"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

16.05.2015

Shqiptarët dhe disa konstatime rreth tyre! Gazeta SOT


"Me të holla mund të blini një qen të mirë, por jo edhe tundjen e bishtit të tij.", thotë shkrimtari amerikan Josh Billings. Shihet se nuk paska njohur politikanë shqiptarë. Ata bëjnë të kundërtën: pikësëpari tundin bishtin falas, pastaj mund të blihen dhe çdo ditë lehin për blerësin. Tek asnjë komb në Europë nuk ka bindje për shitjen e politikanëve, siç ka tek ne shqiptarët. Ndoshta na krahasojnë me tregun e lopëve!



Prijësi jonë Sulltani
Prijësi jonë Lenini
Prijësi jonë Stalini
Prijësi jonë Mao Ce Tungu
Pirjësi jonë Tito
Prijësi jonë Erdogani.

Cili komb tjetër në Europë kërkon prijësin jashtë vetvetes? Me dekada në vrap e sipër duke kërkuar babain jashtë shtëpisë. A thua kush do ta ketë radhën?

Shkrimtarët, poetët, piktorët, kompozitorët, artistët, filozofët, arkitektët, arkeologët dhe heronjtë, janë biografia e një kombi. Aq sa më shumë emra të ketë në biografinë e tij një komb, aq më shumë ecën para. Nëse mungojnë në një vend ata më lartë dhe të tjerë, që merren me kulturën, atëherë popujt këndojnë këngë kreshnike dhe nuk u duhen arkitekt, sepse ndërtojnë kasolle. Nuk u duhen artistët, nuk u duhen arkeologët, kanë plakun e katundit dhe nuk u duhet as filozofët. Dhe, ai plak thotë: ´"ktu niherë u kanë kshtu..." dhe mbete ashtu pa bërë asnjë hap para. Plaku është përtypës i ideve të lashta dhe aty njeriu jeton jetën e huaj, jo të veten.

Paska ditur Ali Ahmeti, paska ditur Qeveria e Kosovës për sulmin, që po përgatitej dhe askush nuk ka marrë masa për parandalim. Barazia askujt nuk mund t' i dërgohet nga jashtë. Madje një zonjë me një letër kërkon edhe tërheqjen e Jahjagës, nëse nuk nxjerr burrin e saj nga burgu. Thuase me urdhër të Qeverisë ka shkuar ai atje. Gjakderdhja ka mundur të pengohet, sepse Ali Ahmeti qysh të shtunën është dashur ta rrëzojë Qeverinë, para se të nisë bombardimi. Shtëpitë nuk duhet rindërtuar aty, të ndërtohen të reja diku tjetër, por ato le të mbeten ashtu si qendër memoriale dhe qortuese e politikës shqiptare dhe nacionalizmit maqedonas.

Ali Ahmeti: "Konflikti i Kumanovës nuk është çështje e shqiptarëve."
Vdiqën shqiptarë, u rrënuan shtëpitë e shqiptarëve, 66, dhe u vranë shqiptarë. Se është çështje shqiptare nuk ka asnjë dyshim, por nuk dihet akoma se në shërbim të kujt dhe me urdhrin e kujt. Meqenëse qeveria e Maqedonisë nuk akuzoi Kosovën ashpër, atëherë mund të thuhet se ishin në shërbim të Gruevskit. Se është çështje shqiptare e tregon memecëria e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Ata patën frikë të pozicionohen dhe nuk ngushëlluan popullin, kur duhej. Thaçi tha se nuk shkoi për të parë mjerimin, sepse nuk dëshironte të fitojë vota nga mjerimi, por nguli këmbë për t' u rindërtuar shtëpitë, çfarë e bëri për të fituar vota. Nëse politikani nuk shfaqet, kur bombardohet populli, kur bombardohen 66 shtëpi dhe vriten dhjetëra veta, atëherë ai nuk ka pse të merret me politikë. Nëse ky popull voton përsëri këta dy, atëherë, më të mirë nuk meriton.

Dorëhiqet Gordana Jankullovska, Ministre për Punë të Brendshme.
Dorëhiqet Sasho Mijallkov, Drejtori për për Zbulim dhe Kundërzbulim

Dorhiqet Mile Janakieski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

MIRËPO
Jo Musa Xhaferi, Zëvendëskryeministër.
Jo Fatmir Besimi, Zëvendëskryeministër për Çështje Europiane.
Jo Adnan Jashari, Ministër i Drejtësisë.
Jo Bekim Neziri, Ministri e Ekonomisë.
Jo Abylaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Kulturës.
Jo Nurhan Izairi, Ministër i Ambientit.
Jo Lirim Shabani, Ministri për Vetëqeverisje Lokale.
Jo Nezhdet Mustafa, Ministër pa portofol.

Disa politikanë shqiptarë jo vetëm se nuk meritojnë pozitat që kanë, por duhet shpallur të papërshtatshëm edhe për facebook.

Qeveria që bombardon shqiptarët është e themeluar me ndihmën e Ali Ahmetit. Për të treguar se nuk pajtohen me vrasjen e shqiptarëve, atëherë aktin më të vogël, që mund të bëjë, është largimi nga koalicioni kriminel.

"Një klerik i shquar në Teheran, Ajatollah Kazim Sadeghi thotë se gratë, që vishen në mënyrë provokuese, shkaktojnë tërmete, sepse ata provokojnë njerëzit në imoralitet." Si nuk kemi ditur këtë në vitin 98/99 e t' i dërgonim disa pranë armatës serbe dhe fundosnim ushtrinë tok me Millosheviqin.

Përpjekjet për ta shpallur vetëm Rugovën princ të lirisë dhe përpjekja për ta shpallur vetëm UÇK-në sjellëse të lirisë, krijojnë përçarje, përbuzje të ndërsjellë dhe rrënojnë një komb nga brenda. Një popull i përçarë është si një familje e shkapërderdhur, ku vetëm përçarja kuptohet. Aty përpiqen vetëm akuzat t' i shprehin në mënyrë sa më të besueshme, sa më të përkryer. Popujt kanë nevojë për kohezion të brendshëm dhe ai nuk ndërtohet me paragjykime, përbuzje, mosmirënjohje dhe satanizime.
Gjermanët pas luftës nuk kanë akuzuar njëri tjetrin për pasojat e Hitlerit, por kanë nisur rindërtimin e vendit dhe 15 vite më vonë, bëhen ndër shtetet më të zhvilluara të botës. Nëse vetëm angazhimin luftarak konsiderojmë si vepër heroike, jo edhe angazhimin intelektual, atëherë mund të thuhet se jemi akoma popull folklorik, me ide kreshnike. Ne mburremi akoma vetëm me vdekjen dhe mbijetesën e përjetojmë si turp. Askush nuk mund të mohojë aftësinë e Rugovës për t' ia marrë Serbisë të gjithë miqtë perëndimor. Këtë rezultat popujve u duhen shekuj për ta arritur. Shikoni kurdët, ku gjenden dhe nëpër cilat kancelari pranohen përfaqësuesit e tyre. Lirinë e përgatiti Rugova, e përshpejtoi UÇK, na e solli SHBA. Ky është vlerësimi i drejtë shprehur shkurtimisht edhe pse brenda ka edhe shumë ndikime tjera. Prandaj ta festojmë lirinë me një gotë verë, rasoj apo dhallë dhe punojmë duke shikuar dhe ecur para. Përndryshe do të mbetemi edhe pa popull duke luftuar për t' i sekuestruar meritat.

Kjo jetë ishte shumë e gjatë, sa dikush ka mjaft kohë të bëhet komunist i zellshëm, ateist i ndershëm, kolaboracionist i pasionuar dhe prostitutë e madhe. Pastaj i jepet kohë të rrotullohet në anën tjetër dhe të bëhet: demokrat i rreptë, fetarë i devotshëm, patriotë i madh dhe murgeshë virgjër. Kur në një vend ripërsëriten njerëzit në skenë politike prej rendi në rend, atëherë nuk mund të flitet për rend demokratik, por për lavirokraci. Për një humanist, jetë shumë e shkurtër, për një pis, tepër e gjatë...

Patriot është ai njeri që jep çdo gjë për atdheun dhe nuk i merr asgjë. Tradhtar është ai njeri që i vjedh atdheut çdo gjë dhe kërkon dëmshpërblim për vepra që ka bërë dhe që ka pasur ndërmend të bëjë.

Babai i Thaçit dhe Haradinajt në listat e veteranëve të UÇK-së. Nuk di pse paskan shpërfillur tezet: le të shpallen edhe ato veterane.

"Nuk kishte avokat më të mirë, që shpjegonte vuajtjet e popullit të vet se sa Rugova..." Bill Clinton
"Ibrahim Rugova ishte tradhtar..." Rexhep Qosja.

Jemi popull shumë simpatik. Sali Berisha pat arrestuar Adem Jasharin, ne kemi respekt për Adem Jasharin, por e duam edhe Sali Berishën. Ne nuk e duam Millosheviqin, por e duam nëpunësinë e tij, Isa Mustafën. Popull më simpatik, më ëmbëlak vështirë të gjendet në botë.

Greqia po i kërkon dëmshpërblime të luftës Gjermanisë: a nuk do t' ishte me vend t' i kërkojmë: Turqisë, Serbisë, Greqisë, Mali të Zi dhe Maqedonisë. Çdo copëtim apo pushtim joni është shoqëruar me rrënime dhe vrasje, apo mendohet se ata kanë pasur licencë për të na vrarë dhe plaçkitur?

Një zonjë më kërkoi miqësi në fb.
E pranova.
Më pyeti, a je vërtetë i martuar.
I thash, po, shumë i martuar dhe aty përfundoi komunikimi.

Një çerek ore më vonë, më erdhi në mendje përsëri ajo pyetje interesante dhe thash me vete, ta shikoj kush ishte. Nuk e gjeta. Më kishte bllokuar. Konsiderohet e pamoralshme të jesh sot i sinqertë dhe i martuar, thash vet me vete.

Skuadra shqiptare qenka lutur në xhaminë e Durrësit për fitore kundër Armenisë. Armenët janë krishterë të ritit lindor ortodoks. Nëse edhe ata i luten zotit të vet për futboll, atëherë do t' i kemi dy zotra në fushë. Ai që do të humb, do të thotë se nuk kishte merituar ndihmën e zotit, ai që do të fitojë, do të thotë se zoti im ishte më i fuqishëm. E në fakt, zoti nuk ka ndihmuar kurrë skuadra futbolli. Fitojnë gjithmonë ata që luajnë më mirë, e jo ata që lutem më shumë. Lutjet më të bukura që kam dëgjuar në jetë, nuk janë ato për futbollin, jo për të fituar miliona, jo për të kaluar provimin, por: o zot, shpëto ata fëmijë, që do të vdesin nga uria dhe ata fëmijët që do të vdesin nga lufta.

Etnonimi "kosovar" ka origjinë sllave. Ai që dëshiron të ndërtojë komb kosovar, lirisht mund ta quajë veten edhe sllav. Ai etnonim mund të përdoret për banorët e Kosovës për për të lokalizuar derisa nuk ndërrohet ky emër. Ky etnonim është i ngarkuar me histori serbe dhe trauma shqiptare. Kur Kosova vërtetë të bëhet e pavarur, ose do të quhet Shqipëri, ose Dardani.

Kanuni i Lekës është tejkaluar nga koha, dmth. nuk duhet më të zbatohet, sepse si çdo libër që përmban rregulla, është shkruar për një kohë dhe shoqëri tjetër. Mirëpo Kanuni na bën ndër popuj të rrallë në botë, që kanë krijuar Kod Penal dhe Kod Civil, madje edhe është zbatuar pa pasur një administratë, që do të merrej me mbikëqyrjen. Sikur të tregonim atë përkushtim sot për kushtetutat tona, që nuk i ka shkruar një njeri, por aprovuar një Kuvend, atëherë nëse jo komb më i mirë në botë, sigurisht do t' ishim ndër më të mirët.

Kosova me vite kishte ngrënë krundet e Serbisë. Ai bashkëpunim ekonomik garanton mijëra vende të punës në Serbi. Nuk është patriotizëm në paqe ta urresh Serbinë, por të mos ndihmosh prosperitetin ekonomik të një shteti me qëndrim armiqësor. Fjala popullore shqipe thotë: kur përzihesh me krunde, të hanë pulat.

Shqiptarët po ikin pse u është grabitur ëndrra, jo pse vdesin nga uria. Shqiptarët ikin nga shteti privat i Hashimit dhe Mustafës. Po ikin nga mungesa e shtetit të së drejtës. Shqiptarët tani po ikin nga politikanët e vet, që i kanë rrëmbyer më shumë se kishte mundur të grabisë Millosheviçi: Millosheviçi na pat rrëmbyer çdo gjë, edhe nderin, por një nuk mundi kurrë: ëndrrën se do të jetojmë në liri dhe më mirë. Këtë ëndërr e morën nëpër këmbë dhe e shqelmuan "politikanët" shqiptarë.

Qesari është bërë qen. Bismarcku në Gjermani është një lloj rakie. Napoleoni në Francë është shndërruar në konjak. Skenderbeu qenka shndërruar në suxhuk dhe mund të blihet në dyqane turke në Gjermani.



Gazeta SOT
karikatura marrë nga parti di lui

Keine Kommentare: