"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

14.09.2014

Gratë, burrat dhe shkurorëzimet...

Shkurorëzime pas disa javëve, pas disa muajve, pas disa viteve, madje edhe pas disa dekadave. Familja si njësi e parë e një populli është në shpërbërje e sipër. Ndodh tek të gjithë popujt pa përjashtim. Me fajin e madh të burrave. Më të shpeshtë janë shkurorëzimet aty ku gruaja ka arritur një liri më të madhe për të menduar, për t' u arsimuar, për të punuar dhe për të marrë vet vendime për jetën. Kjo gjendje nuk është vetëm tregues se gruaja ka ndryshuar shumë duke u përgatitur për jetën si në aspektin praktik ashtu edhe teorik, por këto shkurorëzime flasin më shumë për burrin dhe gazepin e tij. Inferioritetin e tij dhe rezignacionin.

Familja mbijetoi si e paprekur, kompakte, por e ngjeshur me dhunë në një bashkësi të pandarë derisa burri dominonte dhe nënshtronte gruan. Derisa burri me dhunë kultivoi injorancën e gruas. Ky poshtërim, ky keqtrajtim, u siguronte burrave një rehati dhe ata bënin jetën më të qetë. Duke ditur se kanë një skllave në shtëpi, nuk rrezikonin, nuk synonin ndarjen sepse utilitarizmi dhe komoditeti përligjnin jetën e përbashkët. Qoftë edhe me dhunë. Madje u falnin liri vetes edhe të tradhtojnë. Rritja e fëmijëve në një ambient të tillë, krijonte edhe fëmijë me komplekse dhe defekte. Edhe ata shtypeshin. Nuk mund të thuhet se ata burra nuk shkurorëzoheshin për shkak të fëmijëve. Ata nuk njihnin dashuri as ndaj gruas, as ndaj fëmijëve, por shtypje, rrahje, traumatizmi dhe pezullimi i lirisë interpretoheshin si dashuri. Lirinë e vërtetë e quanin apo e quajnë degjenerim. Tek popujt me mendësi fisnore ligjet nuk depërtojnë aq lehtë në familje dhe aty nuk jetohet sipas kushtetutës.

Në të gjitha shoqëritë dhe kombet gruaja është trajtuar si qenie inferiore, si nga mençuria ashtu edhe nga aftësia. Tek disa popuj më pak, tek disa më shumë. Tek disa është çliruar, tek disa është në çlirim e sipër, tek disa sapo ka nisur. Sidoqoftë do të çlirohen një ditë të gjitha. Tragjedi më të madhe për një komb nuk ka, se sa kur shtypen në mes vete. Aty konsumohet shumë energji dhe mend për dominim. Në Gjermani nga diku 40 milion të punësuar, gati 18 milion janë gra. Pa ato gra ekonomia gjermane do të shembej.

Bashkëjetesa nuk është e mundur në mes shtypësit dhe të shtypurës. Është ligj i përgjithshëm në natyrën e gjallesave ta adhurojnë lirinë dhe të luftojnë për ta fituar atë. Kufizimi i lirisë nuk bëhet pse gruaja është e përdalë për nga natyra – shthurja e gruas është paragjykim konstant i meshkujve me shumë komplekse, i burrave të sëmurë, sepse nënat tona nuk kanë qenë të tilla, as nuk do të jenë nënat e fëmijëve tanë, gratë tona pra - por sepse kufizimi i lirisë i ka garantuar siguri një burri me komplekse dhe drejtpeshim psikologjik të humbur. Me shtypjen e gruas ai qetëson egon e tij të dobët apo të rrënuar. E pastaj, fundi i fundit, një grua e lumtur nuk tradhton kurrë, sepse ajo nuk dëshiron ta humb burrin e mirë, por me burrin e keq, nuk ka grua që ndjen veten të lumtur. 

Pse ndodhin mirëpo aq shumë shkurorëzime sot? Mund të ketë shumë motive, por njëri që ndoshta është edhe kryesori është ky: burri sot ka shumë probleme me mençurinë e gruas. Pjesa dërmuese e burrave kanë nënat e veta me përgatitje më të ulët shkollore se sa nuset. Ato nëna mund të nënshtroheshin më lehtë sepse dinin pak apo fare. Burri aty ka marrë mësime si të trajtohet nusja. Ato nuk kishin mbrojtje nga ligji. Nuk kishin mbrojtje nga familja e vet. Ato nuk kundërshtonin edhe nëse i thuhej se Parisi është kryeqytet i Belgjikës, por nuk kishin të drejtë të kundërshtonin burrin, edhe nëse ai thoshte: Tirana është kryeqytet i Bullgarisë. Ajo kishte të drejtë ta pohonte, por jo të kundërshtonte burrin. Para një burri me probleme të tilla psikologjike, ajo nuk kishte të drejtën e të menduarit.

E sot? Sot kemi gra që kanë shumë herë më shumë mençuri, zgjuarsi, shkathtësi dhe pjekuri se burrat. Kjo aftësi në shumë raste është shkaktari kryesor i shumë shkurorëzimeve, sepse burri ndjehet i mbështetur për mur. Shkurorëzimet nuk janë rezultat i mençurisë së gruas, por i pamundësisë mendore,  i moszhvillimit mendor të burrit për të kuptuar se dituria dhe liria janë edhe pushtet. Kur ai sheh se nuk mund më të komunikojë me gruan, parapëlqen ndarjen apo ikjen. Ai është mësuar të jetë numër një në shtëpi. Despot.

Dy vjet pas Deklaratës për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, në vitin 1791, qe shkruar, në fakt redaktuar Deklarata e parë nga shkrimtarja Olympe de Gouges dhe aty ku thuhej “burrë” ose “mashkull”, ajo e zëvendësoi me grua dhe e quajti: Deklarata për të Drejtat e Grave dhe Qytetareve. Që nga revolucioni francez investohet në emancipimin e gruas, por burri nuk është emancipuar kurrë. Me emancipim shumë burra mendonin se si duhet të vishet gruaja, si të sillet dhe si të bëhet më e pëlqyeshme. Gruaja me emancipimin kuptonte bashkëveprimin në jetë. Për burrin është menduar se ai lindet i emancipuar, i qytetëruar. Ai nuk ka mësuar as në shtëpi, as jashtë si të sillet me gruan, madje as jo aq shumë, si të sillet ndaj nënës, motrës dhe e gjyshes. Ai nuk mësonte dashurinë, por dominimi e dhunshëm. Ai nuk mëson dashurinë, por urrejtjen dhe poshtrimin. Një burrë primitiv me shumë komplekse shkatërron një familje. Ai sillet si psikopat apo është i tillë. Aty ku ka diskriminim gjinor, shoqëritë nuk janë të qeta dhe fëmijët janë të traumatizuar. Ndosha nuk ka as stabilitet politik sepse ata burra janë të traumatizuar dhe kuptojnë vetëm dhunën dhe kërcënohen vazhdimisht.

Shumë të shkurorëzuar pas disa muajve nuk dinë më as motivet e ndarjes. Ndër shkaqet kryesore për shkurorëzime, është inferioriteti i burrit dhe pamundësia e tij për të përpunuar epërsinë intelektuale të gruas. Ai nuk mund ta kuptojë botën sepse gjithmonë i kujtohet nënshtrimi i nënës dhe pamundësia e saj për të marrë pjesë aktive në jetë. Burra të tillë kujdesen shumë që brenda familjes dhe jashtë, të rrezatojnë një dominim të rëndë mbi gruan. Ky rrezatim është shumë i rëndësishëm për integritetin dhe dinjitetin e burrave të sëmurë, që propagandojnë diskriminimin. Nëse burri lexon dhe përfiton njohuri të reja, ai ka më të lehtë këtë kapërcim nga familja fisnore, në familje moderne, nëse jo, atëherë aty jetohet me diskriminim, si në kohën e prindit të vet ose pason shkurorëzimi. Burrat duhet të kuptojnë se gruaja është edhe nënë dhe emocionalisht nuk mund ta shpejgojë dhe përpunojë shtypjen dhe mungesën e dashurisë. Kjo mungesë, rrënon shëndetin e saj dhe ai dominim ndikon në krijimin e aleancës në mes nënës dhe fëmijëve. 

Në fakt burrat e sotshëm që kanë probleme me gratë e dijshme, janë burra me edukatë të djeshme dhe rrënues të familjes. Ata dashurojnë vetëm veten dhe prandaj në qindra mënyra arsyetojnë diskriminimin, shtypjen, rrahjen, dominimin dhe pronësinë mbi gruan. Burra të tillë, para grave të mençura, të arsimuara dhe të lira, ndihen të tredhur...

Kjo përsiatje kishte për qëllim emërtimin e njërit nga shumë shkaqe, që çojnë në shkurorëzim dhe rrënimin e familjes...


Keine Kommentare: