"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

05.07.2015

Saliot Berisha shpalosi...gazeta SOT

Sot dy Qeveritë shqiptare firmosën një marrëveshje të përbashkët, ku morën një vendim mbresëlënës që temperatura në korrik dhe gusht, të mos zbresë nën 25 gradë celsius. Ato u zotuan për mbajtjen e premtimit, por duke mos përjashtuar edhe ndonjë shfaqjeje anësore, që do të ndikonte në zhbërjen dhe përdredhjen e synimeve, kryesisht nga opozitat destruktive. Marrëveshja mirëpo nuk u bë publike.

I pari që zbuloi këtë dhe ndriçoi dhe shpalosi para popullit si duhet, ishte deputeti i PD, efendi Sali Berisha. Ai duk u tundur sa majtas e djathtas, si edhe në jetë, herë duke lëshuar kokën mbi gjoks, herë duke e përplasur mbi supe, disi fiqirhumbur si dashnori i vodkës Boris Jelcini, shoshiti seriozisht për herë të parë në jetë: a të digjte mandatin e deputetit, apo jo. Ishte në gazep historik dhe nuk ia zbërthente rradakja dot, cili veprim do t' ishte ishte më pak i përsheshëm: llomotitja në Kuvend apo dërdëllisja. Sidoqoftë ashtu duke u luhatur dhe kalamendur u fut në Parlament dhe shpërvoli buzët: “Kjo sallë është xhenaze”, piskati stalinisti dhe pronari legjendar i Partisë Demokratike. Deputetët ulën shikim bashkërisht mbi tryeza, mu si në një pikturë, ku Enveri pat hedhur në heshtje Hrushovin dhe shokët tjerë të kampit.

Kjo sallë është xhenaze e zgjedhjeve”, vazhdoi duke ngritur zërin akoma më shumë. “Këtu gjenden të ulur kriminelë, që kanë zhdukur erëzat të cilësisë së lartë dhe kanë dëmtuar rëndë ekonominë shqiptare. Në këtë sallë, shokë të dashur mavi, janë ulur armiqtë e kombit, që ia mbyllën vendit mësonjëtoret dhe që dëshirojnë ta zhveshin popullin cullak...Mirëpo, t' i kthehemi vendimit mbi temperaturën miq të dashur.“

Ajo veshëmarrje perverse, kriminele nuk është bërë publike dhe mund të merret me mend se nuk kanë përkufizuar temperaturën ndërmjet 25 – 40, por 40 – 50, ndoshta edhe më të lartë. E qëllimi? Ta molisin popullin në këtë muaj të shenjtë dhe ta dëbojnë jashtë vendit, sigurisht drejt polit të veriut.”
Luli duartrokiti dhe pastaj ngriti gishtin e madh të dorës së djathtë në ajër. Flitet se ky urren dorën e majtë dhe e përdor vetëm për detyra të pamoralshme. Salioti pasi bëri shenjë me kokë pjellës së vet, që fitoi zgjedhjet, përveshi përsëri gjuhën: “Në atë veshëmarrje që Qeveria mafioze nuk ka bërë publike, nën pikën katër janë paraparë disa ndalesa për vëllezërit tanë nga Kosova, që do të vijnë në mëmëdhe për t' u këndellur, po citoj për deputetët kaltërosh”, dhe uli kokën:

U ndalohet të gjithë kosovarëve hedhja e: shisheve të zbrazëta të birrave, shisheve të ujit, shisheve të lëngjeve, tasave të jogurtit, u ndalohet lënia e gazetave, pelenave dhe të gjitha llojeve të mbeturinave nëpër plazhe, nëpër lungomare. Nën pikën pesë deputet të dashur kaltëror, madje u ndalohet edhe terja e brekëve nëpër çadra apo ballkone, ku do të ngujohen ata gjatë pushimeve. Miq të dashur blu, Qeveria ime nuk ka prekur kurrë aq thellë në sferën private të vëllezërve tanë. Kanunja thotë se shtëpia është e zotit dhe e mikut. Si mund t' i caktosh rregulla mikut dhe t’ia ndalosh tharjen e brekëve dhe pizhameve në oborr, çadra, ose ballkon? Kjo është traditë në Kosovë, sepse ata janë të çiltër në mes vete dhe nuk fshehin gjë nga njëri tjetri. Atje, miq të dashur mavi, çdonjëri din për brekët e fqinjit dhe kjo nuk është çudi, por qytetërim, është tolerancë, është tolerancë intime brekoze, që duhet përshëndetur. Kështu zhduket kureshtja për të mësuar se çfarë mbathje ka nën fustan apo nën pantallona dikush.

Ajo marrëveshje makabre miq bojëqielli, jo vetëm se kufizon dhe pezullon lirinë dhe të drejtat e njeriut, por edhe i shpërfytyron duke i quajtur „kosovarë” ashtu si i pëlqen Serbisë. Qeverisë tradhtare dhe kuislinge, nuk i bëhet vonë. Unë përshëndes Qeverinë e Kosovës, vëllezërit tanë që nën presionin e Kristaqit, nënshkruan veshëmarrjen dhe unë u garantoj se askush nuk guxon t'i qortojë për lirinë e tyre artistike. Jo vetëm kjo të dashur deputet të mavijosur nga zgjedhjet, por nën pikën 9 thuhet se u ndalohen hedhja e çdo gjësendi edhe nga makinat në rrugën e kombit. E pse quhet atëherë e kombit? E shihni dashnorë të demokracisë si hap pas hapi, po na kthehet diktatura e përbindëshit? Unë këtë veshmarrje mund ta faktoj në çdo çast dhe ju thërras ta rrëzojmë me kryengritje këtë Qeveri mafioze, që shkretoi perimet e Lazaratit...”
Derisa po shkumonte dhe fliste i eksituar, e ndërpreu një deputet me këtë pyetje:
Çfarë do të bëhesh, kur të rritesh oh Saliot Berisha?“
Aty kapo i PD-së u tërbua dhe krejt i tallazuar si Deti Jon drejt Greqisë, ngriti dorën e majtë komuniste, me dorën e djathtë demokratike u mbajt për katedër, mbylli syrin e majtë komunist dhe shpërtheu si stuhi:“ Unë jam pinjoll i berishajve trim me flet, që ka notuar në detin Jon, që kam firmosur se i takon Greqisë, pa pasur kokërr frike, edhe atë, duke thyer rekordet e mia çdo vit. Unë kur do të rritem, do të bëhem bos i Lazaratit dhe ti do ta kesh fatin e Azem Hajdarit!”, shtoi ai duke kërcënuar me gishtin tregues të dorës së majtë. Deputeti braktisi sallën në vrap i trishtuar duke folur vet me vete. Në popull flitet se kur Salioti ngre në ajër gishtin qortues, atëherë shqiptarët dridhen si gjatë dhjetorit lakuriq.

Diku gjatë ditës mori fjalën edhe Arta Dade para OSBE-së dhe foli shumë seriozisht për kapitalin shqiptar dhe tha se pasuritë tona më të vlefshme kombëtare, janë institucionet fetare. Edhe më të rëndësishme se Qeveria. Ajo u rikujtoi atyre sfilatën e klerikëve shqiptare në Paris dhe nënvizoi se përveç kësaj pasurie të tundshme dhe luhatshme me vlera simpatike, nuk kemi diçka që vlen të përmendet, por këto institucione, nuk ia falim askujt, çfarë ngjalli shumë shqetësime dhe zhgënjime në sallë. Madje, ajo përkujtoi edhe shpikjen e Sali Berishës. Ajo u tha se ajo që ju quani “cornflakes”, është në fakt përsheshi shqiptar i gatuar nga berishajt qysh në Viç Boll. Për këtë kërkoi edhe dëmshpërblim sipas ligjeve të "copyrightit", kërkesë, që në tubimin e ardhshëm do të shqyrtohet.

Në anën tjetër të gardhit plot me gjemba, Qeveria e Kosovës po analizonte gjashtëmujorin e parë dhe me plot lezet deklaroi se premtimet që kishte bërë Thaçi, po realizoheshin me sukses. Kosova sot në tregun e punës ka 200.000 veta më pak. Në gjashtë muajt e ardhshëm, do të krijohet mundësia për shpërnguljen edhe të 150.000 vetave të premtuar nga Mustafa. Në fund sy më sy vazhduan bisedën prijësit e koalicionit dhe Kryeministri i Kosovës, i dha besën Ministrit të Jashtëm, zëvendësit të vet dhe kryetarit të PDK-së :

Ngo ktu Hashim, unë nuk do t' lejoj kurrë me met ti pa gjykatë. Unë Isa Mustafa profesor doktor, ta jap besën e shiptarit se do ta ndreçi për ty dhe për shoktë e tu, ni sud, ni gjykatë të veçan, ku ti do ta lujsh rolin kryesor. Do ta quj Gjykatë Speciale, se ti je ni njeri special, ti e meriton vetëm specialen. Askush nuk ka t' drejtë me ta mohu dhe mos me ta plotsu dëshirën e fundit.” Madje i premtoi se nëse burgoset, do të zgjidhet kryetar dhe me video konferencë mund ta ushtrojë detyrën. Këtu Hashimit i rrodhën tre pika loti. U ngrit dhe e puthi në ballë Isën. Mustafa gjithashtu i premtoi se populli i Kosovës, do t' i paguaj avokatët më të bukur, mjafton që Hashimi të shkojë atje në pranga. Duke iu qasur pacifizmit, ai shtoi edhe këtë: “Kur je n' rrezik dhe dikush don me t'vra, ma mirë lutë me ta dhanë revolen dhe vraje veten. Ky asht akt human dhe e shpëton ni njeri nga burgu. Ti ashtu ashtu ni dit ki me dekë...me kta du me thanë, ma mirë ta ndreçim gjykatën na, se ata. Ata nashta e bajnë vetëm gjykatë ordinere, e jo speciale...” Në korridor dëgjoheshin pëshpërimat e opozitës kosovare, që nuk duan Hashimin dhe që nuk do të votojnë një gjykatë speciale për të. Sipas tyre, Hashim Thaçi nuk meriton speciale.

Sot gazetat kosovare u bënë apel qytetarëve të vet të mos shkojnë në Shqipëri me makina. Atje vidhet çdo gjë që është e lëvizshme. Qytetarët e Kosovës nuk mund të kuptojnë se si mund njeriu të vjedhë. Sipas statistikave që posedon arkivi i Kosovës, vjedhja e fundit që është regjistruar atje, ka ndodhur në verën e vitit 1389, kur një qytetar i Fushës së Mjellmave, kishte vjedhur byrekun e iftarit një askeri turk. Bazuar në punën e gjykatave të Kosovës, mund të nënvizohet se në Kosovë, nuk ka asnjë hajdut. Sigurisht kjo është arsyeja pse ata nuk kuptojnë vjedhjen si veprimtari afariste.

Një televizion kosovar përshëndeti fjalimin e Berishës dhe lirinë e pacenueshme për të hedhur bërllogun, aty ku ndjen nevojën kosovari. E quajti art, art kosovar dhe përmendi si shembull të mirë Gërminë e "Një Majit", ku qytetarët në mënyrë artistike, kishin hedhur të gjitha mbeturinat, edhe shumë pelena të mbushura dhe kështu kishin krijuar një imazh piktoreskë simbolik të pakrahasueshëm me ndonjë vend tjetër të botës. Ajo fotografi e publikuar, kishte elemente të impresionizmit, natyralizmit, ekspresionizmit dhe madje, mund të ndërlidhej me artin italian të renesansës së shekullit 14, por aty këtu, përthekohej edhe me teatrin e absurdit të ekzistencialistëve.
Perëndimorët fotografuan dhe filmuan ato gjësende për të ndihmuar në përhapjen e artit spontan kolektiv kosovar.

Pak më vonë në Kuvendin e Kosovës hyri një deputete serbe dhe qortoi deputetët kosovarë pse nervozonin Serbinë dhe pse quanin Kosovën Republikë. Ajo duke cituar Edi Ramën tha: “Meqenëse ju nuk keni alternativë tjetër, pos Europës dhe radikalizmit, fakt që përmendi kryeministri shqiptar dhe meqenëse nga Shqipëria e Edi Ramës, u bë kushtrimi i Erdoganit, shpresojmë edhe neKosova dhe Shqipëria të demoralizohen, të radikalizohen dhe pastaj të ekzekutojmë alternativën e tretë: copëtimin e Shqipërisë dhe Kosovës në mes Serbisë dhe Greqisë...”
Në këtë çast ndërhyri një deputet i Lëvizjes Vetëzhvendosje Nacionale, ndriçoi deputeten serb, se Edi Rama, nuk kishte menduar se vërtetë do të radikalizohemi, por ai vetëm kishte pasur ndërmend ta shantazhojë Europën, ashtu siç bën edhe Serbia duke e frikësuar me Rusinë. Ka mësuar nga ju, tha ai. Tash kur të vije Merkel, ai zbythet nga ajo ide. Zonjë, ju din, se as ne nuk e kemi seriozisht me Turqinë, as ju me Rusinë, prandaj mos të nxjerrim konkluzione jashtë kontekstit. Këto janë metoda ballkanase të presionit, tha në fund deputeti i Vetëzhvendosjes dhe doli jashtë.


...Pas ngjarjes tragjike me dy turistët çek, disa apeluan të kthehet dënimi me vdekje. Domethënë të procedojë edhe shteti në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat metoda si krimineli. Domethënë shteti, që adiministrohet nga njerëz të arsimuar, të përvetësojë metodat e rrugaçit dhe të vrasë si një kriminel, si një idiot apo psikopat. Kjo domethënë shteti të punësojë një njeri, që në popull do ta thërrisnin xhelat dhe të paguhej për vrasje. Kjo domethënë detyrën e hakmarrjes, që buron nga Kanuni, të marrë mbi vete shteti. Vrasja nuk ishte vetëm një vepër e një djaloshi kriminel, vrasja ishte edhe pasojë e shteti shqiptar, që nuk merret me riedukimin dhe përgaditjen për riintegrim në jetë. Ai djalosh është dashur të braktisë burgun me një profesion, jo të dalë më i motivuar për krim se sa para se të hynte. Vepra është më pak dëshmi e kriminelit, se sa një certifikatë e shtetit shqiptar, që nuk ka apo nuk zbaton ligje për adoleshentët.


Gazeta SOT
Fotografia marrë nga Bota Sot

Keine Kommentare: