"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

21.08.2014

Zoti dhe Politika, Gazeta SOT

Herë pas here dëgjohen mendime apo lexohen, ku meritat për çlirimin e vendit, nuk i takojnë në rend të parë SHBA-ve (Perëndimit), por zotit. Sipas besimtarëve të devotshëm, zoti ka dërguar SHBA-të për të na çliruar dhe SHBA, nuk ka mundur të refuzojë. Ajo vetëm ka zbatuar kryeurdhërin. SHBA nuk ka aq shumë merita si zbatuese, por urdhërdhënësi si komandues. Sipas tyre, asgjë nuk bëhet pa dëshirën e zotit. Meqenëse qenka ashtu, atëherë mund të mendohet se zoti i paska pëshpëritur Bill Clintonit në vesh, por ai nuk e tregon suflerin sepse njerëzit do ta quanin skizofren. Nëse pranojmë atë mendim si të mirëqenë, atëherë duhet pranuar se zoti na kishte dërguar romakët për të na pushtuar, pastaj Serbinë për të na sunduar e keqtrajtuar një shekull, pas pesë shekujve zhvatje e rrjepje permanente osmane, edhe atë, edhe me ndihmën e vezirëve shqiptarë.

Nëse mendojmë me klishe të tilla, atëherë popujt e shtypur, nuk duhet të bëjnë rezistencë dhe të vdesin për liri, sepse një ditë, zoti kujtohet për ta, drejton teleskopin nga toka e tyre, merret pak me politikë dhe u dërgon amerikanët, rusët apo kinezët për t'ua sjellë lirinë. Dhe, nëse pushtuesi është dërguar nga zoti, atëherë nuk kemi asnjë arsye të ngrihemi kundër vullnetit të tij, por ta pranojmë, sepse ashtu si dërgon çliruesit, ashtu dërgon edhe pushtuesit hyjnorë. I kemi merituar, si robërinë, ashtu edhe lirinë. Ky procedim është fatalizëm i përkryer, ose përtaci truri, ose shpëlarje e programuar.

Nëse pranojmë arsyetimin tjetër se pushtuesin dërgon djalli, si fat të merituar, atëherë pranojmë se djalli shtypë shumë popuj, që kanë ushtri të dobët dhe se zoti, nuk ka fuqi ta ndryshojë këtë dhe ata popuj, asimilohen. Si galët, keltët, thrakët, dakët etj. Kjo domethënë se djalli është një opozitë me një mëvetësi të barabartë me zotin dhe se zoti, nuk mund të intervenojë në vullnetin e tij. Kjo do të dëshmonte për ndarjen e kompetencave hyjnore. Nëse themi se në kohë lufte kur vriten njerëz djalli sundon – ndryshe edhe nuk mund të interpretohet sepse aty prishet skulptura e tij nga balta, njeriu- atëherë mund të mendohet se zoti i paska humbur zgjedhjet dhe pushteti ekzekutiv ka kaluar tek djalli. Meqenëse ai toleron pushtetin e djallit, na shfaqet më demokrat se njeriu. Kur të vijë paqja - ajo vjen gjithmonë pasi të dërmohet e shkretohet njëra palë dhe pranojë se do të paguajë tatime për pushtuesin e dërguar nga djalli - atëherë merr përsëri pushtetin zoti duke respektuar shpesh edhe ligjet e aprovuara në kohën e dreqit. Nëse është kështu, atëherë duket se në gjithësi, sundon demokracia njerëzore, që nuk ka mekanizma për ta mbrojtur paqen e përhershme.

Dhe, gjithmonë, sipas këtyre shpjegimeve fataliste, nëse një popull nuk mund ta çlirojë veten, kjo është dëshirë e zotit, sepse siç thoshte Napoleoni, zoti është gjithmonë në anën e asaj ushtrie që posedon artilerinë më të fortë. Gjenerali nga Korzika, do ta ketë kuptuar mendimin e vet më mirë në Rusi, pastaj pas betejës në Uaterlu dhe si i syrgjynosur në ishullin Shën Helena, ku ka pasur shumë kohë të meditojë. Këtu, mirëpo, kemi një përjashtim të madh: Skënderbeu me një ushtri shumë më të vogël pengoi pushtimin për 25 vite dhe nëse jemi fatalist, atëherë doemos duhet thënë se Zoti e kishte ndihmuar. Historia osmane dëshmon se edhe me ushtri të madhe, humbet lufta, kur ke përballë një udhëheqës gjenial dhe një popull me dëshirë të zjarrtë për liri në shtëpi të vet.

Por, meqenëse nuk bëhet asgjë në tokë pa dëshirën e zotit, atëherë ai na dërgoi Enver Hoxhën dhe ky Enver, duke ditur se zoti merret edhe me politikë dhe mund të bëhet opozitë e tmerrshme si ajo e disa klerikëve, ekstradoi zotin dhe të gjitha faltoret, ia rrënoi apo shpërfytyroi. Zoti mbet pa shtëpi të veten. Madje, nuk i lejoi zotit ta vizitojë Shqipërinë as me vizë.

Pse zoti pranoi këtë dështim në shumë rrafshe, pse pranoi heshtur këtë poshtërim nga një shqiptar nga Gjirokastra dhe pse nuk e dënoi Enverin, këtë nuk e dimë akoma, por e dimë shumë mirë se përfundoi i pa dënuar. Fatalistët thonë se ai tashmë ka aterruar në ferr. Realistët thonë se eshtrat e tij janë këtu, në Shqipëri. I vdekuri nuk mund të dënohet. Pa trupin, nuk mund të ekzistojë as shpirti. Si fëmijë shumë herë pata dëgjuar në ndejat e pas darkës se zoti do të hakmerret ndaj Enverit dhe se Tito, do të shkonte në xhenet për tolerancën e tij ndaj religjioneve. E besonin shumica se dënimi do të vinte dhe në pyetje ishte vetëm dita. Nuk dimë pse Enveri ishte më i fortë se zoti dhe pse mundi të vendosë në kundërshtim me dëshirën e tij universale. Sidoqoftë, Enver Hoxha syrgjynosi nga Shqipëria djajtë dhe engjëjt tok me shefat e tyre dhe sundoi deri në vdekje pa u pas cenuar nga 'krijuesi' i evolucionit: pa opozitë reale dhe pa opozitë hyjnore. Mund të thuhet shefat sepse janë disa zota. Nëse do të ekzistonte vetëm një zot, atëherë do të kishim vetëm një kushtetutë, jo disa. Ashtu si nuk mund të merret me me mend një sistem me kushtetutë mbretërore, komuniste dhe demokratike, nuk mund të merret me mend as një zot i vetëm me disa kushtetuta. Nëse pranojmë se zoti ka shkruar disa libra, atëherë pranojmë se ai ishte i gabueshëm dhe korrigjoi vetveten.

Tani nuk dihet, a i pëlqente zotit Enveri, apo mendonte se e kishim merituar ne si popull. Nëse bazohemi në jetën e Enver Hoxhës, atëherë mund të thuhet se zoti ka pasur respekt të veçantë ndaj tij. Nuk mund të përjashtohet se i pëlqejnë rebelët, trimat, por jo të nënshtruarit. Ata i lenë të robëruar deri sa të zhduken. Nëse besojmë se zoti është i madh dhe i fuqishëm, atëherë mund ta krahasojmë me njeriun, e njeriun me buburrecin. Nuk mund të merret me mend se guximi i buburrecit nuk është simpatik për njeriun. Kur kemi parasysh pluriversin, - shkenca thotë se nuk ka vetëm një univers, por shumë - atëherë pesha jonë për zotin në këtë plurivers mund të jetë aq e madhe, sa e një gjallese njëqelizore apo më e vogël.

Nëse vazhdojmë kështu me ligjërata antiamerikane, anti-perëndimore dhe antidemokratike, dhe nëse në SHBA merr pushtetin një ditë një i krishterë i devotshëm, fanatik si disa tek ne, atëherë SHBA tërhiqet dhe ne 'live' mund të vështrojmë kthimin e Serbisë në Bondsteel. Sidoqoftë zoti na dërgoi edhe papën në Shqipëri, pastaj edhe Erdoganin, ku bëri kushtrimin për kalifat, por nuk pata kuptuar pse na dërgoi edhe kryepopin me flamur serb në Tiranë. Fundi i fundit, ne jemi një popull i mrekullueshëm dhe tek ne janë të mirëseardhur të gjithë ata që flasin për dashurinë në mes njerëzve dhe popujve. Të gjithë ata që respektojnë dinjitetin dhe identitetin tonë, qoftë ai imam, rabin, apo murg budist. Sepse toleranca shqiptare nuk është rezultat i religjioneve, por i kulturës dhe mendësisë shqiptare, që pranon diversitetet. Në themele të tilla po ndërtohet sot edhe Bashkësia Europiane: in varietate concordia.

Po si qëndron puna me zotin? Ai ekziston për atë që beson, në kokën e tij dhe demokracia duron besimin apo ndryshimin e religjionit, mirëpo, sipas gjendjes reale në Tokë, zoti, nëse ekziston, ai është respektuesi më i madh i sferës private të njerëzve, madje edhe sikur ta shkatërronim këtë planet me bomba atomike, ai nuk do të brengosej, sepse pas çdo shkatërrimi, nisë rindërtimi, qoftë edhe tepër ngadalë, sepse asgjë nuk humbet, por krijohet vazhdimisht diçka tjetër: nga krijimi në zhbërje dhe anasjelltas. Edhe atë, gjithmonë dhe pa ndërprerje. Zoti nuk ka nevojë për mbështetje nga njeriu. Zoti nuk mund të ndihmohet nga njeriu. Zoti, nëse ekziston, atëherë ka dhënë njeriut lirinë absolute, mundësinë për të vrarë veten apo dhjetëra të tjerë, deri tek ploja. Ai as nuk ndihmon njeriun në luftë, as në paqe, as nuk shpëton miliona fëmijë që vdesin nga uria, e as miliona njerëz që jetojnë të pushtuar. Kudo të pasurit jetojnë më shumë se të varfëritë, pa marrë parasysh devotshmërinë fetare. Besimi në zot, është puna më lehtë që mund të bëjë njeriu, por gjetja e së vërtetës, tepër e rëndë. E para urdhëron besimin dhe pasivizimin absolut të trurit, e dyta kërkon studime. E para bazohet në një libër, e dyta në mijëra libra dhe dhjetëra disiplina shkencore. E para fiton duke kultivuar injorancën, e dyta duke përhapur dijën. Besimi ka në program tufëzimin dhe krijimin e grupeve, e dyta, humanizmin. E para mund të imponohet me dhunë, e dyta vetëm me dëshirë. Ideologjia fetare nisë luftëra, mirëpo kurrë jo humanizmi. Besimi në humanizëm është i vetmi besim, që do të kishte pëlqyer zoti. Ai ka vlerë universale, është në shërbim të njerëzimit dhe nuk ndan dhe nuk armiqëson popuj.

----------------------------------------

Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. 



Keine Kommentare: