"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

20.10.2014

Betimi i Makiavelit* Gazeta DITA


(Ngrit dorën në ajër, të pranishmit brofin në këmbë): Unë Filani, biri i Fistekut, nga fisi i … në çastin kur po marrë këtë detyrë udhëheqëse, me mundësi më të mëdha për të marrë, për të fshehur, për të vjedhur, për të mashtruar, për të krijuar iluzione, për të gënjyer dhe për t' u pasuruar për një kohë relativisht të shkurtër, betohem solemnisht, se do t' i mbrojë interesat e mia në të gjitha mënyrat, në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat dhe luftoj për to deri në ditën e fundit të ushtrimit të kësaj detyre: fisnike, diskrete dhe jotransparente.

Premtoj gjithashtu, se do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme, e mundshme dhe e pamundshme, për të punësuar krejt anëtarët e familjes, fisit dhe miqtë e mi. Do të mbrojë me të gjitha forcat e Shërbimit Sekret, nderin e Makiavelit, mësuesit tonë të madh dhe traditën fisnike të profesionit të politikanit. Do të mënjanoj nga rrethi të gjithë ata, që shfaqin dobësi konkrete shëndeti, si patologji të ndërgjegjes, dinjitetit apo të nacionalizmit.

Mirëqenia e fisit, pasurimi i miqve, do të jenë brenga ime kryesore deri në mënjanimin e pengesave që kanë dëmtuar ata në të kaluarën. Dëmtimi i kundërshtarëve do të jetë parim. Ju garantoj se bakshishi si degë e veçantë e ekonomisë, marrja pa njoftim, tregtia ambulante, diplomimi dhe doktoraturat cash, si lëmi të liruara nga tatimet, do të mbrohen nga shteti dhe zhvillohen tutje. Përkulem përulësisht dhe falënderoj duke ju garantuar se nga ndërmarrjet që do të shiten, një pjesë e atyre parave, do të shkojnë në vendin e duhur me një gravitacion permanent të determinuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike dhe fisnore, nuk do të bëjë dallim në mes njerëzve, përkatësisë etnike, religjionit, bindjeve politike, orientimit seksual, nivelit arsimor dhe shtresës sociale, por do t' i mashtrojë të gjithë, pa diskrimim dhe do të marrë nga të gjithë, aq sa më shumë që është e mundur, për të mbrojtur dhe përforcuar materialisht profesionin e politikanit vizionar.

Premtoj publikisht dhe ju garantoj se deri në zgjedhjet e ardhshme, fisi jonë, do të bëhet më i lumtur, me këtë edhe populli, sepse fisi im, është pjesë e këtij populli. Ju garantoj, unë do të bëj çdo gjë që është e mundur për të larguar, për ta shmangur dhe për të parandaluar çdo rrezik që i kanoset fisit tonë nga Prokuroria apo policia.

Kujdesi personal për të mos arritur asnjë dosje në tryezën e gjykatës do të jetë permanent dhe këmbëngulës, kështu shkarkohet administrata nga thashethemnajat e pabaza dhe puna e panevojshme.

Bashkëpunimi do të rritet me ato parti dhe shtete, që kanë respekt për rregullat sipërore morale të Makiavelit, që kultivojnë ato norma dhe kuptojnë tregun e lirë të punës, veprimit dhe kapitalit të përqëndruar me itinerar të posaçëm subjektiv funksional.

I vetëdijshëm për rëndësinë e betimit, pohoj se e bëra i padetyruar nga brenda, i pashtrënguar nga jashtë, solemnisht, publikisht, me vullnet të lirë dhe në dobi të shtetit tonë! Rroftë Kosova jonë trime, legjendare, e pavarme, e panënshtrume dhe atdhetare! (Betuesi fut dy duart në xhep, të pranishmit duatrokasin tre minuna dhe pastaj disa ulen, disa shtrihen. Lumuria Ante Portas!)


*Betimi i Makiavelit duhet mësuar përmendsh në Kosovë nga ata që zaptojnë funksione udhëheqëse në qeverinë e ardhshme: Kryeministri, ministrat, deputetët, por edhe kryetarët e komunave tashmë të zgjedhur, rektori, dekani e prodekani, deri tek drejtoritë për administratat komunale, natyrisht duke përjashtuar ndonjë paragraf, që nuk i përshtatet detyrës fisnike gjatë ushtrimit tribal.

Gazeta DITA

Keine Kommentare: