"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

29.06.2014

Ruzhdi Ushaku*

Ruzhdi Ushaku lindi në Ulqin më 1 maj 1938. Shkollën fillore tetëtëvjeçare e kreu në vendlindje ku u pat shpallur nxënësi më i mirë në komunën e Ulqinit (viti 1950). Normalen e kreu në Prishtinë në vitin 1957 me ç’rast si nxënës shembullor i kësaj shkolle qe liruar nga i quajturi provimi i matures. Si absolvent i Fakultetit Filozofik të Sarajevës qëndroi me qëllime perfeksionimi dhe studimi 14 muaj në Paris (1962/63), me ç’rast kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge duke iu lëshuar e quajtura Diplôme Supérieur d’Etudes Françaises Modernes. Një vjet më vonë (1964) u diplomua në Degën e romanistikës (Gjuhë dhe letërsi frënge me gjuhë latine dhe gjuhën italiane si gjuhë ndihmëse) të Fakultetit Filozofik të Sarajevës.
Gjatë studimeve në Paris ishte student i dalluar për çka dëshmon vlerësimi i suksesit në diplomë dhe si i tillë edhe në Sarajevë ishte demonstrator për studentët e vitit I dhe II në Degë dhe një vjet kryetar i Klubit të Romanistëve.
Ka shërbyer 1 vjet mësues në fshatin Krythë të Ulqinit, profesor i gjuhës frënge dhe asaj latine në gjimnazin e Gjilanit (1965-1969), bashkëpunëtor profesional në Bashkësinë Krahinore të Kulturës, asistent në Seksionin e Historisë së Kulturës Kombëtare në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në fillim bashkëpunëtor i jashtëm i Fakultetit Filozofik të Prishtinës (1969/1970), ku ka ligjëruar gjuhën latine. Prej vitit 1971 mësimdhënës i gjuhës frënge, një kohë edhe të asaj latine në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të porsaformuar pranë Fakultetit Filozofik (tashti atij të Filologjisë), ku prej vitit 1985 zgjidhet profesor ordinar. Si i tillë pensionohet në vitin 2003, duke qenë gjithnjë i angazhuar në procesin mësimor deri më 2008, në studimet trevjeçare dhe ato të masterit, ku ka ligjëruar gjuhën frënge, latine, përkatësisht disa lëndë në studimet master si në nivelin e Degës së vet ashtu edhe në nivelin e Fakultetit. Ka mbajtur ligjërata nga gjuha latine për studentët e Farmacisë (4 vite) në Fakultetit e Mjekësisë në Prishtinë, kurse gjatë vitit akademik 2006/2007 ka mbajtur mësim në Degën e Anglistikës të Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në vitin 1968/69 regjistrohet në studimet pasuniversitare (drejtimi shkencor) në Seksionin e Romanistikës të Fakultetit të Filologjisë të Beogradit ku, më 10.XII. 1972, mbron me sukses të dalluar temën Shprehjet idiomatike në tekstet bashkëkohore serbokroate për gjuhën frënge. Po në këtë Fakultet, në qershor të vitit 1979, mbron me sukses të lartë disertacionin e doktoraturës me temë Fjalitë hipotetike me SI në gjuhën bashkëkohore letrare frënge.

Veprimtaria shkencore e profesionale: Përveç punës së tij të rregullt në procesin mësimor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, R. Ushaku ka ushtruar funksione të rëndësishme në organet mësimore-shkencore të Fakultetit dhe të Institutit Albanologjik ( ku në periudhën 1982-1984 ishte anëtar i Këshillit Shkencor), kurse gjatë viteve 1989-1991 gjendej në funksionin e kryetarit të Këshillit Mësimor-Shkencor të Universitetit të Prishtinës, funksion ky prej të cilit u shkarkua me dhunë në fillim të prillit të vitit 1991. Gjatë dy mandateve ka qenë kryetar i Degës Gjuhë dhe Letërsi FrëngeFakultetit të Filologjisë të Prishtinës viti 1980/81 dhe 2000-2003.
Me punë krijuese, e më vonë edhe kërkime shkencore ka filluar të merrej në fillimin e viteve gjashtëdhjeta. Për këto qëllime edhe ka qëndruar disa herë në botën e jashtme si bursist i Qeverisë Frënge (1972/73, 1985, 1998, 2000), i Qeverisë Italiane (Venecie 1983), Shqipëri (1975), pastaj në kërkime individuale në Gjermani (1998, 2000), dhe në republikat e ish-Jugosllavisë.
Ka mbajtur ligjërata në vend dhe në botë, prej të cilave vlen të ceket ajo Structures parallèles lexico-sémantiques des locutions en français-italien-albanais-serbocroate (Strukturat paralele leksiko-semantike të lokucioneve në gjuhën frënge-italiane-shqipe e serbokroate) me ftesën e prof. R. L. Wagner-it më 18.05 1973 për asistentët dhe mësimdhënësit e Ecole des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës. Ka mbajtur edhe disa ligjërata apo referime shkencore në Seminarin Ndërkombëtar për GJLKSH për të huaj në Prishtinë e Tiranë (1987, 1989, 1990, 1996, 2000). Ka qenë i ftuar në Tiranë në vitin 1981 për të mbajtur ligjëratën me titull Sistemet hipotetike me SI në gjuhën frënge dhe barasvlerësit e tyre në gjuhën shqipe (nuk është realizuar për shkak të gjendjes politike pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë), kumtesë kjo e prezantuar më vonë në një kongres të gjuhësisë së aplikuar në Sarajevë më 1983.
Ka marrë pjesë me kumtesa apo prezantuar rezultate shkencore në shumë kongrese, simpoziume e tubime të ndryshme shkencore me karakter vendor e ndërkombëtar, prej të cilave po i shënojmë disa: Prishtinë (1973, 1974, 1977, 1978, 1980, 1982, 1983,1884, 1985,1986, 1987, 1988, 1990,1997,1997, 1998, 1999, 2000 e tutje), Dubrovnik (1979), Hvar (1982), Sarajevë (1983), Helsinki (1985), Zagreb (1985, 1988), Herceg-Novi (1986), Sofje (1989), Lubjanë (1989), Sokobanjë-Beograd (1989), Plitvice (1990), Tiranë (1992, 1996, 2004), Ulqin (1995, 2005, 2011, 2012), Shkodër (1998, 2000, 2005, 2008), Tuz (1998), Durrës, prill 2011 e ndonjë tjetër.
Veprat e tij të deritashme janë botuar në gjuhën shqipe, serbokroate, kryesisht të shoqëruara me versione të shkurtra në gjuhën frënge ose angleze, kurse punimet e tij kryesisht në gjuhën shqipe, serbokroate (shpesh me përmbledhje në gjuhë botërore), si dhe në gjuhët frënge, angleze, gjermane japoneze. Ato në gjuhën shqipe e serbokroate janë kryesisht të shoqëruara me përmbledhje në gjuhë botërore, frënge, angleze apo gjermane.
Ka bashkëpunuar me revista në vend dhe jashtë, si autor, anëtar i redaksive apo këshilltar gjuhësor i ndonjërës prej tyre, siç janë ato: Gjurmime albanologjike, Onomastica Jugoslavica, Studime filologjike, Studia albanica, Kultura popullore, Studia philologica, Stremljenja, Përparimi, Fjala, Enciklopedija Jugoslavije (botimi në gjuhën serbokroate dhe shqipe), Jehona, Flaka e vëllazërimit, Gjuha shqipe, Buletini i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, Filologji-Philology të Fakultetit të Filologjisë-Prishtinë, Art-Club, Lemba, “Buzuku”, Dija Ulqin, Malësia-Podgoricë, Orana-Shkodër, Shkodra në shekuj-Shkodër, SNGJLKSH Prishtinë-Tiranë dhe në botime të tjera të veçanta të JAZU-Zagreb, ASH të Shqipërisë dhe ASHA të Kosovës e ndonjë tjetër. Është marrë, edhe pse jo intensivisht, edhe me përkthime a adaptime të teksteve shkollore të gjuhës latine dhe asaj frënge, si dhe me përkthime të poezive, eseve, fejtoneve, tregimeve, novelave, dramave nga gjuha frënge, italiane, serbokroate. Ka përkthyer nga gjuha frënge një vepër vëllimore me titull Le Prophète de l’Islam (Muhammedi A.S. Jeta v. I dhe vepra v.II) nga autori Muhammad Hamidullah, vepër që gjithsej kap rreth 1000 faqe të formatit A4 në botim të Logos-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2011.
Ka qenë mentor i një kandidati-magjistri në Fakultetin e Filologjisë të Beogradit (mbrojtja më 03. XII 1982), anëtar i dytë i një komisioni për mbrojtjen e një doktorature në Fakultetin e Filozofisë të Sarajevës (mbrojtja më 01.VIII. 1988). Ka formuar si mentor disa doktorë të shkencave filologjike në Prishtinë (1997, 2006), 2 magjistra në Prishtinë (2000, 2005) dhe ka qenë anëtar i disa komisioneve për mbrojtjen e magjistraturave dhe doktoraturave në Prishtinë (1980, 1990, 1996, 1998, 2000 e këtej). Ishte bashkëmentor i një kandidati për doktor të shkencave filologjike në Paris (mbrojtja: 25 maj 2001), dhe në vazhdim mësimdhënës-mentor në studimet MASTER në Prishtinë.
Ka mbajtur ligjërata studentëve të shkallës së III në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Për herë të parë, në vitin 1990, ka qenë i propozuar nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Filologjisë kandidat për anëtar të ASHA të Kosovës.
Aktualisht është anëtar aktiv (i rregullt) i Akademisë Evropiane të Arteve (Académie Européenne des Arts) me seli në Belgjikë (Leuze).
Me ftesën zyrtare nga Departamenti i Frëngjishtes të Universitetit 8 të Parisit, për një qëndrim njëmujor gjatë dhjetorit 2000, R.Ushaku ftohet të mbajë edhe dy ligjërata (Shkresa e datës 25 tetor 2000 e nënshkruar nga përgjegjësi i Departamentit, zotëriu Christopher Lucken, si dhe ajo e datës 18 janar 2001, e lëshuar nga Universiteti i Parisit 8 –Vincennes Saint-Denis). Ligjërata me titull Les traces de la langue et de la culture albanaises dans le roman de Florimont d’Aimon de Varennes (XIIe s.) është mbajtur në Université de Paris 8 Vincennes Saint-Denis, më 20 dhjetor 2000, kurse ajo me titull La traduction du poème “Les Djinns” de Victor Hugo en albanais et les problèmes de la traduction littéraireUniversité de Paris 3 – Sorbonne Nouvelle, më 21 dhjetor 2000. Në vijim, profesor Ushaku, me një shkresë zyrtare të 14 qershorit 2001, u ftua për të marrë pjesë në konferencën e historisë dhe filologjisë shqiptare në Ecole des Hautes Etudes –Sorbonne (nuk u realizua për shkaqe objektive).
Në kohët e mëvona (10 prill 2008) mbajti ligjëratë shkencore në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Më 25 maj 2001 ishte në Paris (INALCO-Sorbonne Nouvelle) si bashkëmentor në komisionin për mbrojtjen e tezës së doktoraturës me titull “La place de l’adjectif épithète dans le groupe nominal en français et en albanais” të kandidatit mr. Mehdi Halimi (krahas mentorit, zotëri Jack Feuillet dhe anëtarëve Pierre Martinez, profesor i Université Paris VIII dhe Claude Müller, profesor i Université de Bordeaux).
Gazeta Kronika që del në Malin e Zi në gjuhën shqipe, e shpalli personalitet të vitit 2001, kurse Shoqata e artistëve dhe intelektualëve Art Club nga Ulqini e shpalli laureat të Shpërblimit vjetor të Art Club-it për vitin 2002 (informata në Koha javore e 9 janarit 2003 me titull Ruzhdi Ushaku laureat i shpërblimit vjetor, si dhe gazetat Bota sot, Zëri, Epoka e re etj.).
Ndërkaq, në vitin 2003, me rastin e kremtimit të 65 vjetorit të lindjes dhe 40 vjetorit të punës krijuese –shkencore, OJQ-të e Ulqinit e propozuan të shpallet QYTETAR NDERI të Ulqinit. Këto ngjarje u shënuan në mediat e shkruara dhe elektronike në emisione speciale në TV Podgorica, TVT. Intelektuali ulqinak Ali Llunji realizoi një emision dokumentar me titull Majave të shkencës kushtuar R. Ushakut (u emetua disa herë në programet e RTK-së prej 13 tetorit të vitit 2005, dhe në TV TEUTA të Ulqinit. Më vonë këtë do ta bënte edhe mr. Haxhi Shabani për TV e Podgoricës emetuar në tetor-nëntor 2006, Mustafë Ferizi për RTK-në e ndonjë tjetër. Më 26 nëntor të viti 2011, nga Federata Ndërkombëtare për Paqë mori mirënjohjen AMBASSADOR FOR PEACE.
II V e p r a t: 1. Kërkime filologjike, Prishtinë, Rilindja, 1981, 277 f.
2. Hipotetične rečenice sa SI u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova -Les propositions hypothétiques introduites par SI dans des textes littéraires en français contemporain ( Fjalitë hipotetike me lidhëzën SI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare botar në serbokroatisht dhe version përmbledhës në gjuhën frënge), Priština, Filozofski fakultet-Prishtinë, Fakulteti Filozofik, 1983, 226 f.
3. Paralele të ligjërimit poetik. Kërkime dhe trajtime gjuhësore (Parallèles du langage poétique-Recherches et traitements linguistiques), Prishtinë, Rilindja, 1986, 232 f.
4. Ulqini në gjurmët e shekujve, Ulqin, Art Club, 1991, 189 f. 5. Hulumtime etnolinguistike (Ethnolinguistic researchs), Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë-Faculty of Philology-Prishtina, 2000, 271 f. 6. Veprimtaria shkencore e prof. dr. Ruzhdi Ushakut, Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2003, 126 f. 7. Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Prishtinë,Fakultetit i Filologjisë-UP, 2006, 213 f. Ulqini nga dritaret e kohës, ( me bashkautorin Jusuf Lika), Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2006, 422 f. Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi,Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2010, 337 f. N.B. Brenda këtij libri më të ri, shih e krahaso edhe shkrimin Ali Llunjit Prof. dr. Ruzhdi Ushaku krijues i etnicitetit kombëtar (f. 313-333), ku gjenden edhe disa vlerësime më të vona për veprën e R.Ushakut. Për vlerat e këtij libri kanë shkruar Prof. dr. Moikom Zeqo dhe Dr. Sabina Osmani në gazeta e revista të ndryshme dhe faqet e internetit.
*Ishte profesor imi, tash në pension, për të cilin kam shumë respekt, pafundësisht. Udhëzimet e para se si duhet shkruar, i pata marrë prej Tij, gjatë bisedave në dalje të fakultetit. Materiali për punën e tij shkencore ka 64 faqe. E solla në blog për lexuesit për t' u informuar. Me këtë dua vetëm të theksoj mirënjohejn dhe krenarinë time, që isha student i tij...Një profesor i qetë, i urtë dhe një linguist i madh dhe i përkushtuar. Duke vështruar fotografinë e tij, m' u kujtuan çastet kur qe futur policia në fakultet dhe ishte viti 81, e ai po na mbante ligjërata...si studentë ishim të përzier: shqiptarë, malazez, boshnjak dhe serb, kurse ligjëratat, mbaheshin vetëm në gjuhën frënge...Këtu dua të përkujtoj me mall dhe respekt të madh edhe profesor Masar Stavilecin, profesor Halit Halimin, të ndjerin profesor Mensur Raifin dhe Murat Bejtën. Për veprimatarinë e tyre herën tjetër. Këta ishin profesorë të mëdhenj dhe kur ishim me Fatonin në Universitetin e Dizhonit, patëm marrë aq shumë komplimente sa na ftuan edhe në Radio France International, ku patëm lexuar poezinë e Nolit Anës Lumenjve, përkthyer për mrekulli nga dikush në Shqipëri, që na e pat dhënë me vete prof. Mensur Raifi dhe EPIKËN e Ali Podrimjes, që e pata përkthyer unë...Recitimi poezive qe shoqëruar me kitarë dhe ishte korriku i vitit 82...


Keine Kommentare: