nuk do të vazhdojë? Pse i mbaron fryma? Pse vdes shkrimi?

Shkrimi vdes tek pika në fund dhe mbetet si skelet për ta dëshmuar jetën e dikurshme. Pse nuk vazhdon jetën? Nga vijnë këto mendime tani, ku kristalizohe ato? Pse shfaqen pikërisht tek unë, pikërisht tani, pikërisht këtë mëngjes, pikërisht këtë javë, këtë muaj, këtë vit, jo më heret, jo më vonë? Kush zgjodhi çastin, temën dhe kush mori vendimin?

Nuk di as kush jam unë, as kush është ai. Është vërtetë njeriu njeri, apo e quajmë veten ashtu sepse kemi mundësi artikulimi? Apo ndoshta nuk jemi asgjë tjetër pos kafshë tanimë e urbanizuar, me trurin më të madh se majmuni dhe mundësi më të mëdha për të gjykuar, vepruar, ndërtuar, shprehur mendimin dhe shkatërruar më shumë se majmuni?

Pse njeriu përpiqet të imponojë bindjet e veta, pse nuk kupton se bindja tij është vetjake dhe jashtë botës së tij, nuk ka vlerë? Pse luftojmë ne të gjithë për të bindur sa më shumë veta, e nuk luftojmë për ta pranuar çdo gjë ashtu si është?

Pse kur fqinji më tha “Guten Morgen”, nuk iu përgjigja me “Guten Morgen”, por e pyeta a kishte fjetur mirë. Nuk kisha menduar si t' i përgjigjem, përgjigja ime ishte spontane, ashtu e befasishme si vetëtima. Vendimi nuk ishte imi. Është vullneti im që po shkruaj këto fjalë, që po dalin ashtu pa u menduar, pa u zgjedhur, pa u matur pesha e tyre sematike, morfologjike?

Miliarda signale elektrike që dërgojnë synapsat njëra tjetrës janë ato që prodhojnë ide, urdhërojnë shtypjen në tastierë dhe pastaj këshillojnë rileximin, rishikimin dhe të gjykuarit më të thellë? Pse gjatë shkrimit të shpejtë bëra gabim? Ku u mor vendimi për ta shkruar mbiemrin “elkektrike, e jo “elektrike“ si duhet? Ishte edhe ai një vendim që unë nuk e mora? Vendimi që mora, ishte leximi i ngadalshëm dhe zbulova gabimin. Mirëpo, isha vërtetë unë Ai që mori vendimin për ta zbuluar gabimin apo ishte përsëri një vendim i trurit, autonom, pa më pyetur mua. Pa vullnetin tim? Pa dashje time?
Ekziston dashja apo truri me më shumë se 100 miliard qeliza nervore, 20 miliarda neurone, çdo neuron me 10.000 sinapsa dërgojnë njëri tjetri signale për të bërë këtë që bëj tani e jo diçka tjetër?

Truri më urdhëroj të shikoj në internet kush jam. Pash se posedoj diku 100 bilion qeliza, pa numëruar edhe bakteriet dhe gjallesat tjera njëqelizore apo shumëqelizore që jetojnë në mua, që mund të jenë edhe 100 bilion tjera. Për t' u mos plakur trupi menjëherë, çdo sekondë vdesin 50 milion qeliza dhe linden gati po aq shumë. Gati aq sa ka Italia banorë. Rreth 200.000 bilion qeliza jetojnë në mua, rreth 100 miliard qeliza nervore në tru që bëjnë punën e tyre, pa vënë re unë dhe pa ndjerë ndonjë pikëllim se çod sekondë ndodhin vdekje masive, plojë, në trupin tim dhe linden tjerat. Në mua dhe Ty lindet dhe vdiset çdo sekondë. Të gjithë këto qeliza të padukshme të një madhësie katërqind herë më të vogël se një milimetër, më ndërtojnë mua si qenie njerzore, që percepton botën për rreth, por jo kantierin e madh që kam brenda vetes: klinikë ku lindet pa pushim, spital ku vdiset pa pushim. Ku vdiset më shumë sesa nga një bombë atomike.

Neurologët nga skanimet në tru në 70 përqind të rasteve mund të dinin se a do të lëvizë njeriu gishtin e djathët apo të majtë. Gjysmë sekonde para se të bëjmë një lëvizje, urdhëri është përfundimtar në tru dhe nuk mund të ndryshohej më. A domethënë kjo se unë gjysmë sekondi para se ta shkruaj këtë “fjalë”, është marrë vendimi në mua nga ajo armatë e neruoneve? Ata vendosin në shumës, unë jam në njëjës. Jam vetëm altoparlant i neuroneve dhe vendimeve të tyre? Dhe nëse është kështu, atëherë çfarë roli kam unë aty? Jam vetëm zbatues i rregullave që më urdhërohen? Por nëse refuzoj, kundërshtova unë apo pësëri truri e bëri vet, gjysmë sekonde para se të merrja vendimin për të bërë kryengritje? Jam unë vetëm zbatuesi i ligjeve të atij parlamenti ku merren çdo sekondë vendime, herë të mira, herë të liga?

Ekziston vërtetë dashja, vullneti apo është krejt një iluzion siç mendon neurologu Gerhard Roth? Apo si pat thënë në tallje Stephen Hawking se mund të jemi një lojë kompjuterike e ndonjë bote tjetër ndoshta edhe paralele? Është dikush me një tastierë që na dërgon urdhëra çfarë profesioni të zgjedhim, cilin partner për jetë, pse këtë e jo atë, si ta kalojmë ditën, me kë të miqësohemi, kë të shpërfillim, çfarë të lexojmë dhe çfarë të harrojmë, kryesisht çfarë të harrojmë sepse nuk do të kishte më vend për informata tjera? Dhe, në fund, pastaj, pasi ta ketë humbur dëshirën për ta vazhduar lojën me ne, filani fikë kompjuterin dhe përfundon lojën e tij dhe jetën tonë?

Neurolgët thonë se unë nuk mund të vendos dhe se dashja, vullneti është iluzion që prodhon truri. Dhe, kanë të drejtë. Mund ta dëshmojnë. Filozofët thonë se unë vendos vet, edhe këta kanë të drejtë. Sipas filozofëve nëse nuk kemi vullnet tonë, dashjen tonë të lirë, atëherë nuk respektojmë as ligjet sepse mund të fajësohen neuronet dhe pavarësia e trurit, jo individi. Zgjidhje ka mirëpo edhe këtu: burgosen neuronet e njeriut tok me poseduesin.

Dhe, tani, jo pse mora unë vendimin, por po i afrohet çasti pikës përfundimtare. A vendosa unë? Mendoj se po, për të mos lodhur shumë lexuesin eventual. Mirëpo, nëse këtë vendim ka marrë truri sekonda para se ta shkruaj, atëherë mbaj përgjegjësinë unë si zbatues i ligjeve që më urdhërohen nga parlamenti TRU. Po zbatoj urdhërin dhe hesht, sepse kush mendon se din kush është, ai nuk din kush nuk është. Para se ta publikoj, truri më urdhëroi t' ju kërkoj ndjesë, sepse titulli mund të nënkuptonte edhe një shkrim biografik...


Libra nga Lis Bukuroca:
Ngjyrat e dashurisë, roman erotik vetëm për lexues të moshës madhore
Hijedritat e jetës, poezi, 2010-2017
Letër burrave (1) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë

Letër burrave (2) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë 
Die Asylbewerber, (Refugjatët), komedi, gjermanisht

Keine Kommentare: