"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

03.12.2016

Ibrahim Rugova dhe UÇK, Zëri

Shpallja e Rugovës tradhtar, ka pasur vetëm një qëllim: marrjen e pushtetit nga ata që Rugova i kishte refuzuar, ose shpërfillur. Në krye të atij orkestrimi ishte Rexhep Qosja dhe me diskursin e tij, më i pasionuar dhe më i bindshëm. Ai dinte se Rugova nuk takohej me politikanë botëror për Serbinë, por për të krijuar empatinë nevojshme dhe përfituar përkrahjen, megjithatë, e konsideron tradhtar! Rugova vdiq, ata që deshi Qosja morën pushtetin dhe jemi aty ku jemi, përsëri as të lumtur, as të gatshëm për të qëndruar brenda, por presim me padurim anulimin e vizave. Një gjë por mund të thuhet qysh tani: me Rugovën vizat do t'ishin hequr vite më herët. Ai ishte dhe kishte autoritet në Perëndim.

Sado të ketë bërë mirë UÇK, komandantët e saj e kanë dëmtuar pas luftës! Ajo nuk mund më të mbrohet nga jashtë, sepse imazhi i është rrënuar nga brenda. Për historinë do të ketë vlerë, sot e kanë rrënuar më shumë se sa arriti ta bënte Millosheviqi dhe Serbia me Rusinë! Madje, për ta përfunduar komedinë patriotike, prodhuan edhe një armatë të veteranëve, që do të kushtojë më shumë se sa ushtria e nesërme!

Sikur Qosja të kishte bërë apel për festim të përbashkët pas luftës, - për çfarë kishim miliona arsye - sot do të kishim pasur shtet, jo blegtoral, siç e quajti ai veprën e vet. E quajti ashtu për të mënjanuar emërtimin “katundar”, siç mendonte në fakt ai!

Qosja ndau shqiptarë në tradhtarë dhe atdhetarë dhe kështu, nuk vlerësohej më dija, por kategorizimi arbitrar, nga bindjet subjektive! Ai ndihmoi në ndërtimin e shtetit si të partizanëve, ku madje edhe sfilatat, edhe procesionet, ishin mu si edhe ato të Titos! Jo vetëm kjo, por ia mbushën mendjen ta sekuestrojë lirinë dhe krejt kontributin e para luftës. Si pasojë, është normale, u uzurpua edhe shteti.

Një injorant nuk mund të përçajë një popull, sa mund ta bëjë një akademik i nivelit të Rexhep Qosjes. Fati jonë i madh ishte Rugova dhe UÇK, si i pari, si e dyta, janë histori të një suksesi kombëtar. Tradhtarët e vërtetë janë duke punuar për Serbinë dhe në veprat e tyre, lexohet paguesi, por ne, u besojmë shpjegimeve të kolonës së pestë! Udbashët e djeshëm, nuk janë shfarosur nga ndonjë epidemi, por gjenden akoma dhe bëjnë punën e tyre të papenguar! Sespe ne kërkojmë tradhtarin aty ku na pëlqen të ishte, jo aty ku është!

Ata që degradojnë kontributin e Rugovës dhe UÇK-ës, pikërisht ata kultivojnë përçarjen dhe defaktorizimin nacional. Një komb ka dhe një sedër kolektive, kur ajo shndërrohet në fragmente, në poçavër, atëherë as dreqi nuk i bie më në fije. Njerëzit dhe shteti sillen si patat në mjegull. Nëse nuk gaboj, ne jemi tashmë aty: shpërbërja është përmbaruar dhe Perëndimi na detyron të durojmë njëri tjetrin dhe ne shtiremi se kemi kuptuar sistemet dhe nënsistemet e demokracisë. Në fakt, kemi kuptuar vetëm si vidhet, si vritet dhe si zhduken gjurmët. Më shumë jo! E duam drejtësinë dhe demokracinë jashtë, gjersa e rrënojmë në shtëpi!

Sot në një raport të Deutschlandfunk, një zyrtar i Palermos tha:" Merreni me mend, para vrasjes së Falcones dhe Borsellinos, kryetari i Palermos ishte pjesëtar i mafies..." Sigurisht kjo ka qenë arsyeja pse mafia vepronte e papenguar, kriminelët nuk ziheshin, nuk gjykoheshin, por kryetari me fjalë, ka sulmuar krimin, kurse prokurori, nuk ka pasur guxim të ngrejë akuza.
Ju duket e njohur kjo gjendje? Atëherë dini mirë se në çfarë epoke jetojmë dhe pse nuk mund të zhduket krimi!
Albert Camus frikën nga lufta konsideronte arritje qytetare të shekullit XX. Pra, frika nga lufta, nga vdekja ishte normale. Në shoqëri tribale, ndodh e kundërta. Hyjnizohet vdekja, jo dija! Dija quhet oportunizëm, ose tradhti! Në fakt, çdo angazhim tjetër dhe çdo njeri që nuk është i gatshëm ta vejë kokën në cung, quhet tradhtar! Ata nuk njohin dhe nuk perceptojnë mënyra tjera të angazhimit!

Në një shoqëri postheroike, mund të kuptohet një intelektual si Rugova, një pacifist, por kurrë jo në një shoqëri me mendësi fisnore, ku ekziston kulti i heroizmit, martirizimit dhe kulti i sakrificës, ku pastaj çiftelia apo sharkia prodhon balada!
Aty konsiderohet më i madh një njeri, që i shan nënën një polici, se sa një filozof i madh, që lufton në themele pushtimin. Madje, i pari konsiderohet trim dhe patriot, i dyti tradhtar dhe tuc. Aty njohin vetëm dy mënyra ekstremiste logjikimi dhe procedimi: sakrificë, ose tradhti, ndërmjet nuk ka asgjë!

Rugova ngriti çështjen e Kosovës në një problem të botës së qytetëruar, çfarë nuk e bënë dy akademi shqiptare. Edhe kurdët, edhe palestinezët, mendojnë se me kryengritje mund të çlirohen, por ja ku janë edhe sot, sepse u mungon njeriu i urtë, i cili do ta ngrinte çështjen e tyre në problem të ndërgjegjes njerëzore!

Nëse i shpallim të gjithë tradhtarë, atëherë duket se kemi humbur kontaktin me realitetin, sepse jemi komb i vetëm, ku tradhtarët me pasion, angazhohen për lirinë e kombit!
Po e vërteta? Teorikisht mundësoi çlirimin e Kosovës Rugova dhe UÇK, praktikisht e çliroi NATO. Qosja duhet falur se ka kuptuar gabimin e vet sa i përket atyre që ua trasoi rrugën, por në raport me Rugovën, nuk mund të shëlbohet, e as nuk do të kërkojë kurrë ndjesë. Në psikologjinë e tij, nuk ekziston pranimi i gabimit dhe kërkimi i ndjesës, por në mënyrë krejt subtile, ndryshimin e qëndrimit.

Rugova nuk mund më të bëjë gabime, por këta që kemi, nuk pushojnë së gabuari, sepse ndarja që u bë pas luftës, prodhoi një klimë kaotike për shtetin e ri. Kosova nuk ka kuadër për të mbajtur në këmbë aq shumë parti, që mendojnë se mund të drejtojnë një shtet.



Keine Kommentare: