"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

17.09.2016

Diasporë, erdhi çasti të kthehemi në atdhe! Bota Sot

Një Super Kelmend qenka nervozuar shumë dhe paska premtuar 1.000.0000 vende pune për 6 vjet në Kosovë. Kur patën premtuar nga qindra mijëra Berisha, Thaçi dhe Mustafa, pata menduar se ose janë gati për psikiatri, ose mendojnë se kanë popull duduk para vete.

Atë Kelmend nuk e pranon as psikiatria! Nëse e ka thënë në ndonjë kopsht të fëmijëve, atëherë mund edhe të kuptohet, por nëse i besohet, atëherë psikiatrisë mund t'i drejtohemi ne besimtarët e tij. Nëse vërtetë para fëmijëve të nj kopshti, atëherë shtrohet pyetja, pse tre muaj e gjysmë para Vitit të Ri ?

A është në vete ky pellazg apo jo? Mustafa pat premtuar 120.000, Hashimi 200.000. Ata dy krijuan dy vende pune për vete dhe disa për miq të vet. Çfarë domethënë ky lajm tani me 1 milion vende pune? Çfarë ka ndërmend të bëjë zoti Kelmendi? Çfarë po na përgatit apo çfarë kërkon prej popullit, ose po e thotë për ta nervozuar Pacollin? Kosova edhe nëse i punëson edhe plakat 90 vjeçare, edhe fëmijët një vjeçar, vështirë të grumbullojë një milion, që dëshiron të mbetet në Kosovë, ose një milion që dëshirojnë të punojnë. Shumë janë mësuar të punojnë nga djersa e huaj. Ata nuk mund të zgjohen në orën pesë apo gjashtë.
Nëse ai vërtet arrin atë rezultat, unë më mirë po bëj gati valixhen se besimi nuk më kushton aspak, atëherë do të fitojë të gjitha çmimet e botës, ndoshta edhe gjashtë herë Nobelin. Kam menduar gjithmonë se kemi njerëz shumë të mençur, por idiokracia nuk u jep mundësinë. Tani u deklarua njëri prej tyre dhe ta ndjekim pas dhe ta ndihmojmë. Kosova mund ta patentojë Kelmendin dhe ta shesë si trajner dhe kështu shpëton edhe Azinë, edhe Afrikën, edhe Amerikën Latine.

A është mirëpo mirë ta ndihmojmë? Kur të realizohet plani tij, Kosovës do t'i duheshin diku 500.000 gastarbajter dhe mori fund homogjeniteti i kombit kosovar. A është e mundur se Kelmendi përpiqet ta ndryshojë gjendjen etnike në Kosovë? Jo, kjo nuk mund të merret me mend. A është e mundur se të pasurit dalldisen? Kjo është e mundur! Edhe të mjerët mund t'i përzdredhë kjo derexhe! Nëse mirëpo Qeveria nuk e mbështet, për moskrijimin e atyre vendeve të punës, do të akuzohet ajo. Nëse e lejon dhe krijohen, shembet presidenca dhe qeveria. Kosova është në gazep emocional. Nëse Kelmendi tani themelon një parti, a mund të gjenden 1 milion të rritur apo të interesuar për religjionin e ri? E mundur! Nëse i paguan, po!

Nuk di a ka deklaruar diku origjinën e tij, se nesër na e përvetësojnë serbet apo maqedonasit. Dhe, të shpresojmë se nuk merr vesh Qeveria kineze. Ky atje mund të krijojë diku 600 milion vende të punës dhe pastaj, i ndërrojnë edhe emrin dhe e bëjnë monosilabik: Kel Mee Çu A je Me men!

Jam i hutuar shumë. Nganjëherë më bën ky lajm shumë pesimist dhe mendoj se ai është i bindur se ne jemi idiotë. A është e mundur kjo? Nuk di! Nuk mund të besohet, por mund vetëm të dyshohet!
A është e mundur se ka dashur të provokojë Mustafën dhe Thaçin dhe tash ata dy shfaqen me lajmin tjetër taze, se këta dy së bashku, do të krijojnë 2 milion vende pune dhe Kosova mbushet me auslander?

Dreq o punë! Ti ke ndërmend të kalosh një fundjave normale, vjen tjetri dhe t'i ndryshon krejt planet dhe Ti në vend se të dalësh në qytet, i zhuritur për atdheun, nisë dhe përgatit valixhen. Vjen shoqja dhe të pyet e trishtuar: Ku po shkon me atë valixhe? Ti i thua se po e le në bodrum gati, se me 17 shtator 2022, kthehemi në atdhe dhe meqenëse do të ketë shumë gastarbajtera, atëherë bëhemi drejtorë. E si të bëhemi pa ato profesione që kërkon tregu ekonomik, pyet ajo. Ti buzëqeshësh pak dhe i thua: Oj zonjë, sapo të zbresim në aeroportin e Erdoganit na presin me lule, pastaj marrim një taksi dhe drejt tek fakulteti ekonomik dhe cak eurot, cak diploma. Qeveria jonë ka përjashtuar mundësinë të abuzohet me shqiptarët, që dëshirojnë të bëhen intelektual. Ajo tund kokën dhe të akuzon se po i beson përrallave. Ti e vështron përsëri i buzëqeshur dhe i thua se si përralla, janë nisur edhe religjionet, por ja që miliarda njerëz i besojnë. Ajo humb durimin dhe me zë të lartë të urdhëron ta zbrazësh valixhen. Ti si burrë i fortë refuzon. Ti zbret në bodrum fut valixhen në një raft dhe ulesh poshtë, thua se po pret një telefonatë për t'u kthyer atje si drejtor. Sapo të bie ndërmend se nuk ke raporte të mira as me Thaçin, as me Mustafën e as Adem Grabovcin, të dobësohen këmbët. Pa pirë kafe me këtë të fundit, njeriu në Kosovë nuk bëhet as gjykatës, e as prokuror, aq më pak drejtor i një ndërmarrjeje.

Sidoqoftë, një milion vende të punës, si ide, duket shumë eksituese. Nuk është me rëndësi a krijon Super Ramiz Kelmendi ato vende apo jo, me rëndësi është heroizmi tij për të shqiptuar atë mendim!

Keine Kommentare: