"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

31.08.2015

Despotët dhe zvarranikët shqiptarë, Bota SOT

Despotët nuk kanë mundësi të mbijetojnë aty ku ka demokraci të vërtetë dhe grupe parlamentare, që ushtrojnë një kontroll të përhershëm të qeveritarëve, por në shoqëritë me një këmbë në kohën e sotshme, me tjetrën në shoqërinë fisnore, janë fusha ideale për profilizimin e tyre. Në shoqëri gjysmë-gjysmë, pjesa dërmuese e popullit nuk kupton dallimin mes partive të majta dhe të djathta. Aty nuk votojnë programe të partive, por kandidatët zgjidhen sipas parimeve të sfilatave, ku votohen bukuroshet e botës apo sipas shijeve në Shtëpitë Publike. Aty fiton ai që është i veshur më bukur, që gënjen më së miri, që rrenë më bindshëm dhe që premton popullit lumturi duke punuar sa më pak, ose fare. Aty votohen imazhet, jo mendimet. Aty votohen gjestet, jo mundësitë. Aty votohen në bazë të suksesit në të kaluarën, jo në bazë të aftësive profesionale të sotshme. Aty votohen iluzione dhe shpresojnë se do të rritet bari, që nuk e kanë mbjellë kurrë.
Ata që luftojnë këtë dalldi, perceptohen si prishës të harmonisë dhe projekteve dhe synimeve dhe planeve të tyre, që nuk mund të realizohen kurrë, sepse mungon aftësimi dhe parapërgatitja profesionale.

Se në Kosovë nuk dinë çfarë është e majta dhe e djathta, dëshmoi konvertimi i PDK-së nga e majta në të djathtë, edhe atë, pa humbur asnjë anëtarë. Kjo tregon se krejt anëtarësia është e lidhur me Hashim Thaçin dhe askush nuk kishte hyrë në atë parti, pse ajo ishte e majtë dhe kishte ndërmend të ndihmojë shtresat e varfra. Sikur një parti në Perëndim të ndryshonte drejtimin, do të mbetej pa asnjë anëtarë. Jo mirëpo në Ballkan. Daçiqi dhe Vuçiqi ishin dy nacionalistë shovinistë serb, sot përpiqen të duken demokrat dhe ia kanë arritur ta bindin edhe Perëndimin. Perëndimi konvertitë të tillë brenda vetes përbuzë dhe demaskon, por në vende që improvizojnë shtetin, nuk ka alternativë tjetër, pos të përkrahë nacionalistë, shovinistë dhe kriminel në pushtet, që ia ofron ai popull.

Në shoqëritë që jetojnë në gjysmerrësirë mendore, në shoqëritë që i bëjnë rezistencë modernes dhe të kaluarën e vështrojnë si domosdoshmëri për përsëritje, për ripërtypje, të tashmen përjetojnë si degjenerim, pra epokën e vet, por aprovojnë ligje kundër traditës dhe zakoneve të veta, që nuk i respekton as Qeveria. Shumica jeton në një obskurantizëm përrallor, kryesisht tek ata popuj që nuk ka pasur iluminizëm dhe nuk njohin këtë shfaqje. Refuzimin e epokës së vet, konsiderojnë qëndrim fisnik dhe pikërisht këta, duke qenë të pezulluar dhe në konflikt me modernen, mund të manipulohen lehtë. Kështu ndodhë në Rusi, ku feja dhe shteti kanë synime të njëjta për të sugjestionuar popullin, në Serbi, në Greqi, në Turqi dhe kështu në Kosovë.

Se udhëheqësit e partive shqiptare ishin dhe janë despotë, lehtë dëshmohet. Despotët zakonisht pranë vete nuk durojnë konkurrencë, por zvarranikë nga bindja, zvarranikë nga lindja, zvarranikë nga botëkuptimi dhe zvarranikë nga karakteri. Ata nuk duan njerëz me dije, por njerëz që janë besnikë dhe në shërbim të karrierës së despotit. Se despoti përjashton çdo njeri të mençur nga qendra, mund të merret si shembull LDK e Ibrahim Rugovës. Gjatë sundimit të partisë së vet, do ta braktisin atë dhjetëra intelektual të njohur të skenës kosovare, edhe ata që ishin themelues. Pas ikjes së Rugovës, partia u shndërrua në një klub karrieristësh, ku zvarranikët e mbetur, morën partinë në duar dhe nuk zgjidhnin mjete për t'u avancuar, madje edhe në kundërshtim me programin e partisë ku bëjnë pjesë.
LDK pas Rugovës u katandisë në një organizatë që ecën nga frynte era. Përqindja e votave në kohën e Rugovës dhe në kohën e Mustafës, flet qartë se çfarë njerëz ka lënë pas vete dhe çfarë janë larguar nga Partia. Rugova ishte i madh me bindjen e tij, me ideologjinë e tij dhe me politikën e tij, por despot, sepse nuk u kujdes për të lënë pas vete njerëz të aftë, por parapëlqeu rehatinë në Parti dhe me vdekjen e tij, gradualisht do të vdesë edhe Partia. LDK, nëse nuk ndodhë një revolucion brenda, atëherë mbetet e konsumuar ideologjikisht, e konsumuar moralisht, e konsumuar njerëzisht. Do të vdesë sepse me syzat e Rugovës, nuk mund të shikojë askush qartë.

Despot ishte edhe Arbër Xhaferi. Kur shihet se çfarë zëvendësi ka pasur dhe çfarë ka lënë pas vete - në kundërshtim të thellë me bindjet dhe qëndrimet filozofike të tija-, atëherë kuptojmë se Arbri i madh, pas vete, kishte zgjedhur zvarranikun më të madh që ofronte anëtarësia e Partisë. Sigurisht despotëve u duhet një njeri i padijshëm, por besnik si qeni. Sapo të largohet despoti, qeni nisë lehjen ashtu si dinë vet dhe mu aty shtrohet pyetja: si qe e mundur që një Arbër aq i madh, të lërë pas vete një zvarranik pa aftësi politike dhe pa aftësi intelektuale?

Rasti i tretë shqiptar është kryedespoti i skenës politike shqiptare, Sali Berisha. Me vdekjen e tij, Partia e tij do të shembet ose ndahet, ose shuhet, siç u nda edhe LDK. Despoti Berisha sillet në mënyrë tipike, siç sillet një despot në shoqëri fisnore. Ai tërhiqet, por nuk largohet. Ai ka zëvendësinë e vetë zvarranik, që shërben si zëzmadhues i tij, por nuk guxon të bëjë asgjë pa pajtimin e tij. Luli i Vocërr nuk perceptohet prej askujt si kryetar partie. Në gjendjen e sotshme politike shqiptare, të jesh zëvendës i një kryetari, dmth. të kesh karakter laviri, me vullnet të epshëm konstant.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë. Albini tërhiqet, bëhet një rokadë shahu, por ai perceptohet si kryetar. Partia është e tij, siç ishte LDK e Rugovës, PD e Berishës. Edhe AKR do të shembej pa Ramush Haradinajn. Në fakt, kur partive shqiptare u ndërrohen prijësit, ata humbin edhe vota, sepse themeluesi i partisë ka udhëhequr në mënyrë despotike, patriarkale, siç e kupton populli më së miri. Ata as vet nuk njohin programin e partisë, por kërcënohen në mënyrë më efektive. Shahen në mënyrë efektive dhe kanë ndërtuar një subkulturë, sa edhe disa moderatorë nuk dallohen nga çobanët. Edhe PDK pa Thaçin do të rrëshqasë keqas, si derri mbi akull.

Sjellja despotike e politikanëve shqiptarë, është sjellje tipike osmane. Ata kanë ndërtuar edhe një administratë tipike osmane: ku kadiu shet vendime gjyqësore, ku nuk vlejnë ligjet, por vullneti, dëshira, përfitimi, arbitrariteti. Administrata turke sot në Turqi, është më pak osmane, më shumë europiane, se sa administrata shqiptare. Përparimi ekonomik turk flet për një administratë serioze.
Tek ne shumë vende të punës janë zaptuar nga njerëz, që kanë dëshirë, por jo aftësi dhe profesionalizëm. Nga njerëz që kanë lidhje të forta, jo që kanë dije. Krejt administrata gjysmanalfabete, ka një lidhshmëri fisnore me ndonjë politikan, që i ka rehatuar në atë pozitë. E në këtë gjendje, si mund të pritet një përparim, një zhvillim ekonomik, ku edhe tempujt e arsimit, janë shndërruar në pazare matrapazësh?

Prijësi i partisë shfaqet si despot, por para autoriteteve të huaja, bëhet aq zvarranik, sa ka edhe zëvendësin e vet. Partitë politike në demokraci të vërteta mund të jenë disa dekada apo edhe më shumë se një shekull të vjetra. Partia shqiptare që ka më shumë dije, disiplinë dhe një orientim të majtë të qartë është PS e Shqipërisë. Ndoshta pse e stërvitur nga Xhaxhi dhe sado kudo, ka një qëndrim linear, ose përpiqen ta mbajë.

Deshëm apo nuk deshëm, zëvendësit karakterizojnë edhe despotin. Shtrohen shumë pyetje që mbeten pa përgjigje. Sapo të përpiqemi ta ruajmë respektin për despotin e ndjerë, na shfaqet zëvendësi dhe përsëri pyesim: si ishte e mundur që ai njeri aq i mençur, aq i aftë politikisht që ka ngritur Partinë në një subjekt popullor politik, të mundësojë zëvendësimin e vet, nga një mediokritet i përsosur dhe zvarranik i përkryer: një magjistar cirku pa karakter. A është e mundur se ata qëllimisht zgjedhin qenë besnik, të padijshëm, në mënyrë që populli të vajtojë për ta? A është e mundur që nga një ego e fshehtë në nëndije, smirojnë pasuesin më të aftë dhe lënë pas vete legenë?

Zëvendësit për të ruajtur pozitën e vet, i qasen gjithmonë despotit të vet, deklamojnë mendime të tij, që i shërbyen përulësisht. Shembull banal për këtë është Nexhat Daci. Një akademik pa orientim të qartë nacional, pa orientim të qartë politik që u përpoq me LDD-në të profilizohet duke recituar Rugovën. Nuk arriti të bëhej despot partie, sepse nuk krijonte parti për bindje të veta politike, por përpiqej të përqeshë Rugovën dhe, përfundoi si kopje tragjikomike. Rugova nuk mund të ringjallet, aty këtu mund të fitohet ndonjë votë me të, por programi politik është ai që duhet ndjekur, që personalitetet kryesore të LDK-së sot nuk e njohin, e shpërfillin me orientime të çastit, për përfitime të çastit, në kundërshtim të plotë me programin e Partisë, si Tartufi Lutfi Haziri apo i stigmatizuari si tradhtar, Isa Mustafa për shembull.

2
Gjuriq pohon se tani është momenti i pajtimit të serbëve dhe shqiptarëve. Gjest i mirë dhe pajtimi nuk duhet kundërshtuar kurrë, por para pajtimin duhet edhe diçka, jo vetëm falja çfarë kërkon Hashimi, por dëmshpërblimi. Vetëm me një dëmshpërblim mund të dëshmohet se Serbia me kërkimfaljen, e ka seriozisht. Kërkimfalja është gjest verbal, gjenocidi ishte zbatim praktik.
Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës pa shpallur Kosovën Republikë, e kush mund të pengojë “Zajednicën” të shpallë shkëputjen nga Kosova? Edhe Bavaria nëse në mënyrë paqësore do të shpallte secesionin nga Gjermania, RGJ nuk do të kishte mundur ta pengojë. Meqenëse Serbia investoi shumë që Kosova të sillet sipas dëshirës së saj, rezultati është autonomia. Nuk është e keqe autonomia, meriton çdo popull, por shndërrimi i katundeve serbe me dy apo tre mijë banorë në komuna, është fakt që nuk ka ndodhur askund në Europë. Në anën tjetër, kjo Serbi që shndërroi fshatrat në subjekte politike me një asamble, ka reduktuar luginë në Bashkësi Lokale, saqë edhe patenta duhet marrë në Vranjë, jo në Preshevë, jo në Bujanoc dhe nuk kanë as spital. Politikanët shqiptarë nuk përmendën Luginën, sepse edhe ata janë të bindur, se çfarë meritojnë serbet, nuk meritojnë shqiptarët.
Oferta për pajtim është fisnike, sepse ne si popull dhe si politikanë, jemi pajtuar menjëherë pas luftës me Serbinë; kemi rindërtuar shtëpitë e djegura nga Serbia, me material të Serbisë, kemi blerë produkte të Serbisë, kemi ndihmuar ekonominë serbe, kemi siguruar vendet e punës atje, kemi blerë pasaporta serbe dhe udhëtojmë nëpër Serbi thua se vitin 99, na kishin dërguar në piknik për të marrë ajër të pastër, edhe atë, gati një milion veta. Thua se në vitin 99 kishin djegur 100.000 shtëpi për ta ngrohur popullin shqiptar.
Dhe, as në një gjykatë jashtë, as në Gjykatën për Krime të Rënda në Beograd, nuk kemi ngritur aktakuzë kundër Serbisë, madje edhe nëse nuk gjenden kurrë mbi 1600 veta të varrosur nëpër Serbi, ne nuk do të shqetësohemi, por me kënaqësi do të vejmë targa speciale si hebrenjtë yllin në vitin 41. Do t'i mbushim makinat me benzinë në Serbi dhe japim kontributin tonë për shtetin serb.
Gjuriqi kërkoi pak. Politikanët tanë për të mbetur në pushtet, do t'iu kishin dhuruar për çdo lagje nga një komunë ose, do ta kishin bërë Kosovën multietnike, konfederatë, mjafton t'u kishit thënë “Konfederatë si Zvicra.”
Ne për t'i mos pezmatuar dhe nervozuar me shqiponjën, duke shpresuar se e pranoni edhe ju, qepëm flamur të ri të kaltër për kombin kosovar (për të evituar përmendjen e kombit shqiptar, që mund të ju irritonte) dhe bëmë një himn melodik oportunist, që nuk përshkruan asgjë, që nuk ka shpirt dhe nuk motivon njeri. Ju dëshirojnë flamur tjetër. Në rregull, vizatojeni, ju mund të zgjidhini, ne pranojmë çdo pëlhurë që na varet para hundës. Sapo krijuam edhe Gjykatën për ta arrestuar vetveten dhe e konsiderojmë institucion lavatriçe. Ju meritoni se keni punuar me pasion kundër nesh. Gjersa ju merreshit me ne dhe kundër nesh, ne merreshim me demontimin dhe satanizimin e historisë shqiptare, me përçarje, me prodhimin e udbashëve që nuk ishin, kurse udbashët tuaj, vepruan mu ashtu si u konvenon juve, sepse direktivat vinin nga ju. Veprat e tyre flasin për pagesën tuaj. Bashkëpunëtorët tuaj shihen në vepra, jo në fjalë. Asnjë udbash nuk është aq i çmendur sa të pohojë se është në shërbim tuajin, por vazhdimisht do të jetë i detyruar të punojë për ju. Në fakt kanë ekzistuar qindra apo mijëra derisa jetonim së bashku, ata nuk i ka shfarosur ndonjë epidemi. Ju dini mirë se kush jeni dhe ku dëshironi. Ne gati nuk dimë më as kush jemi, as ku kemi ndërmend të shkojmë. Kjo quhet entropi sociale dhe për këtë, ju keni kontribuar jashtë, brenda shërbëtorët tuaj. Urime Autonomia. Nga krimineli u shndërruat në viktimë. Nuk ishte punë e lehtë, as e lirë jo, mirëpo, nuk ishte vetëm rezultat i dinakërisë tuaj, por edhe i parasë, edhe i injorancës tonë legjendare dhe mungesës morfologjike dhe politike të kurrizit.

Bota SOT


Libra nga Lis Bukuroca


Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht



Keine Kommentare: