"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

29.11.2015

Kush burgos, një ditë do të përfundojë në burg


... ndërsa vota për ta ruajtur gjendjen e tanishme, për degradim qeverisës, për korrupsion, për eliminimin e atyre që sot nuk pajtohen me krimin e organizuar, do të jetë votë për PDK-në, votë për pallavrat e Hashim Thaçit.
Kosova ka mbet pa demokraci, një shtet që po qeveriset keq, një vend që ka mbetur në duart e atyre që nuk meritojnë.” Isa Mustafa për Qeverinë e Thaçit.

Kështu përfundoi edhe Millosheviqi, kështu do të përfundojnë Thaçi dhe Mustafa.
Shteti i Kosovës qenka edhe funksional. Ky shtet ka vite që ka treguar ekzistencën e vet vetëm nëpërmjet deklaratave apo daljeve në televizor të përfaqësuesve të saj, madje edhe në facebook. Burgosja e Albinit mirëpo tregoi se shteti ligjor nuk ekziston. Në Kosovë janë vrarë qindra veta pas luftës, nuk burgoset askush. Në Kosovë bosët kanë imunitet, por jo deputet. Se shteti është fisnor, tregon shumë qartë ngjarja e djeshme. Nuk ishte vetëm Albini organizator i mospajtimit për Bashkësinë Serbe dhe për rikufizimin territorial me Malin e Zi, por faktorë të rëndësishëm ishin edhe komandanti Lima dhe komandanti Haradinaj. Ata dy shteti i Kosovë mirëpo nuk ka guxim t'i shqetësojë. Arsyet dinë Thaçi dhe Mustafa, por edhe ne.

Me burg Albini përforcohet
Kosova ka shumë njerëz për të burgosur, por përjashtim duhej të bënte nga elita politike vetëm Albin Kurti. Ai mund të mbrohej në liri në qoftë se ka shkelur ligjin, mirëpo politikës kosovare dhe asaj serbe, nuk u konvenon Albini jashtë. Duhet të përmbyllet Bashkësia Serbe, që një ditë edhe lagjet do t'i shpallë komuna. Për një idealist burgu nuk është edhe tragjedi, Albini para burgut kosovar, ka kryer burgun e domosdoshëm në Serbi të idealistit, por ai burg, është tregues i madh, ku do të përfundojë nesër Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Albini mund të pengohet, por nuk mund të ndryshohet. Nuk pati frikë nga Millosheviqi dhe nuk ka as nga pasuesit e tij. Mund të mos pajtohemi me metodat e tij, por se ka të drejtë, shumë herë nuk mund të shpërfillet, sepse në fakt, është i vetmi opozitë.

Një epitaf për LDK-në!
Albini pra sot është vetëm pasqyrë ku duhet të shikohen Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nesër. Këta dy u bashkuan nga interesi personal, edhe pse urrenin njëri tjetri deri në vdekje. Isa Mustafa nuk është edhe aq fajtor, sepse ai vetëm zbaton dëshirat e Thaçit. Mustafa është vetëm një shërbëtor i mirë, siç ishte edhe për Millosheviqin dhe me strukjen në LDK, doli i dezinfektuar. Koalicioni i dy armiqve më të mëdhenj bazuar në veprimtari politike, u bë i mundur vetëm me shndërrimin e LDK-së në lavire të PDK-së. Se Mustafa është (d)ylberdi të ndryshojë qëndrime dhe orientim, nuk është çudi. Nëse ka përfitime, do të ndryshojë përsëri. Brengë e madhe është anëtarësia e LDK-së, që duron atë në majë, sa mund të krijohet përshtypja se sot brenda LDK-së, janë vetëm nostalgjikët e Sërbisë. Epitafi tashmë mirëpo mund të shkruhet: aty pushon LDK. Ishte e madhe, e urtë, e mençur dhe e varrosën udbashët e LDK-së.
Arrestimi i djeshëm nuk ishte risi. Kosova ka treguar qysh herët se arreston vetëm ata nga të cilët nuk ka frikë. Këtë fakt kanë nënvizuar edhe arrestimet e mëhershme të radikalëve islamik. Meqenëse karmës nuk mund t'i iket, së shpejti Albini do të dalë nga burgu, por do të shtrihet Hashim Thaçi.

Mutacioni i Kosovës
Nuk ka asnjë dyshim se Mustafa ka premtuar presidencën për Thaçin, duke ditur se Thaçi as nuk do ta ketë atë mundësi. Nëse po, atëherë LDK do ta rrëzojë Mustafën dhe Thaçi nuk do të bëhet kryetar. Këtë duhet ta ketë të qartë Thaçi. Atë mirëpo që realizoi me sukses Thaçi, është kjo: arriti ta zhdukë simpatinë në popull ndaj sakrificave të UÇK-së dhe ia doli ta shndërrojë Kosovën nga viktima, në kriminele dhe arriti ta kthejë Perëndimin në prehër të Serbisë.
Këta dy Pinocchio dhe Tartufë të përkryer, kanë premtuar së bashku gati katërqind mijë vende të punës. Dhe, janë në gjendje ta bëjnë Kosovën federatë, vetëm që të pezullohen vizat dhe heqin qafe katërqind mijë të pa punë. Rezultate tjera nuk mund të marrin me mend. Kush do të investonte në një vend ku qeveria llogaritet si kriminale? Gjermania ndryshoi ligjin për azil dhe numri ra në mënyrë drastike, sepse nuk u lejohet ballkanasve të punojnë pas tre muajve, siç ishte nga janari. Gjermania mburret me ligjin e ri, se refugjatët ekonomikë nuk po vijnë më, por Thaçi i tha ministrit të jashtëm gjerman se ka rënë numri refugjatëve kosovar, edhe pse ky dhe Mustafa, nuk kanë asnjë meritë dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë, pos të numërojnë autobus. Meritat për ligjin gjerman, i përvetësojnë dy makiavelistë kosovarë, që nuk kanë pasur as të drejtë votimi në Bundestagun gjerman.

Popujt që duan shtet ligjor, nuk rrinë shtrirë në shilte!
Po a duhet të pezmatohemi me Thaçin dhe Mustafën? Jo! Më të mirë nuk duam. Më të mirë nuk meritojmë, më të mirë nuk kërkojmë. Ballkanasi do mashtrues siç janë mjaft prej tyre, duan hajna siç do të bëheshim edhe shumë prej tyre, duam gënjeshtarë siç jemi edhe ne dhe nuk duam politikanë me ndërgjegje të lartë, si gjermanët për shembull, ku japin dorëheqje vetëm pse u dëmtohet imazhi. Gati asnjë politikan i Ballkanit me imazhin që kanë, nuk do të kishin mbijetuar as një javë në Perëndim. Do ta rrëzonin mediat, nëse jo ato, do ta rrëzonte partia e tij. Por në Ballkan ka vlerë tjera: aq sa më i ndytë politikani, aq sa më shumë hajn, aq sa më shumë mashtrues, më gjatë mbijeton në pushtet. Prandaj Hashim Thaçin, nëse nuk e pengon gjykata, do ta kemi si shokun Tito dhe një ditë, do të recitojmë: shoku Hashim ne të betohemi...

Udbashët e Kosovës nuk janë shfarosur nga një epidemi
Tek ne partitë nuk mund të rrëzojnë njeri sepse parti nuk kemi, por klube fisnore, ku në kryesi tubohen vetëm zvarranikët, që mbajnë karrigen e kryetarit të partisë. Kjo është arsyeja pse kryetarët e partive nuk kanë frikë nga anëtarësia e vet dhe mund të vendosin jo vetëm pa konsultuar partinë, por duke shpërfillur edhe Kuvendin. Në këtë mënyrë i dhuruar Serbisë një Autonomi brenda Kosovës, asaj Serbie, që ndalon abetaret e Kosovës në Luginë.
Thaçi ka heshtur dhe ka shpërfillur shërbimin sekret serb në Kosovë, që ka më shumë ndikim në dëmtimin e imazhit, sa sa Qeveria në krijimin e saj. Para se të burgosej Albini, duhej burgosur krejt Qeveria e Kosovës dhe të gjithë gjykatësit dhe prokurorët, që kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe. Është rezultat vetëm i tyre.

Libra nga LB


Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Shtatë parimet e dashurisë, Hijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht





Keine Kommentare: