"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

01.05.2016

Mendime të trazuara, Gazeta SOT


Merreni lirinë, ua sollëm. Trazojeni si shkërdheci qumështin e ardhur. Bëjeni dhallë! Shkërdhejeni lirinë si të doni: njëri pas tjetrit, dy nga dy, në grupe apo së bashku. Nëse nuk e bëni, mund të vështroni dhe të kënaqeni duke parë si trajtohet ajo. Liria tani është e juaja, dhunojeni tok me shtetin! Ne nuk kundërshtojmë, sepse na keni bërë edhe neve mendjen bozë.

Shqiptarizmi dhe osmanizmi nuk mund të përshtaten. E para është liria dhe arsimimi, e dyta pushtimi dhe vendnumërimi. E para është sovraniteti, e dyta është vartësia. E para paguan tatime për vendin e vet, ose për hajnat e vetë, e dyta për pushtuesin, ose për hajnat e pushtuesit. Popujt kanë nevojë për miq, që i pranojnë, ashtu siç janë. Nuk është mik, ai që të vjen në shtëpi dhe të urdhëron se kush duhet të jesh. Ai është vetëm tutor!

Për popullin e Kosovës, duhet hequr vizat, por ato viza, duhet lënë në fuqi për politikanët kosovarë.
Pa përjashtim!
Si dhe çdo anëtari të një partie politike shqiptare, duhet ndaluar lëvizja e lirë dhe të mbyllen si në karantenë. Ekziston rreziku i përhapjes së epidemisë partiake fisnore, edhe jashtë Ballkanit.

Në vitin 81 në Prishtinë bërtisnim në rrugë: “Trepça punon, Beogradi ndërton!” Sot duhet bërtitur: “Kosova punon, komandanti ndërton!” Sido që të jetë, skena politikë kosovare ka përmbushur projektin e vet, d.m.th. varfërimin deri në palcë të Kosovës, çfarë nuk kishte arritur ta bëjë, as Jugosllavia e dikurshme. Komunistët vidhnin me ndërgjegje, sa për të ndërtuar një shtëpi, ose edhe një vilë. Shqiptarët e sotshëm, jo serbet, nuk mjaftohen me një shtëpi dhe një vilë, por u duhen edhe disa milion, për t'u krahasuar me snobët politik, cuba tjerë të Ballkanit, kurse populli, akoma shpreson, se ai që zhvat, një ditë sjellë edhe lumturinë.

Sille e pështille, sille si të duash, rrotulloje e prapoje, vështroje nga poshtë lartë, pastaj nga lartë poshtë, futu brenda e dil jashtë, laje e shpërlaje, shtrydhe mirë, pastaj vare të thahet, ose shpërbëje në grimca e studioje, por populli që duron mjerimin, të shpien me zor vetëm tek një konkludim: atij populli, nuk i duhet as lumturia, as atdheu, por vetëm një mundësi për të ikur sa më larg, ose një liri për mburrje të pakufishme, si gjeli mbi pleh. Krenaria shërben si sedativ, për të arsyetuar pasivizimin, për të arsyetuar mosveprimin dhe mungesën themelore të dijës, integritetit dhe dinjitetit, edhe atë, gati në të gjitha fushat. Kur një popull voton maskarenj, sistemi është maskarrallëk. Mundësi tjetër nuk mund të ketë.

Problemi jonë më i madh është shtrirja e ngushtë gjeografike: në një hapësirë aq të vogël, me një popull në pakësim të vazhdueshëm, kanë ushtruar ndikimin e tyre katolicizmi, ortodoksia, kanuni, islami dhe bektashizmi. Pesë kushtetuta janë përpjekur të prodhojnë një identitet me pesë të vërteta që përjashtojnë njëra tjetrën. Atyre pesë u është shtuar më vonë edhe komunizmi dhe i kemi bërë gjashtë. Asnjërën nuk kemi respektuar si duhet. Asnjërën nuk e kemi kuptuar si duhet. 
Ndonjërën çmuam nga frika, tjetrën nga interesi, ose duke pritur shpërblime. Gjashtë norma sociale, kanë prodhuar një mendësi çorbë, lesh e li, sa është rrënuar çdo kohezion dhe çdo koherencë. Nëse kombet tjera në Europë kanë vetëm një ndikim kushtetuese në jetën qytetare, një qëndrim kombëtar dhe një psikologji nacionale, ne kemi edhe pesë tjera, që kanë ndikuar në të gjykuarit shqiptar, në sjelljen tonë, në qëndrimet tona, në përditshmërinë tonë dhe kjo ka krijuar një çorbë-mendësi, sa nuk mund të merremi vesh as në mes vete, por jetojmë vazhdimisht në situata konflikti dhe përbuzje të ndërsjellë. 
Për ndikimet e jashtme, nuk jemi të vetëdijshëm. Janë bërë pjesë integrale e karakterit tonë pa qëndrime ndërlidhëse, por me trazime të vazhdueshme dhe kjo ndoshta është arsyeja, pse nuk mundemi pa tutor, gjersa kombet tjera për rreth nesh, po. Madje edhe Mali Zi i vogël.

Kur lexoj në gazeta për politikën shqiptare, ndihem në një diskotekë të errët, diku në një bodrum, ku vetëm nëpër rafte të dritareve, ndriçojnë pakëz disa kandelabra qirinjësh, kurse në fund të bodrumit, ku nuk u shquhet surrati mirë, përdridhet një ansambël idiotësh dhe bën shamatë, duke qenë i bindur se po bën muzikë! Në atë errësirë gati tërësore, një turmë e madhe vështron edhe pse nuk ka mundësi të perceptojë diçka, pos dëgjimit. 
Disa të tjerë përpiqen të vallëzojë duke tundur vithet. Ansambli kalamendet nën ndikimin e kanabisit, kurse turma ndihet e dehur nga rasoji dhe ndikimi i idiotëve. Të gjithë kritikojnë errësirën, por të gjithë dremisin. Në fund, kërcyesit mendojnë se u kënaqën duke kërcyer, turma mendon se përjetoi kënaqësi, ndërkaq, ansambli i idiotëve, është i bindur se po krijon art muzikor. Kështu zbardhin ditën të lumtur, duke duartrokitur hipokrizinë e njëri tjetrin!

Ku shkon njeriu pas vdekjes? Aty ku e fusin: në një gropë dhe nuk del kurrë jashtë.Sepse nuk mundet. E shpirti?
Shpirti vdes me trupin e gjallë, sepse vetëm trupi i gjallë, mund të ndërtojë një shpirt. Me vdekjen e trupit, merr fund edhe shpirti. Nëse prishet një hardware, është vetëm teneqe. Software nuk ngjallet kurrë. Njeriu pas vdekjes është vetëm kufomë dhe kufomat nuk shkojnë askund.

Kur të vdes një ditë, mos u dëshpëroni aspak. Përkundrazi, pini një dolli për mua. Pini një gotë verë apo një gotë dhallë të trazuar nga kosi. Bëni gosti për mundësinë që patëm të njihemi. Për bashkëbisedimet, por mos u pikëlloni, sepse unë nuk mund më të pikëllohem për Ju. Sepse, pas meje do ta keni ju radhën. Kam jetuar jetën sipas bindjeve të mia, aq sa ma lejuan rrethanat politike. Vdekja krijon vend jetës. Jeta vdekjes. Jeta është dhuratë dhe fat, fat dhe dhuratë është dhe vdekja. Jeta është një zgjidhje, zgjidhje është edhe vdekja. 
Duhet qarë vetëm për ata, që nuk kanë kuptuar, se kemi vetëm një rast dhe kemi ardhur për të realizuar ndonjë ndryshim, që mund të sjellë paqe në mes njerëzve dhe për ta bërë jetën sa më të drejtë, sa më të lehtë, sa më të durueshme, sa më të kuptueshme, dhe sa më të lumtur. Paraja nuk është është jeta. Jetë është ndarja e lumturisë me të dashurit. Paraja është një mundësi, jeta është një shans. 
Kur nuk mund ta ndryshojmë botën, mund ta ndryshojmë vetveten dhe sjellim lumturi së paku aty, ku na takon, në familje! Njëri nga shkaqet, që dëmton lumturinë, është pikërisht paaftësia për të pranuar diversitetet. Njëllojshmëria shkatërron llojet. Kur të kemi një raport të shëndoshë me vdekjen, atëherë kemi edhe një qëndrim të shëndoshë ndaj jetesë dhe dallimeve. Kjo botë është e bukur, pse ka shumë lloje, shumë mendime dhe shumë bindje. Është e bukur kjo jetë, sepse patëm mundësinë për të vepruar dhe për të lënë ndonjë vepër të përdorshme për pasardhësit, që do ta kenë fatin tonë.

Shumë nëna kanë vdekur dhe do të vdesin pa pasur mundësinë ta përjetojnë lumturinë e jetës. Lumturia e një populli matet me respektin ndaj gruas. Kur populli mashkullor jeton i lumtur, popullsia femërore e dëshpëruar, atëherë mund të flitet për çrregullime të mëdha psikike në një shoqëri. Aty ku shtypet gruaja, nuk ka dashuri; aty shenjtërohet vetëm sakrifica e saj. Shtypja bëhet nga trishtimi irracional i shtypësit dhe nga mungesa e drejtpeshimit shpirtëror, jo pse e meriton e shtypura. Aty ku burri mburret me pezullimin e lirisë së gruas, por vet pëllet tërë ditën për demokraci, aty akoma nuk kanë kuptuar se demokracia jashtë, nuk mund të funksionojë, nëse rrënohet ajo në familje. 
Vuajtja për nënën mund të quhet empati, por trajtimi i nënës së fëmijëve sot, ashtu si u trajtua nëna dje, është sëmundje. Ata që vuajnë për nënën pse i mungoi lumturia, por i rrëmbejnë lumturinë bashkëshortes, nuk kanë kuptuar jetën dhe fëmijëve të vet, u falin trishtimin, siç e kanë marrë ata vet, kur ishin të vegjël. Dhembshuria për nënën, por kënaqësia duke shtypur bashkëshorten, flet për çrregullime të mëdha, për hipokrizi dhe për mungesën e dashurisë së sinqertë ndaj nënës.

Bibla: Gjeneza: 16. Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit." 17: Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur". Domethënë njeriu, që ishte në parajsë, nuk ishte në gjendje të dallojë në mes të mirës dhe të ligës, në mes keqbërjes dhe mirëbërjes. Pasi hëngrën mollën Eva dhe Adami, kuptuan se ishin cullak në parajsë. A mund të dallojë majmuni në mes të mirës dhe të ligës? Jo! A di majmuni, a është i veshur apo lakuriq? Jo! Nuk e di. Kjo domethënë se monoteizmi pranon se njeriu ka origjinën prej majmunit dhe se kur ishte në kopshtin Eden (parajsë) ishte akoma majmun. Dëbimi duhet të ketë ndodhur para shtatë milion viteve
dhe dijetarët në bazë të gjeneve, përkufizojnë epokën, kur jemi ndarë prej kushërirëve tanë, majmunëve

Gjenetika dëshmon një fakt: burrat kanë më shumë ngjashmëri gjenetike me majmunin, sesa me gruan. Dallimet nga majmuni janë vetëm 1, 5 përqind, me gruan, deri katër përqind. Kjo tregon se me një banane, mund të pengohet trazimi i keq i burrave. Monoteizmi nuk pranon origjinën fizike të përbashkët me majmunin, por pranon se për nga inteligjenca, në parajsë, ishim majmun të rrastë, sa nuk dinim çfarë është e mira, çfarë është e liga, e çfarë pornografia! Politikanët tanë mirëpo akoma janë në parajsë. Nuk kanë ngrënë asnjë mollë dhe nuk kanë fituar njohurinë për të dalluar në mes të mirës dhe të ligës! Dhe, për inat të popullit, nuk kanë as ndërmend të hanë molla!

Gazeta SOT


Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


Keine Kommentare: