"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

10.02.2017

Përgjigje Ibrahim Kelmendit, Bota Sot

Të kisha borxh një përgjigje kur pate kundërshtuar artikullin "Rugovizmi nuk është gandizëm." Nuk të pata kundërshtuar nga respekti për veprimtarinë Tënde. Këtë herë të premtova se do të përgjigjem dhe po mbaj premtimin publik.
Merre me mend se jemi të ulur këmbëkryq në një shilte dhe Ti i nderuar Ibrahim Kelmendi, m'i shtron ato 20 pyetje për Ibrahim Rugovën, që ia paske shtruar Pal Shtufit, kurse unë të përgjigjem në bazë të njohurive modeste që i posedoj, por duke u përpjekur të vejë gishtin mbi desktruktivitenin e konstatimit Tënd, rrjedhimisht, besimit. Si atë që e lufton Ti, si dikur Voltaire!

Në fakt bindja ime është se pa pacifizmin e Rugovës, do t'ishim sot në gjendjen e kurdëve; pa asnjë përkrahje nga jashtë, por edhe vetëm me pacifizmin e Rugovës, nuk do t'ishim çliruar ndoshta edhe 20 apo 30 vjet. Por, vetëm me UÇK-në dhe pa Rugovën, do t'ishim akoma nën Serbi!

E thash të imagjinojmë njëri tjetrin të ulur këmbëkryq, e jo në një tryezë, sepse stigmatizimi i Rugovës si tradhtar, jo vetëm se shkel konceptet e sotshme humaniste filozofike mbi tradhtinë, por është përkufizim krejtësisht rural dhe tribal, prandja na duhet shilte, ose minder. Rugova ishte i urtë dhe i qetë për nga natyra dhe kishte frikë nga lufta, ose urrente luftën. Serbët ia kishin vrarë të atin dhe kishte shumë arsye të mos bëhej shkaktar për vdekjen e të tjerëve. Nëse ka pasur frikë nga lufta, këtë emocion psikologët konsiderojnë si emocion të shëndoshë, sepse për nga natyra e vet, njeriu duhet të ketë frikë nga rreziku. Në shoqëritë fisnore, frika përbuzet dhe konsiderohet mungesë burrërie. Camus do ta kishte konsideruar Rugovën trim, por askund në botë, ku kultivohet ndjenja e sakrificës, martirizimit dhe vetëflijimit, pacifizmi nuk konsiderohet një ideologji politike, por një tradhti. Viktimë e këtij paragjykimi je Ti dhe shumë të tjerë. Kjo ishte sa për fillim. Tani t'i kthehemi pyetjeve Tua.

[1] Gjatë studimeve IR u bë kryeredaktor i organit të LRS “Bota e re”. E di Ti, si dhe kush caktohej atëherë për kryeredaktor dhe çfarë përcaktimeve ideopolitike komuniste duhej të posedonte kryeredaktori?
Nga vitet e 70 e këndej, Kosova kishte një liri më të madhe dhe të gjitha ata që i shërbenin atij sistemi, nuk quheshin tradhtarë, këtë nuk e bën as Ti, as Rexhep Qosja. Për atë epokë, nuk do të ndalem shumë sepse “rilindësi” i fundit ka konsideruar publikisht si dekadë të përparimit shqiptar në Jugosllavi, jo vetëm me elozhen për Titon, por atë qëndrim ka përligjur edhe më vonë. Meqenëse Qosja atë kohë vlerëson si pozitive, atëherë nuk ka asnjë arsye ta gjykojmë negativisht postin e Rugovës si kryeredaktor të Botës së Re.
[2] Pa plotësuar kriteret statutare u punësua në Institut Albanologjik, me urdhër të Komitetit Krahinor. Aty ai formoi aktivin e OTH të LKJ dhe u bë sekretar i saj. Di Ti, përse e ka dërguar Komiteti Krahinor IR aty dhe për çfarë arsye e ka themeluar LLK dhe përse është bërë sekretar?
Nuk posedoj njohuri për pranimin pa plotësuar kriteret. Di se Rexhep Qosja ishte drejtor i Institutit Albanologjik dhe nga pozita që kishte, është dashur ta pengojë, por meqenëse nuk e paska bërë, ka parë të nevojshme të bëhet anëtarë i LKJ, ku Rugova ishte sekretar. Dhe ka bërë mirë se ka dhënë kontribut më të madh. Pra, meqenëse ishin kolegë partiak, është mungesë serioziteti dhe koherence njëri të merret si atdhetar, tjetri si tradhtar, sepse ishin në të njëjtën parti. Natyrisht se mund të pohohet mendimi Jot, por vetëm duke qenë të ulur këmbëkryq e jo në një tryezë. Pra duke gjykuar si në vitet e 30.
[3] Pas shpërthimit të demonstratave në Pranverë 1981 Komiteti Krahinor e ngarkoi të drejtonte edhe njëfarë komisioni për të luftuar nacionalizmin shqiptar. Përse e përzgjodhi Komiteti Krahinor IR?
Pyetje shumë interesante, por ka dhe kundër pyetje: Pse Qosja iku para diferencimit duke u arsyetuar si nxënës se gjoja kishte nënën të sëmurë? Nuk po e sjell Qosjen për ta zvogëluar, sepse ai nuk mund të zvogëlohet. Atë e kam lexuar shumë dhe njoh shumë mirë meta gjuhën e rezonimit të tij, por dua vetëm të nxjerrë paralele të paqëndrueshme në vlerësim dhe definim.
Pyetja e katërtë nuk meriton përgjigje, sepse nuk dëshmon asgjë.
[5] Pas Pranverës 1981 filloi gjuetia e shtrigave kundër shqiptarëve. Flitej e shkruhej se rreth 400 mije shqiptarë u “përpunuan” nga strukturat policeske gjatë atyre 3-4 viteve pasuese. Qenë burgosur e dënuar edhe qeveritarë e intelektualë eminent, si Ukshin Hoti, vetëm pse përkrahu paqësisht kërkesën Kosova-Republikë. IR ISHTE pjesëtarë e strukturave diferencuese dhe presekutuese. Di gjë, përse IR nuk pati asnjëherë përplasje me struktura policeske e komuniste gjatë gjithë jetës se tij?
Edhe pse në vitin 82 isha absolvent, nuk më ka rënë në sy Rugova si lider i luftës kundër irredentizmit. Po, Ukshin Hoti përkrahu dhe përfundoi. Ishte ndoshta i vetmi politikan profesionist, por nuk e deshën as nuk e kuptuan si duhet as elita shqiptare. Ka pasur shqiptarë që kanë qenë të detyruar të mbajnë pozita edhe në atë kohë. Njerëzit kishin familje dhe duhej të punonin. Nuk është i lindur çdo njeri për t'u bërë hero. Nuk ishte as Rexhep Qosja i tillë apo jo? Dhe, me atë qëndrim, kanë krijuar mundësi të japin kontribut më të madh se sa të vdesin për t'u mburrur pastaj frikacakët me veprat e tyre.
[6] Ndodhi rrebelimi i disa personaliteteve të Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës. Komiteti Krahinor duhet të jetë urdhëruar ta disiplinonte. Rrahman Morina është angazhuar që ta impononte IR për kryetar të dhunshëm, pa qenë fare shkrimtar. Shumica e shkrimtarëve ishin për Anton Pashkun, por ai nuk ishte anëtar i LK. Përse e përzgjodhi Rrahman Morina pikërisht historianin e letërsisë IR shqipe për kryetar të Lidhjes?
Nuk di pse Rrahman Morina ka parapëlqyer Rugovën, as nuk di se ishte dëshirë e tij, por askush, askujt nuk ka mundur t'ia ndalojë të drejtën për t'u bërë hero. Sidoqoftë, Rugova është shkrimtar, jo i romaneve, por kritikë letrar.
[7] Deri në vitin 1999 pat mbajtur me ndonjë Kuvend Lidhja e Shkrimtarëve dhe a pati më rrebelime të saj si deri atëherë?
Meqenëse nuk qenka rebeluar askush, kjo shpjegon filozofinë e tij se pse kundërshtonte dhunën dhe rebelimin edhe më vonë. Kjo flet për filozofinë e tij jetësore, jo për tradhti. Si mundi Rugova tua ndalojë atyre rebelimin? Sikur vërtetë Rugova do të kishte pasur atë fuqi për ta heshtur Lidhjen e Shkrimtarëve, atëherë do ta kishin bërë kryetar të Kosovës! Atëherë i jepen fuqi mbinatyrore, çfarë ti nuk i dëshiron!
[8] Edhe Mahmu Bakalli më pat rrëfyer, se ishte befasuar kur e kishte pa kërkesën e IR për të paraqit kumtesë shkencore për Titon, në simpoziumin shkencor të Akademisë, dedikuar Titos. E ke lexuar ndonjëherë atë kumtesë dhe, nëse po, cili është komenti Yt për te?
Shiko tani mungesa e seriozitetit dhe qëndrimit! Po mblidhen fakte që çojnë për të dëshmuar një tradhti të besuar paraprakisht, jo të supozuar, por të besuar si dogmë fetare. Pse qenka Mahmut Bakalli personi që mund të konsiderohet i besueshëm, derisa kishte shërbyer atij pushteti dhe ecte me pushkë gjuetari nëpër mes të Prishtinës thua se ishte Shote Galica? Pse Ti quan tradhtar një njeri që ka shërbyer në periferi të LKJ-ës, por jo atë që ishte në majë të saj? Pyetje për Ty: A ke lexuar elozhen e Qosjes për Titon? Pse kryeshërbëtori i Titos nuk është tradhtar, Bakalli, por Ibrahim Rugova? Pse Fadil Hoxha jo, që mbronte Qosjen, por Ibrahim Rugova që ka qenë sekretar në Institut?
[9] Në qershor 1989 “gazetarja” Renate Flotau, që në Gjermani njihej jo vetëm si serbofile, por edhe si spiune e UDB-së, bëri intervistë me IR. Përse pikërisht ajo e gjeti IR për ta afirmuar si shkrimtar, pa qenë shkrimtar dhe pa qenë personalitet reprezentues intelektual?
Ajo ka të drejtë të jetë serbofile, siç ka edhe shumë shqiptarofilë, si shumë albanologë për shembull, por një albanolog, nuk domethënë se është edhe spiun shqiptar, apo jo Ibrahim Kelmendi? Po, pse zgjodhi Rugovën? E zgjodhi sepse ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe nëse të kujtohet intervista, Rugova pat thënë se mund të shpërthejë lufta. Për të bashkuar mozaikët, tani dëshiron të thuash, se urdhri erdhi nga Beogradi, gazetarja e Spieglit si spiune serbe, e përmbaroi për ta ngritur Rugovën. Ibrahim i dashur, uroj të mos marrë vesh Flotau se mund të përballesh me ligjin gjerman. Ti din mirë se në Gjermani nuk mund të shpallen njerëzit spiun pa fakte! Dhe atë detyrë ka gjykata!
[10] Në dhjetor 1989 Jusuf Buxhovi themeloi LDK-në, duke ua prezantuar kolegëve të tij në program të shkruar në serbisht (“Vite të humbuara”, Mehmet Kraja). Mendon se një kuadër i UDB-së, siç ishte Jusuf Buxhovi, e kishte atë iniciativë autentike (individuale), ose zbatonte urdhër? Dhe ai JB e përzgjodhi IR për kryetar dozhivotni (të përjetshëm) të LDK-së. Përse pikërisht IR?
Nuk dija se Buxhovi ka themeluar LDK-në. Di se ishte iniciativë e shumë intelektualëve dhe di se i është ofruar Qosjes posti, por nuk kishte pasur guxim të pranojë. Ndoshta ishte nëna tij e sëmurë. As nuk besoj se Buxhovi është tradhtar. As nuk besoj se ai vet arriti t'i shndërrojë në kope pa tru gjithë ata intelektual, që iu kishin bashkëngjitur LDK-ës në fillim. Thjesht nuk mund të besoj sepse më duhet ta imagjinoj Buxhovin si Superbuxhov, i cili arrin të sugjestionojë, të manipulojë dhe t'i shndërrojë në bagëti gjithë ata alamet doktorë dhe akademikë!
[11] Në “zgjedhje të lira”, “demokratike”, “pluraliste”, siç shpifnin marionetat e kuislingët shqipfolës të Beogradit, për të minimizuar edhe marrjen e autonomisë nga Serbia neofashiste, si kandidatë për “kryetar” ishte vetëm IR. Përse?
Rugova kishte zgjedhur rrugë institucionale. Këtë rrugë përkrahte Papa, si udhëheqës shpirtëror i mbi 1, 7 miliard katolikëve, këtë rrugë përkrahte perëndimi. Po më thuaj të lutem, kush do të kishte pasur shans më të madh, kur LDK atëherë kishte diku 700.000 anëtarë, gati krejt Kosovës e moshës madhore? Po kush internacionalizoi çështjen e Kosovës? Ishte Hashim, Bedri Islami, Jakup Krasniqi, Bardhyl Mahmuti, Ti ? Ke parë respektin ndaj Rugovës dhe ke mundur ta shohësh ditën e varrimit? Mendon se CIA apo shërbimet sekrete europiane ishin shoqata dudukësh dhe nuk dinin se Rugova ishte spiun i tyre, por këtë dinë vetëm ata që kanë mendjen kalavesh si Ti, Qosja dhe ndonjë tjetër? Vërtete Ibrahim Kelmendi beson se Clintoni dhe Papa dhe Tony Blair, po mbështetnin një spiun serb, sepse shërbimet e tyre ishin lapera, katundar, që nuk kuptojnë spiunazhin në botë?
[12] Deri në vitin 1998 ai bëri turizëm politikë me pasaportë të Serbisë. Nëse ishte në interes të pavarësisë së Kosovës dhe në dëm të Serbisë, përse regjimi neofashist serb e toleronte, i jepte pasaportë, ia hapte kufirin dhe e privilegjonte e ruante si të ishte ministër në qeverinë e Milosheviqit?
Ky pohim është në kundërshtim me logjikën e shëndoshë njerëzore. Turizmi politik nuk bëhej për interesa të tij, por ishte zëri i Kosovës së pafuqishme: artikulonte gjendjen e saj, mjerimin e shkaktuar, por atij i qe thënë qartë, se nuk do ta mbështetnin nëse nisë luftë, prandaj edhe Vatikani ishte në anën e tij. Pasaporta kanë pasur të gjithë dhe ky nuk është fakt që flet për tradhti,. Edhe sot kanë blerë. Me pasaporta të Millosheviqit kanë udhëtuar të gjithë ata që vepronin brenda. Edhe Sami Frashëri ka udhëtuar me pasaportë osmane dhe kjo është normale, kur je pjesëtar i një shteti. Serbia nuk mund t'i ndalonte udhëtimin një njeriu paqësor, sepse Perëndimi do ta detyronte Millosheviqin ta ndryshonte qëndrimin.
[13] Meqë ai ishte “president” i republikës (virtuale) të Kosovës, di Ti, nëse në cilësi të presidentit të ketë firmosur ndonjëherë dokument, dekret e ligj, edhe për të kompensuar mos funksionimin e Kuvendit të Kosovës?
Përsëri po humb seriozitetin. Më lartë tha se diku 400.000 veta u trajtuan nga policia, tani pyet pse nuk aktivizoi Kuvendin? Pse nuk u kthye LPK ta aktivizojë? Kush ia ndaloi apo kush mund t'ia ndalonte?
[14] Ke informacion konkret, kush i pagoi të hollat për të ble vilën në Velani të Prishtinës për “rezidencë presidenciale”, dhe me të kujt të holla ajo “rezidencë” u rrit në pallat gjigandoman (pa asnjë leje ndërtimi) dhe si ndodhi që ajo “rezidencë” të tjetërsohej në pronë private e IR?
Nuk di kush e bleu atë. Mund të supozoj me paratë që jepnim ne në Perëndim. Nëse kjo bën tradhtar, atëherë duro pyetjen vijuese: Ku mbaruan paratë e fondit me emrin patetik“Vendlindja Thërret”. Nëse për Rugovën qenka inkriminuese shtëpia, pse disa miliona të zhdukur nga fondi Juaj, nuk ju bën juve tradhtarë, por patriotë? Si është e mundur themeluesit e fondit Vendlindja Thërret, të dëmshpërblehen për angazhim dhe ta vjedhin vendlindjen?
[15] Di Ti, kush vendosi që ti paguhen qira 10 mijë USD në muaj Familjes Rugova, pse IR banonte dhe kishte “zyrën” në pallatin e tij?
Nuk di, por nëse mendon se i pagoi Millosheviqi, silli provat.
[16] I di Ti shpifjet e IR për UÇK-në dhe përse i bënte ato shpifje?
I di. Nuk e quaj të drejtë, por ai kishte dhënë premtime atyre që na çliruan më vonë, se nuk përkrah kryengritje. Mendimi tij nuk ka dëmtuar UÇK-ën. Vetëm dëshmoi se kemi dy lëvizje. Lëvizja tij nuk po sillte më rezultate dhe me paraqitjen e së dytës, filozofia pacifiste mori fund. Kryengritjen dëshpëruese Perëndimi kuptoi. Rugova kishte duruar shumë, edhe ata e kuptonin. Kjo na bëri neve popull viktimë dhe rriti në qiell empatinë ndaj nesh. Në kohën e Rugovës shqiptari shihej ndryshe: si popull paqësor, si popull i civilizuar, pa fanatizëm fetar, si popull pro perëndimor dhe popull që duhej ndihmuar. Gati të gjitha mediat perëndimore ishin në anën tonë. Falë qëndrimit të Rugovës. Prej nga erdhi ajo simpati ndaj nesh? Nga turizmi politik i LPK-ës? Çfarë bëri UÇK? Ajo përshpejtoi procesin, por nuk çliroi asgjë, as Mitrovicën! Ju që shpallni Rugovën tradhtar, krekoseni me një kryengritje, pa pas liruar asnjë lagje. Ju me këtë jo se dëshironi t'ia merrnin Rugovës merita, por flisnin për luftën thua se ju ishit NATO, e jo një organizatë marksiste leniniste, që pengonte çlirimin duke qenë enveriste, respektivisht, staliniste, dmth. disi në linjë ruse. Keni shtruar ju vetes këtë pyetje se keni ngadalësuar çlirimin me dogma që edhe Ti sot i refuzon?
[17] Çfarë vlerësimi ke Ti për “zgjedhjet e lira” në mars 1998, pas Epopesë e plojës se Jasharëve?
Jasharajt nuk i ndihmoi askush. As LDK, as LPK. Të gjithë ishim spektator të plojës. Të gjithë!
[18] Gjatë lufte ai ishte “president”, sipas tifozërisë Tënde. Di për ndonjë udhëheqje e komandim konkret për luftë çlirimtare, pos shpërndarjes se psikozës se frikës, që rëndom bënë çdo ushtri armike?
Ishte pacifist i bindur. As Gandi, as Mandela, as Dalai Lama nuk bënin apele për luftë, por kjo nuk i bën tradhtarë. Kutpo ideologjinë pacifiste, siç kuptoje ideologjinë tënde dikur!
[19] Në fund të majit, kur Millosheviqi u bind se NATO e kishte seriozisht, IR u urdhërua për të formuar qeveri provizore të Kosovës, me kryeministër Fehmi Aganin. Fatmirësisht Fehmi Agani refuzoi! Fatkeqësisht u dënua me ekzekutim për atë refuzim. Si e komenton angazhimin e IR për formimin e asaj qeverie, për të detyruar Aleancën NATO të ndërpriste bombardimet, sepse tashmë po merreshin vesh Millosheviqi me “liderin e shqiptarëve”?
Kush urdhëroi Rugovën dhe ku gjenden provat se ai i nënshtrohej një urdhri të jashtëm? A ka përkrahur perëndimi atë qeveri? Rugova dinte mirë se nuk mund të detyronte NATO-në të ndalë sulmet. Si mund Rugova të detyronte, kur nuk ishte gjeneral i saj? Ai me atë vetëm dëshmoi se ishte pacifist radikal! E pse Jezu Krishti iu lut zotit të shëlbohen vrasësit e tij? Pse Perëndimi përqafoi përsëri atë Rugovë që paska dashur ta detyrojë atë? Pse populli i Kosovës votoi përsëri me shumicë tradhtarin Rugova, apo besoni se vetëm ju që shpallni tradhtarë, keni tru funksional, por ata që e votuan ishin debilë?
[20] Pas refuzimit dhe vrasjes se Fehmi Aganit Adnan Merovci e luti Rexhep Qosjen të behej kryeministër i asaj qeverie provizore, por edhe ai refuzoi, duke u dështua kështu ai komplot. Përse pas dështimin të atij komploti IR i bëri apel NATOs që ti ndërpriste bombardimet dhe a ishte apel patriotik?
Çfarë filozofie enveriste e gjykimit! Mospranimi i Qosjes së pozitës shumë të rëndësishme në fazën çlirimtare, quhet patriotizëm. Pse i bëri apel NATO-s? Sepse i besonte paqes! Mund të jetë i gabueshëm qëndrimi, por edhe enverizmi ishte i gabueshëm, edhe pse ka prodhuar disa rezultate
[21] Ai apel nuk e përçau dot Aleancën NATO, meqë Klark u dëshmua HERO kastriot dhe kërkesën e ambasadorit francez në mbledhje e krizës të Këshillit të NATOs për të ndërpre bombardimet, me arsyetim se po e kërkonte “lideri i shqiptarëve” IR, e refuzoi! Klark arsyetojë se IR nuk e ka bërë atë apel duke qenë në liri. Prandaj Millosheviqi i telefonon kryeministrit italian që të dërgonte aeroplan për ta transportonte IR në Romë, dhe prej atje ta përsëriste apelin, që ta poshtëronte edhe Heroin Klark. Përse krimineli Millosheviq ia kishte besën IR, se edhe në Romë do ta përsëriste të njëjtin apel?
Klark nuk u dëshmua Kastriot, sepse Kastrioti nuk jepte urdhra nga Brukseli, por mbronte vendin me shpatë në dorë. As nuk deshi të bëhej hero, por vetëm kryente urdhrin e marrë nga Clinton. Nëse kupton miqësinë e Rugovës me Papën dhe nëse kupton Krishtin dhe Nënë Terezën, atëherë do të kuptosh pse Rugova veproi siç veproi. Pse një fjalë e Rugovës bën atë tradhtar, por nuk bën LPK-në stalinizmi. Rugova u profilizua si pacifist, vdiq si i tillë. Ai nuk ndryshoi.
[22] Bashkësia Ndërkombëtare (Aleanca NATO) pas Lufte ishte e predispozuar që ti jepte mundësi shqiptarëve për vetëqeverisje e pavarësi shtetërore. Përse IR sabotoi kompletimin e “qeverisë se përkohshme”, që Bashkësia ndërkombëtare të bindej se ishim në gjendje të vetëqeverisemi?
Bashkësia Ndërkombëtare në fillim ishte kundër shpërbërjes së Jugosllavisë dhe vetëqeverisja, nuk ishte stërvitje për shtet, por në fillim thjesht rikthimi i paqes? Ku merrni ju atë të drejtë të konsideroni veten çlirimtarë të Kosovës, kur nuk keni çliruar asnjë katund vet? Pse nuk keni turp të sekuestroni meritat e çlirimit, kur dihet se populli përjetoi një dramë ekstreme, të karakterit biblik? Si është e mundur ju çlirimtarët e vetëshpallur, të jeni aq të pagabueshëm, aq të mirë, aq atdhetarë, por ta vidhni shtetin deri në palcë pas çlirimit, sa populli të mallëngjehet për Jugosllavinë e Titos? Si është e mundur se nuk revoltoheni për dëmtimin e shtetit, për ndërtimit e shtetit tribal dhe vjedhjen e ekonomisë nga komandantët, por trishtoheni nga Rugova i vdekur? Si është e mundur se ju adthetarët e mëdhenj shitët status veterani nga 2.000 euro dhe krijuat një armatë prej gati 60.000 vetave në paqe? Nag erdhi urdhri të shkatërroni buxhetin e shtetit, që nuk mbahet në këmbë, nga Beogradi apo Moska? Pse nuk kuptoni se as Rugova, as ju nuk çliruat Kosovën, por e bëri NATO? Pse nuk kuptoni se pacifizmi ndikoi në marrjen e të gjithë aleatëve Serbisë sa të mbetet e vetmuar dhe pastaj edhe e bombarduar?
Ibrahim i dashur, shkrimi jot dhe pyetjet Tua janë të kuzhinës enveriste, që ndante njerëzit në miq, ose armiq. Nuk je i vetmi që ka braktisur ideologjinë staliniste, por jo metodat e të gjykuarit. Edhe Qosja është viktimë e asaj psikologjie.
Ajo që ke shkruar bën pjesë në fushën e teorive konspirative. Ndoshta ke lexuar nga “ekspertë” se njeriu nuk ka zbritur kurrë në hënë dhe se SHBA më 11 shtator, ka sulmuar vetveten!
Se sa lehtë është te ne të bëhet atdhetari tradhtar, Ti e din më së miri. Nuk e kam besuar kurrë. Gjithmonë kam pasur respekt për angazhimin Tënd dhe kontributin, por, burrë i dheut, shpallja e Rugovës tradhtar, është orkestrim serb, siç është orkestrim edhe kundër Teje. Krijimi i këtij kaosi, është ndihmë konkrete Serbisë. Kjo është gjendje e përkryer për të punuar tutje spiunët serbe në administratën e Kosovës. Ata që sot punojnë për Serbinë, gjenden nëpër institucionet e Kosovës dhe eksitohen me luftën tonë të brendshme. Ne fituam si komb me dy lëvizje dhe kjo është fitore kolosale.
Rugova nuk është tradhtar, Ti nuk je tradhtar, Qosja nuk është tradhtar, por për të tretë (fundi fundit për çdo njeri) mund të ngrihen dyshime të tilla, të cilat një lexues të pakujdesshëm, do ta bindnin për tradhti. Dhe, më beso, nuk është aspak vështirë të shkruhen apo gjenden argumente që do t'i besonte dikush dhe që do t'i publikonte ndonjë portal poçavër! I ke parë si shpifen për Ty! Kur humben vlerat morale dhe politike në një vend, shpërbërja e një kombi është shumë e lehtë, sepse ne nuk kremtojmë fitoren, por vallëzojnë ballon sipas muzikës serbe dhe kënaqemi duke prodhuar tradhtarë. Unë nuk njoh asnjë personalitet shqiptar të gjallë në Kosovë, që nuk është shpallur nga ndonjë fis tradhtar, ose që nuk ka vjedhur ekonominë e Kosovës, e Ti?


**************************
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


Keine Kommentare: