"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

23.04.2016

Tipologjia e politikanit shqiptar, gazeta SOT

Prolog

Në pamje janë të ndryshëm, në përgatitje profesionale gjithashtu, në rrugëtimin drejt karrierës, ngjashmëritë e tyre janë mahnitëse duke pasur të gjitha tiparet e psikopatit, që përkufizon testi i psikologut të kriminalistikës, kanadezit Robert Hare. Sipas tij gjysma e kriminelëve janë psikopatë.

Politikanët edhe heronjtë në historinë tonë, nuk ndërtojnë përgjithëshmërinë, përgjegjshmërinë dhe sedrën nacionale, por kemi heronj për grupe të caktuara, për bindje fetare dhe për bindje politike të caktuara. I vetmi komb në Europë, ku një tradhtar mund të perceptohet si hero, kurse heroi, si tradhtar, edhe atë, duke u shërbyer me syze obskurantiste fetare. Me ato syza, me të cilat Al Qaida rrëzoi përmendoret e Budës në Afganistan, po me ato, shpërbëhet imazhi kolektiv. Nuk është në pyetje mendimi i lirë, por pasioni i madh, për një implozion dhe entropi nacionale. Në Francë, nga viti 1906, kleri e ka të ndaluar të deklarohet për ngjarjet politike. Ai ka vendin në objekte fetare. Ballkani do të mbetet i armiqësuar dhe me kultivues të urrejtjes, derisa të mos u vihen frenat klerikëve. Ata prodhojnë një nacionalizëm barbar.


Skënderbeu

Qysh nga çlirimi osman e këtej, kemi grupe, enklava bindjesh dhe botëkuptimi, për personalitetet historike, por megjithatë, mund të konstatohet se Gjergj Kastrioti, ka shtrirje më të madhe, mirënjohjeje dhe pranim. Mbetet akoma kryeshëmbëlltyrë e kombit, por nga një palë, për atë të vetëhedhur në një segregacion kulturor, kryesisht nga shkolla orientale, syrgjynosin atë në Serbi, si serb, edhe pse nuk kishte mbrojtur muret e Kalamegdanit, por të Krujës. Sikur Serbia e Millosheviqit, të kishte ngulur këmbë në konvertimin tonë në ortodoksë, do të duhej ta kishim pranuar, sepse kjo do të kishte qenë mënyra e vetëm për t'iu shmangur poshtërimit tonë disa shekuj më vonë prej pasardhësve. Me parimet të tilla jashtë normave sociale dhe shkencore, sataniziohet vetëmbrojtja. Rekomandimi tyre është ky: nuk duhet rebeluar dhe mbrojtur atë çfarë është populli në çastin e pushtimit, por duhet pranuar me falënderim, çfarë imponon pushtuesi. Kështu iu shpëtueka denigrimit të nesërm nga ortodoksët fundamentalistë shqiptarë në të ardhmen. Sidoqoftë, mund të thuhet, se pjesa dërmuesi e popullit, konsideron atë si shtyllë kryesore nacionale. 


Ato qëndrime pseudoshkencore, parapsikologjike, prodhuan edhe mendime, se Perandoria Osmane, ishte NATO e mesjetës (akademik Muhamed Mufaku). Edhe pse në kohën e NATO-s osmane, populli kishte rezistuar, jo pritur me lule si NATO-n e vërtetë, kurse prej osmanëve, arratisja vazhdoi drejt Italisë, edhe gjatë, edhe pas “çlirimit” osman. Në botë, mirëpo, Gjergj Kastrioti ngriti imazhin e vendit dhe u shkruan qindra libra për të: opera, drama, romane, poezi, film, piktura, ose u emërtuan sheshe nëpër botë. Patriotët osmanë shpesh vajtojnë Perandorinë dhe vajtojnë mungesën e saj duke ngritur vasalët shqiptarë, çfarë kishin dhënë edhe kurdët, por sikur të kishte mbijetuar ajo Perandori, sot do ta kishim pasur fatin e tyre: pa të drejta themelore nacionale. 


Ahmet Zogu

Ahmet Zogu ka mbaruar shtatë klasë. Ishte një mediokritet i madh dhe karrierist kokëngjeshur. Ndër meritat e tij që përmenden, është ndërtimi i parë i administratës. Atë që kishte bërë Lugji XIV në shekullin XVIII, Zogu do ta bëjë në shekullin XX, domethënë vetëm pasi u dëbua NATO osmane. Për të rrëmbyer mirëpo pushtetin, nuk zgjodhi rrugë dinjitoze, por u kthye si azilant i Serbisë dhe me ndihmën e saj. Për një pakicë periferike, mbetet hero dhe kryesisht për adhuruesit e Esat Pashë Toptanit, nga fisi i të cilit vinte nëna e tij. Për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht, nga vasali serb, shndërrohet në vasal italian dhe sapo kërcet pushka e parë, arratiset mbreti, edhe pse kushtetuta e tij, i urdhëronte rezistencën. 


Për ta rimarrë pushtetin, do t'i ofrojë edhe Egjiptit një konfederatë me Shqipërinë. Do të vazhdojë traditën e vasalëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, që jeton akoma brenda politikanit shqiptar. Vasalizmin do të shndërrohet në traditë zinxhirore dhe populli, do të ketë vendin e fundit në Europë, qysh nga themelimi i shtetit, edhe atë, duke lënë pas vete, vetëm romët, që nuk kanë shtet. Zogu dëmtoi imazhin e vendit dhe ai gjysmanalfabet, deri në vdekje, do të konsideroj veten mbret, me arkën e shtetit që kishte vjedhur. Dhe, i fali politikanit shqiptar tri metoda operative për karrierë: mënyrën si arrihet deri tek pushteti, mënyrën si ruhet pushteti absolut dhe si vidhet vendi. 


Vasalizmi mirëpo kishte krijuar një traditë, edhe para tij: numri i vezirëve, që punonin për Perandorinë, jo për vendin e vet, ishte tepër i madh, në krahasim me popujt tjerë të pushtuar. Nëse Serbia sot bën kryeministër një shqiptar nga Lugina, por privon shqiptarët nga çdo të drejtë nacionale, atëherë për masën e pa arsimuar, të pandriçuar, ajo duhet falënderuar, sepse kënaqi një arnaut.


Fan Noli

Tre tituj doktorature, intelektual në plot kuptimin e fjalës, i jashtëzakonshëm. Do ta rrëzojë Salep Sulltanin, siç e quante atë, por do të jetë tepër humanist dhe tepër i pastërvitur për intrigat politike. Nuk do të ketë mbështetjen e asnjë shteti fqinj dhe do të rikthehet ai që për të mbetur në pushtet tërë jetën, do ta shpallë veten mbret, kurse motrat dhe vëllezërit analfabetë, princesha e princër, që nuk dinin as të fshinin hundët.


Noli nuk arriti të zbatojë idetë e veta, përpjekja tij për demokraci, në atë kohë, meriton mirëpo respekt. Mbeti çfarë ishte: një intelektual dhe humanist i rrallë. Edhe pse ka shkruar pak poezi, mbetet ndër poetët më të mëdhenj me mospjatimin me tiparet e vasalëve shqiptarë. Pas Skënderbeut, ishte shqiptari i parë, që u përpoq t'i shërbejë popullit. Kontribuoi mirëpo më shumë me veprën intelektuale, se sa atë politike. Çjetoi në SHBA, sepse as mbreti, as diktatori, nuk e deshën në atdhe.


Enver Hoxha

Edhe tek ngritja Enver Hoxhës, do të qëndrojë pas politika serbe. Kjo garantonte mbetjen e Kosovës brenda Serbisë. Në politikën shqiptare falje e territoreve për karrierë u shndërrua në zakon: e kishte bërë Esat Pasha, e bëri nipi tij Zogu dhe nuk kundërshtoi me asnjë vepër konkrete Enveri. 


Ka pasur mundësi t'i bashkëngjitej NATO-s pas luftës, por obsesioni për pushtet, do ta pengojnë demokratizimin dhe vetëm diktatura, i garantonte pushtetin e përjetshëm. Si edhe paraardhësi i tij, mbreti, për shqiptarët e mbetur jashtë, ndonjë fjalim, por praktikisht, do të izolojë Shqipërinë aq mirë, sa kjo i konvenonte fqinjëve me politikë e tij jashtë-planetare dhe mizore. Edhe ky, si Zogu, shtrihet si vasal, do të ndryshojë tutorët, që i nevojiteshin për ta shtypur popullin dhe pajtoheshin me traumatizimin kollektiv të tij, edhe atë, derisa kuptoi se e kishte varrosur për së gjalli. Ky nuk shpalli veten mbret, por sundoi si monark absolut deri në vdekje, duke vazhduar me këmbëngulje ta ruajë vendin e fundit në Europë. 


Duhet mirëpo, të ketë më shumë ithtarë se sa Zogu. Nuk deshi brenda as Zogun, as Nolin. Qëndrim tipik mediokriteti, i cili ka frikë nga konkurrenca. Ishte karrierist kokëngjeshur. Kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme dhe dije më shumë se si mbrohet pushteti, nuk posedonte. 


Sali Berisha

Do të jetë nxënës i zellshëm i diktatorit më të ashpër, që njeh historia shqiptare. Do të premtojë se nuk do ta lajë dorën, që kishte prekur dorën e Enverit. Për këtë zvarritje prej skllavi, do të shpërblehet me një specializim në Paris, çfarë në atë kohë, ishte privilegj aq i madh, sa fluturimi i një njeriu sot  në Mars. Akoma pa dhënë dorëheqje nga Partia e Punës, duke u bartur me makinë të Sigurimit, do t'i imponohet lëvizjes për ndryshime dhe do të bëhet lider i saj. Se është mbështetur nga shërbimi sekret serb dhe ndihmuar për të mbajtur pushtetin, flasin shumë fakte, çfarë natyrisht, ai nuk i pranon, por veprat flasin gjuhë pa keqkuptime. Në kohën kur Kosova po shtypej barbarisht dhe Bosnja masakrohej, ky do të ndjehet i detyruar të falënderohet dhe thyejë embargon e Kombeve të Bashkuara: do të furnizojë makinerinë serbe me naftë. 


Do të ndikojë në shembjen e shtetit, pikërisht, kur Kosova kishte nevojë për mbështetje. Do të arrestojë Adem Jasharin, do të përpiqet të manipulojë Rugovën dhe do të quajë UÇK-në terroriste. Do të vrasë qytetarë me gurë në dorë dhe do të garantojë vendit e fundit në Europë. Do të mbajë një administratë të korruptuar deri në palcë dhe kur do të largohet nga pushteti, Shqipëria do të ketë më shumë ara me canabis sativa, se sa fasule. Për të fituar mbështetjen greke, do të nënshkruaj edhe faljen e një pjese të sovranitetit detar. Tradita Esatit, Zogut, Enverit po po shndërrohej në parim politik shqiptar. Nga epshi patologjik për pushtet, nga kryetari dhe kryeministri, do të degradojë vetveten, në deputet. 


Një degradim të tillë, mund të pranojnë vetëm sociopatët dhe të mos skuqen. Është karrierist kokëngjeshur. Edhe pse i konvertuar në demokrat, edhe ky si Zogu dhe Enveri, për të mbetur në pushtet, nuk do të zgjedhë as aleatë, as interesat nacionale, por do të ndjekë si Zogu e Enveri, rreptësisht interesat e veta. Akoma përrallis në skenën politike shqiptare dhe sapo lëshoi një kushtrim, se shqiptarët duhet të armatosen për të vrarë disa shqiptarë, që nuk mendojnë si ai. Kardiologu duhej të ishte në burg, por politika shqiptare nuk dënon politikan, sepse edhe pasuesi, mund të burgoset. Tradita vazhdon. Kështu në heshtje kanë krijuar një pakt mosndjekjeje në rast të humbjes së pushtetit dhe respektohet me përpikëri. Ja ku e kemi, mirë e shëndoshë, si gjeli mbi pleh krekoset, edhe pse ka bërë dhjetëra vepra penale.


Ibrahim Rugova

Do të jetë shfaqja më e fisme shqiptare në kohën kur sllavët e jugut plot urrejtje, do të çmenden për dominimin e njëri tjetrit. Do të jetë personaliteti i parë kosovar, që do t' imponohet perëndimit me humanizmin dhe modesti. Ishte i vetmi politikan, i cili kuptonte mënyrën e të gjykuarit të Perëndimit, sa arriti të krijojë miq, aty ku nuk kishim pasur kurrë. Pacifizmi tij radikal, si edhe i Krishtit apo i Dalai Lamës, do ta dëmtojë në popull, ku njeriu mund të vritet për një fjalë goje. Në shoqëritë postehroike, ai qëndrim është nder. Në shoqëritë fisnore, pacifizmi përjetohet si tmerr. Edhe pse, ata që shajnë atë si frikacak, kanë bërë çdo gjë të mundur për të mbijetuar. 


Në shoqëritë fisnore, heroizmi u shërben tucave të mbijetuar për mburrje, sa i motivojnë njerëzit, u këndojnë, fotografohen pranë përmendoreve të trimave, duke dashur në paqe, të identifikohen me guximin e tij, të përfitojnë me guximin e tij dhe të prodhojnë përshtypje për vete, se pajtohen me veprën e tij, se do ta kishin bërë edhe ata, edhe pse janë arratisur si lepujt, kur kërkohej guximi. Megjithatë, Rugova do të fitojë zgjedhjet edhe pas luftës. 


Historia nesër, jo sot, do ta përshkruajë si një lider peshërëndë dhe si lider, i cili drejtoi popullin rreth një ideje të madhe dhe ndërtoi imazhin shqiptar jashtë. Nuk ka çliruar Kosovën, por ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e saj. Gabimet e tij, janë si ato gabimet nëpër libra fetarë. Ishe vetëm njeri i madh, vetëm intelektual i madh, vetëm humanist i madh, që u përpoq ta fusë Kosovën nën çadrën amerikane. Dhe, ia doli.


Hashim Thaçi

Qysh kur është inaguruar si kryetar, përpiqet të mbështillet me breroren e Rugovës. Kjo është arsyeja pse duket kopje për humor. Kjo është arsyeja pse askush nuk i beson konvertimit moral të tij. Donika Gërvalla, juriste, akuzon atë dhe Kadri Veselin për eliminimin e veprimtarëve të LDK-ës. Ai do të marrë drejtimin e UÇK-ës nga prapaskena, si Berisha lëvizjen demokratike. 


Me mbështetjen e shërbimit sekret francez, çfarë në televizor konfirmoi edhe kryetari i atij shërbimi. Duke parë se u mbështet nga amerikanët edhe kur vodhi votat, mund të kuptohet, sa ka ndryshuar tutorin. Meqenëse mirëpo fituam, atëherë shërbimi tij, nuk mund të merret si i Zogut, si i Enverit, dhe Berishës. Megjithatë, simbolet e Kosovës të deshqiptarizuara, pa asnjë kundërshtim prej tij, vizatojnë pa keqkuptime shpirtin vasal, çfarë e kemi me shekuj brenda nesh. Me pranimin e autonomisë serbe pa asnjë kusht, qoftë për kthim e mbetjeve të të vrarëve, qoftë për reciprocitet me Luginën, qoftë për njohjen e pavarësisë, ai do të vihet në pozitat e Zogut dhe Berishës.


Thaçi, mirëpo më shumë mund të krahasohet politikisht me Enver Hoxhën, se sa me Rugovën,. Me Nolin kurrë, sepse intelektulalisht, ka deficite të mëdha bazike. Për pushtet mirëpo mund të krahasohet me Zogun dhe Enverin, sepse për të mbetur në karrige, do të zvarritet para çdo urdhëruesi, si edhe gjarpri, çfarë ai kishte pagëzuar veten, me siguri duke njohur mirë tiparet e veta. 


Edhe ky, për të mbetur në pushtet, do të bëjë çdo gjë për vete dhe miqtë e vet. Për tetë vite rresht, nuk do të arrijë të plotësojë kushtet për anulimin e vizave dhe për këtë dështim kolosal, në vend të dëbohet nga skena politike, do të shpërblehet. Për tetë vite mirëpo do të lejojë rekrutimin e shqiptarëve për të vrarë arab, që nuk dinë të besojnë siç u pëlqen vahabistëve. 


Është herët mirëpo të caktohet vendi tij në histori, por me të mirat dhe të ligat shkaktuar Kosovës, mund të krahasohet me dëmet dhe të mirat e Enverit shkaktuar Shqipërisë. Për ta futur në kallëpin, që meriton, duhet ndriçuar edhe ato që nuk ka bërë, por ka pasur për detyrë. Vlera dhe antivlera, mu si edhe tek Enver Hoxha, janë emblemat e tij: engjëll dhe djall brenda një njeriu. Është karrierist kokëngjeshur.


Isa Mustafa

Nëse lexohet biografia e tij në faqen e kryeministrisë, aty vërehet se nuk ka përmendur shërbimin si nëpunës i Millosheviqit dhe Rrahman Morinës. Nuk mund të besohet se e ka mohuar për ta fshehur nga populli. Populli di këtë, por e ka bërë për ta fshehur nga vetvetja. Krenaria tij me biografinë, tregon se çfarë bindje ka për popullin. 


LDK qe shndërruar në një kazan, ku ishin hedhur për dezinfektim të gjithë të penduarit. Gabimi tepër i madh i Rugovës, ishte riciklimi i jugosllavëve, edhe pse duhej marrë nga prehri ku ishin hedhur, por jo të afroheshin aq shumë, sa të mund të marrin edhe pushtetin. Autonomia e serbeve është vepër e tij dhe e Thaçit. Kjo puq ata dy me Zogun. Mustafa si Mustafë, nuk ka as talent oratorik, as aftësi politikani, por është një Tartuf konsekuent, që arrin të mbijetojë çdo rend politik pa therë në këmbë. As prej tij, as prej Thaçit, nuk do të mbijetojë ndonjë mendim i nivelit intelektual. Është karrierist kokëngjeshur.


Epilog

Rugova është i vetmi shqiptar në shekullin XX, që ka depërtuar dhe mbetur në pushtet, fal dijes dhe universit të vet. I vetmi që ka prodhuar një lëvizje politike, që ka prodhuar një ideologji dhe me atë, u profilizua në botë. Zogu u përpoq të shkërbejë monarkitë e huaja. Enveri diktaturën e huaj, staliniste. 


Berisha demokracinë osmane. Thaçi vasalizmin osman. Për Edi Ramën është akoma herët të flitet, por nëse bazohemi në qëndrimet e fundit, edhe ky po sillet në mes liderit dhe antiliderit. Nëse arrin të ndërtojë një administratë moderne, një shtet ligjor, atëherë mund t'i falet çdo gjë. Me deklaratat e tij për Trumpin dhe Ardian Klosin, duket se gradualisht, i bashkëngjitet delirit të politikanëve shqiptarë, që kishin humbur kontaktin me realitetin.


Me pak fjalë, kjo ishte tipologjia e politikanëve psikopatë, që nuk arrijnë të ndërtojnë shteti ligjor, por shteti sundohet nga klane mafioze parapolitike, edhe atë, kudo që ne bëjmë politikë.


Tiparet e psikoptit



Libra nga Lis Bukuroca


Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisë, Hijedritat e jetës, Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


Keine Kommentare: