"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

26.07.2015

Jahjaga dhe ZDF, gazeta SOT

Nuk ka asnjë dyshim se Jahajaga ka përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë dhe nuk ka asnjë dyshim se meriton të rizgjidhet si kryetare e Kosovës. Problemi mirëpo nuk është këtu. Të ftohet dikush në ZDF apo ARD, është një respekt, një mundësi e madhe, qoftë edhe për dy minuta: së paku për të rrënuar ndonjë paragjykim. Mirëpo mënyra si u zhvillua bashkëbisedimi, u pa se ajo nuk ishte përgatitur për një intervistë, por ishte nisur me shpresë të madhe, të ushtrojë një ndikim në opinionin publik; të prodhojë një empati më të madhe. Jo qëllimkeqe, por nga zelli i tepruar, qëndrim i gabueshëm.

Reagimi i presidencës qe i vonuar. Ajo pas këtij aksidenti është dashur t' i shkruaj redaksisë së ZDF dhe kërkojë ndjesë se lidhja nuk ka funksionuar dhe se nuk ka dëgjuar gazetaren. Reagimi me arsyetim, vetëm pasi “Die Welt” e bëri publike intervistën me shpërfilljen, siç edhe dukej, është reagim i vonuar dhe mund t'i shërbej kryetares brenda, por jo për publikun gjerman, që e ka dëgjuar apo lexuar.

Sidoqoftë ajo si Kryetare është dashur të flasë shkurt dhe qartë. Paratë e derdhura në Kosovë, përfundojnë në mirëmbajtjen dhe lubrifikimin e burokracisë perëndimore. Ekonomia e Kosovës nuk ndihmohet nga ata që kursejnë për të blerë shtëpi, kur të kthehen në vendet e veta. Me dy fjalë tjera, ka mundur të përligjet largimi i EULEX-it sepse nuk është në gjendje dhe nuk ka dëshirë të funksionojë siç pret Perëndimi prej tyre. E as si pret Kosova. Ashtu siç nuk përmbushë pritshmërinë edhe Greqia për shembull.

Gabim i madh ishte të flitej aty për sportistët e famshëm kosovar, artistët, vetëm nga origjina, duke ditur se ata sportistë, nuk ishin prodhim dhe kultivim i Kosovës, por i shoqërisë perëndimore dhe ajo mund t' i bënte vetes këtë pyetje, çfarë nuk po funksionon në mendësinë fisnore kosovare, ku ka më shumë shqiptarë se në Perëndim, por nuk është në gjendje të jap aq sportistë, sa edhe Zvicra, ku jetojnë shumë më pak shqiptarë? Për futbollin nuk duhen edhe shumë parakushte, por problemi i madh është tek mendësia fisnore, se nuk lejohet përparimi i dikujt, nëse nuk ka lidhje të forta. Kur një djalosh shfaqet diku, pyetja e parë që i bëhet është: “I kujt je? Nga ke dajtë?” Në bazë të origjinës së tij, kontakteve, njohurive, mund të merret me mend se a ka ardhmëri sportive ai çun atje apo jo.

Se ne jemi mizogjinë dhe bazohemi në lidhje fisnore, u pa  edhe nga shumë këshilla për kryetaren për t'u kthyer në kuzhinë. Ne si shoqëri kemi akoma një problem, kur merr një pozitë gruaja. Kemi shembullin konkret edhe të gazetares Vjollca Hajdari. Ajo ftohet në tubime të rëndësishme të Qeverisë gjermane, por në mediat tona është pak apo fare e pranishme. Sikur të kishte qenë burrë, ose mbesë e një politikani kosovar, atëherë do t' i kishin ndërtuar një përmendore deri tani, por Vjollca e shkolluar në Gjermani, e suksesshme në gazetari, me kontakte të mëdha në të gjitha nivelet e politikës gjermane, injorohet, në vend se për raste të tilla, të konsultohej. Asaj madje i fshihet, i censurohet dhe emri nga RTK dhe raporton përafërsisht kështu: një gazetare i shtoi zonjës Merkel
këtë pyetje, duke vjedhur si pyetjen, si përgjigjen dhe duke mos përmendur emrin e Vjollca Hajadarit. E pse? Sepse zonja Hajdari është tepër e zonja për normat shqiptare, ajo nuk i takon fisit dhe gjinisë, që ka timonin në duar në Kosovë. Ajo nuk i takon shtresës kleptomane, por shtresës intelektuale dhe kjo në Kosovë, smirohet dhe të shnëdrron në gogol. Është dhe pasojë logjike për vendin ku diplomat shiten nëpër fakultete. Nëpër Fakutregjet. Me dhjetëra vepra deri më tani kanë dëshmuar në Kosovë ata që udhëheqin, që nga shefat e policiës, deri tek gjykatat, që nga drejtorët, deri tek Akademia, që nga mjekët, deri tek politikanët, nuk e duan Kosovën, por veten.

Ai keqkuptim tek ZDF tregon se Kryetarja nuk kishte këshilltarë të mirë, pastaj edhe fakti tjetër se në kohën, kur shqiptarët masovikisht braktisin vendin, ose përpiqen ta bëjnë, ajo flet për pezullimin e vizave dhe qahet për izolimin, për lëçitjen. Kjo mund të sjellë pika në shtëpi, por jo të ndikojë realisht në anulimin e tyre. Nëse diku dyzetë mijë veta braktisin vendin ilegalisht, mijëra prej tyre madje për turp me pasaporta serbe, sa do të iknin legalisht? Këtë duhej të ishte në gjendje si kryetare e shtetit ta shpjegojë, nëse synon heqjen e vizave.

Nuk mund ta luajmë gjithmonë rolin e viktimës. Perëndimi kërkon shpjegime, siç e bën edhe tek grekët. Përgjigjen duhet ta dijë çdo politikan kosovar dhe t'i tregojë me numra çdo politikani apo gazetari perëndimor, ku përfundojnë lekët. Miliarda që janë konsumuar atje, nuk janë përdorë për ekonominë kosovare, por për burokracinë perëndimore, që me dy administrata, arriti të ngulfasë shtetin dhe shpresën.

Ekonomia kosovare po dëmtohet nga një monedhë e fortë siç është euro. Kjo ndikon në rritjen e çmimeve, papunësisë dhe rrënon standardin jetësor. Ajo monedhë gati gjunjëzoi Portugalinë, Spanjën, Francën, Italinë dhe alivanosi Greqinë. Kryetarja është dashur të kërkojë zëvendësimin e euros me lekun shqiptar, ose Kosova të prodhojë monedhë të veten për të qenë zot shtëpie.

Kryetarja ka mundur të flasë hapur për anomalit në Kosovë, për pengesat në zhvillim, për humbjen e perspektivës, për humbjen e shpresës tek rinia dhe fundi fundit ta shpjegonte se emigracioni nuk është vetëm veçori shqiptare, por e kanë bërë të gjithë në të gjitha kohërat, nga të gjitha kombet. Është në natyrën e njeriut të arratiset, kur i cenohet dinjiteti, i mungon perspektiva dhe ushqimi. Fakte për këtë janë kontinentet e “zbuluara“ dhe mbushur me europianë. Po ikin të rinjtë që kërkojnë ardhmëri të sigurt, që kërkojnë punë, shumë prej tyre me shkolla të mbaruara, por një vend i vogël me Ali Babën dhe më shumë se dyzetë hajdutë, është vjedhur deri në palcë. Nga kjo gjendje janë pasuaruar si hajnat shqiptarë me Ali Babën, ashtu edhe ata ndërkombëtarë me Al Caponen.

Sidoqoftë, nuk ishte skandal që meriton të dramatizohet, por ishte një shkarje dhe tani pak është me rëndësi, kush ishte fajtori. Me rëndësi që Kryetarja t' i drejtojë një sqarim Redaksisë së ZDF-it dhe gazetës „Die Welt“, në mënyrë që lexuesi i asaj gazete dhe shikuesi i habitur, ta kuptojë motivin. Më mirë vonë se kurrë. Lexuesi dhe shikuese perëndimor në raste të tilla pret shpjegim, jo mospërfillje.

Jahjaga është politikania e vetme që ka përmirësuar fytyrën e Kosovës. Ajo dërgon mesazhe për një republikë qytetare dhe me dinjitet, gjë që asnjë politikan tjetër nuk rrezaton. Mirëpo në një republikë, ku vjedhja të garanton mirëqenie, diploma e blerë të bën intelektual, afria fisnore të granton vende pune, klani të mundëson të bëhesh edhe anëtarë i Akademisë pa asnjë vepër, Jahjaga me moralin e saj të lartë dhe kulturën, do të ketë pengesa vazhdimisht, sepse në një hapsirë të tillë, pakkujt i intereson imazhi i vendit, por profilizimi i njërit nga fisi i vet.

Si zakonisht pas shkarjeve të tilla, shqiptarët jashtë revoltohen, pezmatohen, ndjehen të zhgënjyer, sepse politikanët tanë arrijnë shumë herë t' i vërtetojnë paragjykimet, që kanë të tjerët ndaj nesh. Pasi ata të alarmohen dhe shprehin indinjatën e tyre nëpër media, shfaqen xhandarët e mendimit dhe pyesin: “Pse nuk merreni me këtë, po me atë? Pse nuk merreni me emigrimin, por me Jahjagën siç pyeti kryetari i Prishtinës, Sh. Ahmeti? Pse nuk merreni me intervistën e Thaçit, por me Kryetaren, .” D. Gërvalla, kryetarja e LDK-në Gjermani, thuase LDK merr pjesë në zgjedhjet gjermane dhe duhen të ketë degë të saja jashtë vendit edhe pas çlirimit.

Pyetjet e tilla lënë pas vete shijen e arrogancës, megalomanisë, jo vetëm pse dëshirojnë të imponojnë sjellje, qëndrime dhe të menduar vetjak, por edhe pse me sugjestion përpiqen t' i imponojnë lexuesit se gjoja ata kanë lexuar qëndrimet e të gjithëve, prandaj edhe i lejojnë vetes qortime paternaliste, prej edukatori, prej këshilltari të pa pyetur.

Reagimet nëpër media janë shfaqje normale në një rend demokratik, jo të rekomandueshme në Koren e Veriut, por të ngrihen në këmbë dhe qortojnë, pse nuk bëjnë këtë por atë, janë qëndrime fisnore nga buron e drejta e sekuestruar paternaliste dhe përpiqen të gjykuarit, të menduarit ta quajnë normale nëse bëhet sipas dëshirave të tyre dhe anormale, nëse nuk mendohet siç presin ata. Ata duke dhënë rekomandime të tilla, përpiqen ta kufizojnë lirinë e mendimit dhe fjalës, me një fjalë, autonominë private, individualitetin njerëzor. Këto janë cene komuniste, ose simptome tribale, por kërkesa të turpshme në një rend demokratik. Një popull që nuk aktivizon njerëzit e vet të dijshëm, si fat do ta ketë mjerimin dhe mërgimin. Kosova shpërfill njerëzit e vet të dijshëm brenda dhe jashtë, prandaj idiokracia e ka sjellë në këtë derexhe.


publikuar tek:

Gazeta SOT 

Keine Kommentare: