"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

07.06.2012

Pashai në vatan, Gazeta Shekulli


Sapo u kthye në atdhe, pashai thirri kabinetin e tij për të shpërndarë xhevap mbi muhabetin me sulltanin në Turqi. Të pranishëm: Efendi Haxhinasto, zëvendëspasha dhe ministër i Marifeteve me Jabanxhillëk. Efendi Nishani, ministër i Nishan-Xhandarëve dhe Tërbijes. Efendi  Imami, ministër i Askerisë. Zoti Bode, ministër i Xhepave Miletor. Efendi Halimi, ministër i Zhdrejtësisë së Drejt. Zonja Bregu, piskatore; Interpretuese e Filxhanëve të Qeverisë. Zoti Olldashi, ministër i Dallavereve Miletore dhe Sikter-Teneqeve. Efendi Myqeremi, Ministër i Haram-Dijes. Zoti Bumçi, ministër i Jazëk-Mejdanit, Mysafirëve, Përrallave, Axhamive dhe Fizkulturës. Zoti Vasili, ministër i Sagllëkit. Zoti Mediu, ministër i Fushave, Maleve, Ujërave, Peshqve dhe Hajvanëve. Zoti Ruli, ministër i Çifçinjëve, Ruletit, Çifligarëve, Jemekut dhe Mbrojtja e Myshterinjëve. Zoti Ksera, ministër i Sadakasë Insanore dhe Nafakave të Barabarta. Zoti Pollo, ministër për Dynjan Digjitale, Pulat, Çatin, Forumet në internet dhe Webin. Zoti Naço, ministër për Bakshish, Tuxharllëk dhe Pazar. E pranishme, në këtë tubim madhështor, edhe hanëmja, Jozefina Topalli, kryetare e Bash-çarshisë.
Pasi u ulën ata, një hyzmeqare mbylli derën e konakut vezor. Pashai u hodhi një vështrim shëtitës të pranishmëve dhe urdhëroi:
-“Hapni penxhere-sehirët!” Të gjithë u shikuan në mes vete dhe nuk lëvizën duart para vete.
-“Ah, nuk e dini”, nxitoi pashai duke parë se askush nuk e kuptoi.
-“Jemi marrë vesh me sulltanin të mos e quajmë më “Windows-Vista”, por shqip: “Penxhere-sehir.”
Disa ministra përkulën kokat, disa i tundën, por të gjithë, sipas urdhrit, ndezën lapsalot. (Qeveria për shkak të paradëftimeve jo aq të mira në filxhanin e kafesë, ka shpallur haram  emërtimin: “Lap-Top.”)

- “Shkoni ju lutem në facebook tek faqja “Sali Berisha Nderi i Kombit.” Sot aty do ta bëjmë çatin e 770. E shihni të dashur ministra, tha ai duke parë ata; Mark Zuckerberg në faqen e tij, ku janë mbledhur truç gati një miliard njerëz, ka hapur një faqe nderi për mua...”
Të pranishmit u ngritën dhe duartrokitën tre minuta duke u buzëqeshur dhe shikuar me mburrje njëri tjetrin. Në fund fërkuan duart. Shumë çate të Qeverisë, kryesisht kur Hamza Salioti nuk dëshironte të flasë, zgjasnin deri sa këndonte hoxha i parë në agim.
Ai uli kokën, nisi shkrimin me dy gishta dhe të gjithë prisnin fjalinë e parë:
- “Të dashur ministra, pranoni goxha shumë selame të prushta nga sulltani. Takimi atje ishte mega-vëllazëror, i faktuar, më i madhërishëm dhe më i fuqishmi deri më tani”, dhe cak shtypi ”enter. “ Bode i vuri gjyzllëkët, Nishani i hoqi. Vasili kroi kokën, Bregu e tundi në shenjë pajtimi.
-“Nuk ishte vetëm pritja madhështore, por më prekëse ishte ndarja”, shkroi kryeministri dhe shtypi “enter” përsëri.“Rrugët qenë bllokuar në qytet...”, vazhdoi pashai.
“Sa veta kishin dalë shkëlqesi?”, shkroi zëvendësi efendi Haxhinasto dhe shtypi “enter.”
“Gjashtë milion!”, shkroi ai me një buzëqeshje të lehtë dhe shtypi “enter.”
“Oboo, ububu, wow, bajagi shumë dynjallëk...”, shkruan të gjithë ministrat njëri pas tjetrit dhe dërguan shumë kokëza të buzëqeshura (https://www.world-of-smilies.com/wos_mini/mini015.gif ) si shenjë se po ndanin kënaqësinë me të.
-“Nuk ishte vetëm kjo, por ata kishin dalë të më prisnin me tirq dhe me plisa...“
-“Sa çast i këndshëm...”, shkroi efendi Nishani.
“Çok gjyzel...”, shkroi efendi Imami.
-“Aferim!”, shkroi efendi Myqeremi. Në këtë çast u ngrit hanëmja Bregu dhe nisi me duartrokitje. Pas saj, edhe të tjerët. Duartrokitja skizofrenetike zgjati rrafsh pesë minuta.
-“Uluni, uluni!”, shkroi pashai. Kur ata panë se po vazhdonte me raportin, zunë vendet e tyre përsëri.
-“I thash sulltanit”, shkroi tutje Pashai, “ përzierja e gjakut tonë mavi, me gjakun e tyre të kuq, do ta ndihmojë shumë Turqinë, por këtë e kishte konstatuar dhe kuptuar edhe...”
-“A do të hapen shkolla shqipe atje?”, ndërhyri zoti Olldashi dhe shtypi “enter”
-“Po, po!”, shkroi pashai. “Do të hapen mijëra mejtepe të ulëta, të mesme dhe të larta. Në fillim vetëm fetare. Me rëndësi të fitohet xheneti një herë, më vonë, ndoshta edhe për ata që nuk besojnë se bajagi-lezeti vjen pas vdekjes...” dhe me gishtin tregues shtypi “enter.”
Të pranishmit u ngritën në këmbë dhe duartrokitën shtatë minuta duke piskatur: -“Me ymër e sagllëk pashai jonë! Me ymër e sagllëk pashai jonë!”
-“Ju faleminderit, ju faleminderit; uluni ju lutem, uluni!”, shkroi pashai. Ata u ulën.
 -“A do të na ndihmojnë për zgjedhjet?”, shkroi ministri i Sagllëkit.
-“Po, pa shybe!”, shkroi pashai. “ Por, edhe nëse nuk i fitojmë, do t’ i bëjmë hesap vet votat. Si edhe herën e fundit. Unë nuk mund të dorëzoj pushtetin, populli ka kontratë me mua, madje edhe nëse bëhet luftë sheherli. Këtë ia thash sulltanit. Demokracinë e kam fituar unë, nuk e gjeta në mesin e  miletit dhe nuk ia fal më askujt! Demokracia është e imja, e jona. Me gjak e kemi fituar, pa gjak, nuk e japim!!!”, shkroi pashai me shkronja të mëdha dhe shtypi “enter.” Sapo lexuan këtë ministrat, brofën në këmbë dhe shpërtheu brohoria:

“Sali Beter,
Jemi gati kurdoherë!
Sali Beter,
Jemi gati kurdoherë!”

Disa çaste më vonë, pashai shkroi me shkronja të mëdha: “ULUNI, ULUNI!” Ata njëri pas tjetrit u lëshuan në ulëset e tyre duke u shikuar me krenari në mes vete.
- “Kë do bëjmë kryetar të vendit?”, shkroi ministri i Jabanxhillëkut.
-“Po...”, shkroi Pashai. “Na duhet një Kryetar i shtetit, që nuk guxon t’ i kundërshtojë ligjet tona. Një Kryetar, që arsyeton, përligj dhe argumenton veprimet e Qeverisë. Nëse për shembull pas zgjedhjeve të ardhshme shpërthen lufta qytetare dhe efendi Nishani jep urdhër për të mbrojtur shtetin nga armiqtë e brendshëm, këtë nuk duhet të guxojë ta vejë në dyshim njeri, përndryshe bëhemi jazëk-demokraci. Ju mund të lakoni emrat që ju pëlqejnë në rasën kallëzore, unë ju tregoj se a mund të përdoren ata emra edhe në rasën emërore.  Unë pres lakimet  e para! Ju kallëzoren, unë emëroren. Apo më mirë: Ju kallëzuesin, unë kryefjalën!”
-“A nuk bën një grua nga radhët tona, një të përshtatshme?”, shkroi zonja Bregu.
-“Në Gjermani kemi një grua, që drejton shtetin. Në SHBA kemi sekretaren, në Kosovë kryetaren...“, shkroi zoti Pollo.
-“Ne kemi një zonjë të bukur, që din të shajë dhe të pështyjë si burrë i vërtetët.”, shkroi zoti Ksera.
- “Kemi një zonjë delikate, por të ashpër dhe trime, vret e pret si burrë; si në kohën e fshesës. Si në kohën e shkopit. Pse të mos e zgjedhim atë, kur kemi një burrneshë të tillë. Pastaj, edhe ajo, si ne, ka gjakun mavi. Bitevi mavi! “, shkroi zoti Ruli.
-“Mendoni për Jozefina Topallin?, pyeti  ministri i Dallavereve dhe Sikter-Teneqeve.
-“Po!”, shkruan disa ministra.
-“Jo, Jozefina Topalli, por Çalamani”, shkroi zoti Pollo. “Mbiemri do t’ i ndryshohet. Mbiemrat të tillë kanë ndikuar tek ministri  jashtëm turk, që neve të na konsideroj mbeturina osmane, prandaj me ligj, do t’ i ndryshohet mbiemri nga “Topalli” në “Çalamani!” Nëse në një vend të botës takoni një njeri, që mban mbiemrin “Bardhi”, ju do të mendoni se është me origjinë shqiptare, kjo është arsyeja pse turqit na quajnë vëllezër dhe mendojnë se jemi turq të asimiluar. “, dhe shtypi “enter”. Pashai pa se mbledhja po acarohej dhe shkroi: “Pushooooni!”Ata pushuan dhe u mbështetën në karrige.
-“Të shohim, do ta kem parasysh Jozefinën", dhe drejtoi bisedën në një kahe tjetër.
Shkroi se do ta kishte dëshiruar për kryetar Adil Çarçanin, mirëpo, për fat të keq, ka vdekur. Edhe Ramiz Alia, nuk do t’ ishte keq, por edhe ky iku. “Na mbetet Nano”, shkroi pashai i ngrysur...”Me Nanon ishim në të njëjtën parti, madje edhe intelektualët kanë nostalgji për të parë edhe një herë frytet e Partisë së Punës në maje të ngrehinës demokratike...”

Diskutimi vazhdoi deri në mëngjes. Zonja Bregu dhe Çalamani ikën të paqejf. Sapo dolën ato jashtë, ministrat braktisën faqen “Saliu nderi i kombit” dhe kërkonin filma për të rritur nëpër haremet e internetit...


PS:
1. Nëse bazohemi në turqizmat në gjuhën shqipe, që i kuptojmë edhe njëqind vjet pas çlirimit, mund të konstatohet kjo: Po të kishte mbijetuar pushtimi osman edhe një shekull, në Ballkan nuk do të kishte mbetur asnjë shqiptarë. Këtë e dëshmojnë “shqiptarët” e Turqisë. Betimi “n’kofsha turk” tregon se shumë shqiptarë nuk dinin se çka ishin dhe asimilimi ishte në përfundim e sipër...

2. Nëse Nano bëhet kryetar i Shqipërisë, atëherë, gjendja patologjike në Shqipëri do të vazhdojë. Me këtë dëshmohet se Shqipëria nuk ka mundësi tjera intelektuale, por do të shërbehet vazhdimisht nga qypi Partisë së Punës...! Kryeministri dhe kryetari i shtetit demokratik, anëtar i NATO-s, pinjoll të stalinizmit dhe nxënës të Enver Hoxhës. Edhe atë në dekadën e dytë të shekullit XXI. A është kjo herezi? Jo, kjo nuk është herezi. Ky është imoralitet!

tribuna shqiptare dhe shekulli


Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.





Keine Kommentare: