"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

04.04.2015

Akademiku dhe silogjizma

Lexova dje tek gazeta DITA një reagim të akademikut Artan Fuga. Zakonisht kur lexoj atë titull para emrit, atëherë pres të lexoj mendime logjike, që nuk mund të kundërshtohen aq lehtë. Kjo mirëpo nuk ndodh me disa akademikë shqiptarë. Ata shumë herë nuk janë në gjendje të shkëputen nga mendësia ballkanase dhe ushqejnë viktimizimin e popullit, duke i pezulluar të të qenit subjekt vendimarrës në shoqëri dhe shnëdrruar në objekt, që e shfrytëzojnë të tjerët. Pra duke i pezulluar dhe anuluar të gjitha aftësitë e veta logjike, vendimmarrëse. Edhe pse krejt shkrimi mund të kontestohet dhe është diplopik, ky ishte mendimi që irriton më shumë:

"Kur shoh futbollistët e kombëtares që luajnë me klube të huaja, unë për vete edhe hidhërohem : Si na i marrin gjërat më të mira?"

E lexuat mirë? "Si na i marrin gjërat më të mira?" Ata na i marrin neve lojtarët, ne jemi të mjerë, një kope pa mundësi mentale, që vështron ikjen e tyre, ndoshta edhe i përcjell deri tek treni apo avioni duke qarë dhe ata ikin! Pse? Sepse ata na i marrin dhe ne nuk jemi në gjendje t' i mbajmë. “Ata na i marrin.” Çfarë domethënë kjo? Ashtu thjeshtë mund të merret kafsha, që nuk posedon aftësi racionale për të marrë vendime vet, por i duhet një thupër, një shkop pas dhe, i grahim. Po a mund të merret lojtari? Jo. Ai konstatim na zhvesh nga të gjitha përgjegjësitë dhe shndërron në viktimë. Lojtari shkon vet. Askush nuk na ka marrë neve, por të gjithë i jemi përplasur në prehër. Pse? Sepse ne para se të na marrin kishim bluar mirë dhe mirë motivin dhe kishim zgjedhur ditën kur nisemi, trenin, autobusin apo avionin dhe kemi aterruar aty ku mendonin se është shoqëri që ofron prosperitet, qytetërim dhe ku dinjiteti i njeriu respektohet si shenjtë.

Nga një akademik mund të pritej për shembull të analizojë pse në mendësinë tribale, të mirët nuk profilizohen, por vendet kyçe zaptohet nga njerëzit bazuar në lidhje gjaku. Pse për shembull në Zvicër, ku ka vetëm 200 mijë shqiptarë, ka më shumë lojtarë të profilizuar dhe jo vetëm lojtarë, se sa në vendet e Ballkanit ku jetojnë ndoshta 6 milion shqiptarë. Se për futbollin nuk mungojnë kushtet as nëpër geto, dihet. Arsyeja mirëpo është kjo: atje nuk ka mendësi fisnore. Aty trajneri nuk pyet, kush është babai yt, çfarë ka punuar gjyshi, çfarë punon babai, nga vjen nëna dhe nga vjen babai. Cili është fisi dhe ku shtrihet ai. Aty shikohet vetëm aftësia në fushë dhe shoqëria nuk ndahet në kasta si në Indi. Madje evitohet të përmendet nocioni komb dhe zëvendësohet me nocionin qytetarë.

Se shqiptarët braktisin vullnetarisht shtetet kleptokratike dhe fisnore, kemi parë edhe live në televizor dhe do ta shohim edhe disa vite. Atje shoqëria nuk është ndarë dhe polarizuar deri në djallëzi në mes tradhtarëve dhe atdhetarëve, në mes stalinistëve dhe demokratëve. Atje intelektualët e mëdhenj nuk armiqësojnë qytetarët, nuk përçajnë ata, siç bëjnë tek ne disa akademikët nga panteoni imagjinar, por kanë për detyrë morale të punojnë për paqe në shoqëri dhe për falje. Ata studjojnë, analizojnë fenomenet destruktive dhe përpiqen t' i parandalojnë para se të shndërrohen në anomali shqetësuese.

Mendimi tjetër që krijon huti është ky: Himni i kombëtares më emocionoi, por nuk më pëlqeu. Himni i kombëtares nuk është himni i kombit, o shokë. Ai ishte shumë i mirë për himn kombëtare bis. Kombëtarja e futbollit dhe kombi janë dy gjëra të ndara.“

Nuk kam parë lojën, por vetëm lexuar shkrime mbi të. Himni i kombëtares nuk qenka i kombit. Se është i kombit mund ta dëshmojë çdo shqiptarë që ndjehet pjesë e asaj tërsie nacionale, pa marrë parasysh se ku gjendet. Kjo e drejtë nuk mund t' i merret askujt, asnjë pjesëtari të këtij kombi, sepse është vendim individual. Se skuadra kombëtare dhe kombi nuk janë një, dinë të gjithë: aty luajnë 11 veta, jo disa milionë shqiptarë. Këtu nuk ka nevojë për sqarime komplementare. Pastaj akademiku vazhdon:
Himni i kombëtares nuk mund të lidhet me droning, sepse ai është një episod politik i veçuar pa lidhje me futbollin dhe nuk mund të politizohet me të.”

Të gjitha vendet e botës intonojnë himnin e vet, madje edhe kur është vetëm një sportist. Të gjithë emocionohen me himnin para lojës dhe marrin atë motivacion për angazhim dhe mobilizim. Ai qorton për ato sjellje, por nuk ofron një alternativë. Nuk është detyrë dhe përgjegjësi e tifozëve të mendojnë për siç thotë ai „...ndeshjen tjetër për të menduar për kombin, kur kombi e thërret rininë drejt dijes, drejt punës, drejt kulturës dhe nuk gjen përgjigje.” Ky mendim duket si një paragraf i shkëputur nga Kongresi i Partisë së Punës.

Tifozi nuk është i autorizuar në atë çast emocional të mendojë për dijen, punën, kulturën, sepse ai është një moment, që i ofrohet për t' u hedhur në dalldi apo rezignim. Ai ka nevojë për një mburrje, për një shembëlltyrë, sepse politika i ka shkatërruar të gjitha pritshmëritë. Sipas tij ata duhet të përgjigjen kur kombi thërret. Kombi edhe pse është në shumës, nuk është një subjekt, që mund të thërras apo refuzojë dikë. Ai është një unitet në shumës për ta thënë me fjalët e Nitzsches. Kombi ka një Qeveri, që është autorizuar të merret me ato çështje. Habia e madhe që herë pas here ndeshet tek disa akademikë shqiptarë, dje lexova edhe tek akademik Artan Fuga, është se ata kanë vështirësi të shkëputen nga të menduarit folklorik, nga metodologjia komuniste, duke ushqyer iluzionet e tyre, por pjesërisht edhe duke iu bashkangjitur turmës. Në stilin, ngre e mos këput. Kështu veprojnë zakonisht politikanët, që presin vota, por jo akademikët. Mendimi “Rima me flamurin më të bukur në botë ishte perlë, nuk ka flamur më të bukur, por problemi aty, në futboll, nuk është flamuri, por topi… i futbollit. “ është mendim populist, jo mendim prej një intelektuali.

Fotografia nga: NouvElle / photocase.com


Keine Kommentare: